Pikërisht të birin e Evensit nga Apolonia, Deifonin, kishin marrë me vete Korinthasit si parashikues për flotën helene. Herodoti
Aty, në Apoloni, del asfalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht. Aristoteli
Apolonia – Magna urbs at gravis (Qyteti i madh dhe hijerëndë)
Ciceroni
Në qytetin e Apolonisë është një vend i qujtur Nympheum, ku gjendet një shkëmb që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asphalt. Straboni.
Ajo që më çuditi më shumë në Apoloni është zjarri i madh që del pranë lumit Vjosa dhe që nuk përhapet në tokën rreth e rrotull .Kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë ky vend quhet Nymfe, madje këtu ka pasur dikur edhe një Orakull.
Dio Kassius
Duke u mbështetur në veprën e Herodotit[1], na bëhet e qartë dhe e kuptueshme se Orakulli i Apolonisë, për nga rëndësia vjen me një herë pas Orakullit të Dodonës dhe atij të Delfit. Kjo ide përftohet sidomos nga leximi i librit të Nëntë të veprës së Herodotit. Ngjarja, që na tregon autori lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, i cili, si Orakull i njohur, me siguri do t’i ketë pas dhënë dhe më shumë emër qytetit të lashtë. Subjekti i rrëfimit ka në qendër bariun Evenius, si edhe të birin e tij. Nga ky episod mund të zbresim pastaj me hamendje edhe në fshatin Frakull sot, si pjesë e hinterlandit të Apolonisë, që shtrihet pas kodrave të Pojanit dhe të Levanit.
Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë me ushtrinë helene në Platea dhe po bëheshin përgatitje për shpeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi, kurse persianët nga komandanti i tyre, Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon, të birit të Eveniusit nga Apolonia. Veprim ky që nënkupton një dimension shenjtërie, që rriste famën e qytetit të atëhershëm. Këtë ide Herodoti na e tregon përmes ndodhisë së Eveniusit, ku gati si në një mith, na rrëfen se si i kishte ardhur Eveniusit dhuntia hyjnore e profecisë nga dëshira e perëndive.
Babait të këtij Dejfonit, Eveniusit, siç shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e tregoj: Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit,[2] që rrjedh nga mali Lakmon, dhe shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjidhnin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje delesh për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli.
. Delet e asaj grigje e kalonin natën në një guvë që është disi larg qytetit. Këtu ky Eveniusi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek po i ruante ato; ndërkaq erdhën ujqërit, që hynë në guvë dhe i shqyen rreth gjastëdhjetë dele. Kur u zgjua Eveniusi, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte ndodhinë nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet. Menjëherë, mbasi e verbuan Eveniusin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Eveniusin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Eveniusit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.
Këto përgjigje, që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e vet; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për Orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se i zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) , po ashtu dinte se kishin edhe shtëpi, që ishin më të bukurat e qytetit. Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Eveniusi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius! Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që i kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Po, sidqoftë, banorët e Apolonisë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpitë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj ai u bë njeri i famshëm.(Herodoti, Lib.IX- Parag.94 [3]-)
Pikërisht të birin e këtij Eveniusit, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.[4] – Lib. IX- Parag. 95.
Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë, në kohë antike, ndodhej ky Orakull. Për këtë anë të famës le të kemi para sysh dhe faktin se të birin e Eveniusit, Orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve. Pra, Kështu na del se ky Orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës, gjë që i rriste edhe më shumë emrin qytetit për ato kohë.
Qëllimi ynë gjatë shoshitjes së kësaj ngjarjeje nga vepra e Herodotit nuk është të tregojmë përmasat e kultit të Orakullit të Apolonisë, po të pohojmë pa mëdyshje ekzistencën e një shenjtëroreje pranë qytetit antik, që ka qenë funksionale qysh nga Lufta Greko-Persiane, koha e Herodotit, shekulli i pestë Para Krishtit, deri në sundimin e perandorit Karakalla, shekulli i tretë Pas Krishtit, sipas shenimeve të historianit Dio Kassius.
Ndërkaq, tek arsyetojmë për vend-ndodhjen e Orakullit të Apolonisë, nisur kryesisht nga ana gjuhësore, mbështetur në evolucionin fonetik të tingujve të emrit “Orakull”, lokalizimin e tij e gjejmë si më të përshtatshëm në fshatin Frakull. E kemi këtë ide duke parë evoluimin fonetik zanores “O” në konsonantet buzoro-dhëmbore “V” dhe pastaj në “F”: Orakull, Vrakull, Frakaull. Shenojmë se kjo dukuri fonetike e kthimit të tingullit “v” në “f” ndihet ende në disa të folme edhe sot, po edhe në gjuhën e shkruar, siç ëshë rasti tek elegjia e Fan Nolit për Bajram Currin, ku ai shkruan: Dif dragoi i Dragobisë. Edhe Noli, siç shihet në poezi, nuk e ka pëdorur fjalën div si në fjalorin e gjuhës së sotme, pra me shkronjën “v” në fund, por ka pëlqyer trajtën me bshkëtingëlloren “ F “ dif, gjë që ka analogji fonetike merastinevoluciot te fjalës Orakull në Vrakull dhe pastaj në Frakull; kështu, këtu, nuk kemi bëjmë me një rastësi, po me një “rregull” fonetik të kaherëshëm.
Kështu kemi arsye të hamendësojmë Orakullin e Apolonisë me përfytyrimin tonë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative Orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet.
Ky mendim për Orakullin e Apolonisë na përforcohet më shumë, kur lexojmë autorët e lashtësisë. Kështu filosofi i famshëm i antikitetit, Aristoteli, kur rrëfen për Apoloninë, ai shkruan se “aty, në Apoloni, del asphalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….. dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht”[5]. Mbase këto pamje të perflakura, tok me madhështinë e përgjithshme të qytetit, do t’i kenë pas bërë aq përshtypje oratorit të shquar romak, Ciceronit, i cili shkroi për Aploninë fjalët lapidar: Magna urbs et gravis(Qytet i madh dhe hijerëndë).
Po ashtu, kohë më vonë, historiani i Perandorisë Romake Straboni[6], në veprën e trij gjeografike, kur përshkruan viset e Ilirisë, tregon : “Në qytetin e Apolonisë është një vend i quajtur “Nympheum”, ku gjendet një shkëmb, që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asfalt”[7]
Për më tepër, këtë konstatim na e jep në vepren e vet, rreth dy shekuj më vonë edhe historiani tjetër romak, Dio Kassius[8]. Ka rëndësi të theksojme se ky autor, tek përshkruan viset e Ilirisë bregdetare, mbetet i mahnitur me pamjet e mrekullueshme të Vjosës, duke e cilësuar atë me fjalët “the prophetic power of the river Aoos. (fuqia profetike e lumit Vjosa – versioni anglisht)”[9]. Kurse për panoramën e Apolonisë ai do të shkruante i surprizuar, për çfarë po i shikonin sytë: “Ajo që më çuditi në Apoloni më shumë se çdo gjë është zjarri i madh, që del pranë lumit Vjosa dhe qe nuk përhapet rreth rrotull… madje afër tij ka gjelbërim dhe pemë, që lulëzojnë. Përveç kësaj, kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë arsye ky vend quhet Nymfe, dhe, dikur aty ka qenë edhe një Orakull.”
Për analogji me këto të dhëna flet edhe një gojëdhanë se diku në një bregore të Frakullës ndodhej një vend i quajtur Shkëmbi Dragoit, thirrej ashtu ngase prej një zgavre të tij , si gojë e shqyer kishte pas dalë avull.
Kështu, nisur nga mendimi, që e lokalizon këtë Orakull në Frakull, dhe, se pranë Orakullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut”-( Lib.IX- Parag.93)
Deduksioni i parë që nxjerim nga pohimi i mësipërm i Herodotit është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po përmes territorit të Apolonisë, mbase rreth nëntë kilometra larg qytetit antik, siç është konkretisht distanca midis Pojanit dhe Frakullës .
Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm. Nga ky kënd-vështrim, Frakullës sot, duke u mbështetur në shkrimet e autorëve antikë, mund t’i bëhej një zgjatim i hartës arkeologjike të Apolonisë. Dhe kështu, përfytyroj, sikur në një bregore, ose në një ledh, mbi një pllakë të zakonshme çimetoje, të gdhendeshin shkrimet e autorëve të lashtësisë, që cituam më sipër, atëherë, fjala “Frakull” nga një emër toponimk i zakonshëm fshati, do të merrte edhe një tingëllim historik prej antikitetit, që lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, që po e zgjojmë nga gjumi shekullor, përmes veprës së Herodotit.
Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se gjuithe vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e Orakullit të Dodonës e deri tek Orakullli i Apolonisë. Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”[10]
Massachusetts
15 Maj 2021
[1] Historiani i parë i antikitetit helen, 484 – 425, para Krishtit..
[2] Merret me mend se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme
[3] Herodoti, Historitë, Libri Nëntë, Parag.94.
[4] Herodoti, Historitë, Libri i Nëntë, Parag. 95.
[5] N.Ceka, Apolonia e Ilirisë, Tiranë, 2008, f. 196
[6]Straboni, historian i Perandorisë Romake, (64 Para Krishtit-24 pas Krishtit).
[7] Strabo, Geography, translation of Horace L. Jones, Harvard University Press, Vol.. 7 – f . 265- MCMLIV
[8] Dion Cassius, autor romak, (155-235, pas Krishtit)
[9] Fergus Millar,A Study of Casius Dio, Oxford, 1964, p.180.
[10] A.Minga, Herodoti, Historitë, botimet IDK, f.13 /voal.ch