Nesip Kaçi*

Qeveria e Stambollit dhe Sulltani nuk na lejon pavarësinë e Shqipërisë, nuk na jep liri dhe asnjë të drejtë për të hapur shkolla në gjuhën tonë amtare, shqip, nuk kemi siguri për jetën dhe pasurinë e familjeve tona, paguajmë taksa : vergji e xhelep, na kërkon djemtë tanë për t’i dërguar ushtarë në Anadoll e gjetkë. Të mërzitur e të revoltuar nga këto padrejtësi, kemi dalë në male me pushkë në dorë si kryengritës për të fituar të drejtat tona, lirinë e pavarësinë e mëmëdheut tonë të dashur. Këto janë shkaqet që na detyruan të dalim në male.  Vdekje a liri. Duke shpresuar se së shpejti do ta çlirojmë  Mëmëdheun tonë nga robëria, iu bëjmë thirrje në emër të 3000 kryengritësve, luftëtarë të betuar për Shqipërinë, që ta ndriçojë Dielli i Lirisë. Kallnor 1907,  Çerçiz Topulli,  Nga malet e Shqipërisë së jugut.

                          Pse dhe kush e krijoi Çetën e Çerçiz Topullit ?

Çeta e Çerçiz Topullit u krijua me rastin e krimit të  kobshëm, kur bandat greke dhe andartët,  me urdhër të Patriarkanës dhe qeverisë greke, vranë Papa Kristo Negovanin, të cilin e masakruan barbarisht, për të vetmen arsye, se Papa Kristo, që emërin e kishte Harallamb, prift ortodoks shqiptar, e donte Shqipërinë dhe shtypte libra kishtare në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës. Me Papa Kriston, andartët grekë vranë dhe vëllain e tij, që të mos kishte kush t’a merrte hakun, vranë dhe shqiptarë të tjerë të Negovanit. Bajo Topulli, në atë kohë, profesor mathematike  dhe nëndrejtor në gjimnazin idadije të Selanikut, u indinjua shumë nga dhuna greke dhe iu vu punës për të formuar  çetat  shqiptare. E për t’u hakmarrur ndaj krimeve të Patriarkanës dhe qeverisë greke, projektoi vrasjen e Fotit, mitropolitit grek të Korçës e Konicës, ku Foti mallëkonte në kishë gjithë ata shqiptarë që guxonin të lexonin, shkruanin, studionin, apo luteshin në gjuhën shqipe. Grekët vranë në Selanik, një vit më parë, shqiptarin patriot, shpirtndriturin Spiro Kosturi, vetëm sepse ai e donte Shqipërinë, atdheun e tij. Bajua, në atë kohë, u tha shqiptarëve : “ Përse i kemi armët e Jataganët ?  …Tani është dita “  Bajua, 33 vjeçar, trim e patriot, doli i pari vullnetar në çeta, në male për liri. Mihal Gramenua shkruan se Bajua, bashkë me maturantë të shkollës, nga Manastiri kaloi në zonën e Korçës, i veshur me petka lufte dhe sëbashku me patriotë të tjerë të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Pogradecit, Prespës, Devollit, Leskovikut, Gjirokastrës,Labërisë,  Delvinës, Çamërisë  etj, ngritën çetat për liri, të cilat i treguan turkut dhe grekut se kombi shqiptar nuk ka vdekur, ai është i gjallë dhe po ju përgjigjet me pallë. Bajua me shokët e tij levendë, në fund të marsit  1906 formoi  në Korçë e Kolonjë çetat e para  kombëtare me luftëtarë që vepronin kryesisht në rrethet e Kolonjës, Korçës, Devollit, Leskovikut e Përmetit. Bajua, thotë Gramenua, përhapi idenë kombëtare dhe ngriti flamurin e lirisë në malet e Shqipërisë. Bajua me shokët e tij krijoi dëgët e komiteteve në Korçë, Kolonjë, Gjirokastër, ai krijoi edhe  çetat  në Gjirokastër, Labëri, Delvinë, Çamëri etj. Një ndër këto çeta ishte dhe Çeta e Çerçiz Topullit, për të çilën do flasm më poshtë.

                                          Vrasja e Binbashit   

Çfarë do të thotë Binbash?  Në turqisht  bin përkthehet: 1000  dhe  bash:  përkthehet: koka, kreu ose krye, pra ai që është në krye të 1000 burrave në ushtri  me gradë major, post i rëndësishëm  në administratën ushtarake osmane.

Çeta e Çerçiz Topullit në shkurt-mars 1908 vazhdoi të qëndronte në Manastirin e Drianos dhe prej andej do të largohej pas disa ditësh, mbasi urdhërat e qeveritarit në Selanik e Manastir, Hilmi Pashës,  ishin të rrepta. Ai kërkonte që me çdo kusht të kapej gjallë ose vdekur Çerçiz Topulli. Ky urdhër qarkullonte në të gjitha anët  mbasi kryeveziri ose sadrazemi, ose më shqip kryeministri i perandorisë osmane, Ferit Pashë Vlora dhe vetë Porta e Lartë : sulltan Abdylhamiti i dytë, ishin shqetësuar nga aktiviteti i Çerçizit si kryekomit-kryengritës.

Binbashi turk në Gjirokastër, Halil Musa beu, boshnjak, me gradë major, komandant i xhadarmërisë, tregohej nga më aktivët për zbatimin e këtij urdhëri. Me urdhërin e nën drejtimin e tij u bënë arrestime kudo në prefekturën e Gjirokastrës. Koshadhet ( ushtarët e ndjekjes) silleshin me egërsi mbi popullatën e pafajshme për të mos strehuar komitët. Në vëzhgim të përhershëm mbahej familja Topulli, shtëpia e Çerçizit, njerzit e saj. Spiunët ishin shtuar shumë. “ Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”  i Gjirokastrës, i shqetësuar thellë nga këto masa shtrënguese të xhandarmërisë, dërgon një nga anëtarët e tij, Idriz Gurin, në Manastirin e Drianos, për të takuar Çerçizin. Ai u spjegoi situatën duke u treguar se tridhjet vetë i kishin sjellë të lidhur nga Përmeti e Badlonja si mbështetës e përkrahës të komitëve. Midis tyre ishin dhe i ati dhe i vëllai i Hajredin Tremishtit si dhe një shoku i Çerçizit, Ali Ymer Hoxha, i cili e shoqëroi Çerçizin kur i shkoi Dhespotit të Konicës  e Përmetit brenda në kishë. Binbashi kishte dhënë urdhër që, gjithë ata që e ndihmonin dhe e strehonin Çerçizin të lidheshin e burgoseshin. Përpara kësaj gjendjeje Çerçizi dhe çeta e tij vendosën t’i tregonin qeveritarit të Selanikut, Hilmi Pashës dhe binbashit të Gjirokastrës, Halil Musa beut, se në Shqipëri nuk mund të bënin dhe vepronin siç donin ata. Prandaj vendosën vrasjen e binbashit, si shpagim ndaj krimeve të tij, që do të ishte dhe një mësim për Hilmi Pashën, që të kuptonin se cilët ishin shqiptarët. Çerçizi me çetën u zhvendosën nga Manastiri i Drianos dhe në mbrëmje shkuan në pyllin e Driavenës mbi Gjirokastër, për të bërë planin e asgjësimit të binbashit. Ndërkohë Çerçizi, pavarësisht nga mendimi i “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë” i Gjirokastrës, pyeti edhe vëllanë e madh, Kapo Topullin, i cili ishte një njeri me autoritet dhe me një gjykim të thellë.  “Nëqoftë se nuk e vrisni ju të çetës … “do e vras vetë “, u tha ai.

Dy herë vajtën në Gjirokastër Hajredin Tremishti me Asllanin për të vrarë binbashin, por nuk ia  “gjetën anën”. Çerçizi përpunoi një plan tjetër, më të sofistikuar, në të cilin, përveç dy atentatorëve kryesorë, do të angazhoheshin në pozicione të caktuara edhe pjesëtarët e tjerë të çetës. Këmbëngulën me të madhe Hito Lekdushi dhe Bajram Ligu,  (ky i fundit nga Prongjia), që t’u ngarkohej atyre detyra e atentatit dhe Çerçizi me shokë ranë dakord. Të dy atentatorët prenë leshërat (flokët) e gjata, mjekrat dhe mustaqet, u lanë e u shplanë, u rruan e u veshën tebdil si tregëtarë, për të mos u njohur, provuan revolverët te Balta e Kuqe mbi Dunavat dhe u morën një ditë të tërë duke bredhur lagjeve të Gjirokastrës për “punë tregëtie”. Me këto lëvizje njohën nga afër terrenin ku do kryhej atentati, studiuan lëvizjet e njerëzve dhe shtigjet nga do të largoheshin pas atentatit, pastaj u kthyen në çetë dhe prisnin ditën e goditjes.

Më 9 mars 1908, ditë e hënë, ora 8 fiks u futën në qytet të veshur si qytetarë,  ngjiten në lagjen Meçite dhe u futën në lagjen Hazmurat,  përballë shtëpisë së binbashit, ku prisnin daljen e tij nga shtëpia. Ndërkohë Hajredini dhe Selfua u futën në qytet nga krahu i atentatorëve, Zemani me Asllanin zunë pozicion në afërsi të kishës së Varoshit  për të mbrojtur daljen e  atentatorëve mbas atentatit, ndërsa Çerçizi, Mihali, Avduli, Myftari dhe Pirrua zunë Bregun e Teqesë.

Pritej fërshëllima e të shtënave të dy atentatorëve gjakftohtë. Në orën 11 e 15 minuta nagantet e Hitos dhe Bajramit u zbrazën, njëri në gjoksin dhe tjetri në kokën e binbashit, i cili ra i vdekur në vend. Atentati u krye në mënyrë të rrufeshme edhe kundër xhandarit që shoqëronte binbashin, i cili nxorri gjashtoren, që nuk arriti ta përdorte se në moment e plagosën në dorë, për të mos mundur të përdorte armën, ishte shqiptar, për këtë arsye nuk e vranë. Çeta me qëllim çorientimi, qëlloi dritaret e prefekturës për të mbuluar me zjarr  shokët e tyre, të cilët zbritën me shpejtësi për t’u bashkuar me shokët. Xhandarët, policët por  edhe ushtarët, në panik e nxitim të madh, arritën ta ndjekin çetën  në Fushën  e Qersave, por u ndodhën para një zjarri të fortë e të parreshtur dhe u detyruan të ndalonin. Kjo luftë me ushtarët zgjati dy orë. Luftëtarët e çetës, mbasi u mblodhën, përqafonin njëri-tjetrin për këtë akt heroik e patriotik. Në mbrëmje çeta e Çerçizit u largua pa asnjë humbje në thellësi të Malit të Gjerë, natën zbritën në Mashkullorë dhe që andej u hodhën në Kardhiq, ku i  gjetën banorët e fshatit të gëzuar për vrasjen e binbashit, i cili i kishte torturuar ata dhe e kish  plaçkitur zonën e Kardhiqit. Çeta në Kardhiq qëndroi tri ditë. Çerçizi e pa të arsyeshme që të ndaheshin në dy pjesë. Çerçizi qëndroi në Mashkullorë në shtëpinë e Zeman Mashkullorës, anëtar i çetës, me gjashtë shokë, ndërsa Abdul Mersini, vetë i katërt, do të hidhej në tjetër drejtim.

                                             Në Mashkullorë te Rrapi                

Prefektura alarmohet dhe Selaudini, prefekti i Gjirokastrës, kërkoi  nga Janina forca të reja ushtarake, Mazap, për të asgjësuar çetën e Çerçizit, pasi qyteti rrezikohej të binte në duart e çetës kryengritëse të Çerçiz Topullit. Populli i këndoi kështu : “ Nga Janina vjen Mazapi, Në Mashkullorë te Rrapi”. Te Rrapi në Mashkullorë, Foli Çerçizi me gojë, Turku këtej të mos shkojë, Se i kuq, i  bëj me bojë,  Mylazim largo taborë, Leri djemtë e mi të shkojnë.

Për të plotësuar nevojat me bukë, duhan, etj, çeta qëndroi në shtëpinë e Myrto Haskës dhe përbëhej nga Çerçizi, Mihali, Hajredini, Asllani, Zemani, (djali i shtëpisë), Hito dhe Myftari. Ishte data 17 mars 1908. I ati i Zemanit, Myrtua, nuk i la të ikin dhe i siguroi se nuk kishin rrezik dhe ata qëndruan për të fjetur. Pa zbardhur dita e 18 marsit, ditë e mërkurë, një mëngjes i ftohtë, gratë e shtëpisë që ishin ngritur herët për punët e tyre, lajmërojnë çetën se kishin parë njerëz që po i afroheshin shtëpisë.  Çerçizi ngrihet, hedh sytë nga dritarja, ku dallon një turmë njerzish që po afroheshin në formacion luftimi, por të çrregullt, në drejtim të lagjes tjetër. Në atë çast zgjoi dhe Mihalin dhe kur i pa mirë me dylbi bërtiti :  “O burrani shokë, se na rrethoi ushtria!”. Çeta me shpejtësi u vesh, mori pajimet dhe municionet, duke kaluar në kopshte e gardhe të shtëpisë, mori drejtimin për në luginën e rrepeve dhe përroit plot ujë të Kumanatit. Daljen e çetës ushtria turke e zbuloi dhe filloi kundër saj një zjarr të dendur e të përqëndruar nga kodra tjetër. Daljen e çetës e pikasi i pari tradhtari Vehip Xhaferri, që kishte lajmëruar ushtrinë se çeta ndodhej në Mashkullorë. Qëllimi i batalionit turk ishte rrethimi i çetës dhe kapja rrob e saj, e sidomos e kapedan Çerçiz Topullit. Tabori ( batalioni) përbëhej nga rreth 200 vetë, e ndarë në tri kompani dhe komandohej prej oficerit turk Naxhadidin. U dëgjua alarmi dhe thirrja e borisë për luftë. U dëgjuan komandat dhe britmat e para të oficerëve turq… Lufta filloi në orën 5 e 30 minuta. Çeta u fut nëpër rrëketë e përoit poshtë, kur turqit dolën në afërsi të Rrapit shekullor dhe hapën zjarr të dendur nga të dy anët. Çerçizi me shpejtësi së bashku me Asllanin, u futën e zunë muret e haurit të Abaz Çanos dhe hapën zjarr menjëherë kundër armikut. Nga kjo goditje e parë ngelën dy ushtarë turq të vrarë e disa të plagosur, të cilëve u dëgjoheshin ulërimat. Pastaj në haur mbëritën edhe Mihali, Zemani dhe Myftari. Në të dalë të lëndinës së vogël po rendte Hajredin Tremishti të bashkohej me shokët, por nuk mundi të arrinte te hauri. Një plumb në kokë e kishte lënë të vdekur trimin e vogël 18 vjeçar. Gjithë luftëtarët e çetës u pikëlluan kur Mihali u dha lajmin e vrasjes së Hajredinit dhe me urrejtje dhe pa pushim qëllonin mbi armikun, tashmë edhe në shpagim të gjakut të Hajredin Tremishtit. Në librin  e tij “Kryengritja shqiptare“ në faqen 77, Mihal Gramenua shkruan : “ Luani, trimi e kapedani ynë Çerçiz Topulli mbledh veten dhe u thotë shokëve : Të rrojë Shqipëria, se edhe ne si Hajredini do të vritemi, por o burrani, shokë, të zëmë vendet dhe të luftojmë burrërisht dhe mos u trëmbni.”   Kjo u dha zemër shokëve. Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë vend në qendër të haurit, ndërsa Mihali dhe Asllani, nga pas, u ruanin krahët. Kështu çeta u rrethua plotësisht dhe lufta filloi rregullisht në orën 7.00, luftë e rreptë midis 150-200 vetëve të taborit turk kundrejt 5 vetave, pesë djemve trima të Shqipërisë. Sa për Hito Lekdushin fillimisht nuk dihej gjë, por më vonë u muar vesh që atij një grup ushtarësh i kishin prerë rrugën dhe ai u detyrua të largohej, të çante rrethimin e të dilte lart, në Malin e Gjerë. Armiku, i shoqëruar nga tingujt e trumpetës, disa herë kaloi në sulme, deri në orën 14.00,  por ato  thyheshin nga zjarri i armëve të pesë luftëtarëve, zjarr i përpiktë, që gjithmonë i shkaktonte të vrarë armikut dhe uli shumë moralin e turqve. “Çerçizi u tregua dragua në këtë luftë, tregon Mihal Gramenua, vetëm në këtë luftë munda të njoh burrërinë dhe trimërinë e tij, ai nuk i trëmbej vdekjes. Dhe Gramenua vazhdon : Zbathur, kollos, me leshrat përpjetë, vërtitej në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkë në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke burrëruar neve e duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij këtë ditë ishte më e çelur se kurdoherë.“ Në sulmin e fundit armiku la rreth dhjetë ushtarë të vrarë e shumë të plagusur. Shumë herë e qortoja dhe e këshilloja Çerçizin që të mos nxirrte kryet përjashta kur u fliste ushtarëve turqisht që të hiqeshin e të mos vriteshin, kurse oficerët i ftonte të dilnin në shesh e të luftonin një për një, por ata i përgjigjeshin me dinakëri : „ Jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do luftojmë gjer në orën e fundit… Shqiptari di të vdesë sipas zakonit me nder…“.

(vijon)

*Gazetar dhe Diplomat /Dita

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here