Nga Dashnor Kaloci/ Memorie.al publikon historinë tragjike të shtatë djemve kryeqytetas që vendosën të arratiseshin nga Shqipëria në shtatorin e vitit 1989 në fshatrat Rrajcë-Skënderbe të Librazhdit. Nga vrasja e Kujtim Xhajës me 60 plumba dhe ajo me qenin e kufirit që shqeu Ilir Serjanin në prezencen e ushtarëve dhe komandantit të postës, e gjithë ngjarja e rrëfyer nga Vjollca Sula, e veja e Ylli Sulës, protagonist kryesor i atij grupi….

Duke e parë që nuk kishte asnjë lloj sigurie për jetën e tij dhe gjithë kohën rrinte me gjak të ngrirë se nga dita në ditë mund ta arrestonin, aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1989, Ylli vendosi që të arratisej nga Shqipëria. Bashkë me të në grupin që kishin vendosur të arratiseshin, bënin pjesë dhe i vëllai i tij më i vogël, Agimi dhe nipi tyre, si dhe katër persona të tjerë që Ylli i kishte shokë të ngushtë. Me përjashtim të nipit të Yllit, të gjithë pjestarët e tjerë të grupit kishin qenë të dënuar politik dhe kishin vuajtur me dhjetra vjet në burgjet e regjimit komunist. Nisja e tyre për në drejtim të Librazhdit, ku më pas ata do të merrnin rrugën për në drejtim të kufirit në fshatin Rrajcë, u bë nga shtëpia jonë në një mëngjez shtatori të vitit 1989. Siç më ka treguar Ylli, aty rreth orës tre e gjysëm të natës ata mbërritën deri tek kloni dhe në çastin që i prenë telat me pincat siguruese, Petro Pishtarit i preku xhaketa në telin e korentit dhe u dha alarm. Më pas ata u gjendën nën breshëritë e automatikëve të dy postave kufitare dhe qenëve të kufirit që u lëshuan në drejtim të tyre”. Njeriu që flet dhë dëshmon për Memorie.al, është Vjollca Sula (Giçi) e veja e Ylli Sulës, tiranasit të tmerrshëm që pasi kishte vuajtur plot njëmbëdhjet vjet në burgjet e regjimit komunist, në shtatorin e vitit 1989 së bashku me gjashtë shokë të tjerë, morën rrugën për t’u arratisur nga Shqipëria. Po cili ishte Ylli Sula dhe përse ishte dënuar dhe ridënuar ai në burgjet e regjimit komunist ku dhe kishte mundur që të arratisej njëherë në 1978-ën? Përse vendosi ai që të arratisej në shtatorin e 1989-ës dhe cilët ishin gjashtë personat e tjerë të grupit që bashkë me të morën rrugën përe në drejtim të telave të kufirit në fshatrat e Librazhdit. Si u diktuan ata në çastin që prenë telat e klonit dhe kush mbeti i vrarë prej tyre nga plumbat e ushtarëve e qenëve të kufirit?

Plani i arratisjes

Pasi përfitoi nga dy amnistitë që u dhanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për një pjesë të burgosurve politikë në vitet 1982 dhe 1986, Ylli Sula u lirua nga burgu pasi kishte vuajtur për më shumë se njëmbëdhjetë vjet dënimin si i burgosur politik. Pas daljes nga burgu ai mundi që të sistemohej në punë në fonderinë e Uzinës së Autotraktorve “Enver Hoxha” në Tiranë, ku zakonisht dërgoheshin për “edukim” personat që konsideroheshin reaksionarë dhe kishin dalë nga burgjet. Lidhur me këtë, e veja e Ylli Sulës, Vjollca, dëshmon: “Koha e lirimit të Yllit nga burgu në vitin 1986, shënon dhe me njohjen e martesën tonë. Që në takimet e para, Ylli më tregonte për jetën e tij të vështirë dhe plot peripecira që kishte kaluar nëpër burgje. Unë i thosha që ta harronte atë kohë, por ai nuk e kishte të lehtë për arsye se atë vazhdonte ta ndiqte dhe ta survejonte Sigurimi i Shtetit edhe pas lirimit nga burgu. Në atë kohë kudo që shkonim ne të dy, e kishim ndonjë njeri të Sigurimit që na ndiqte nga pas në çdo hap që hidhnim. Sapo uleshim në ndonjë stol në lulishtet e Lushnjes ku banoja unë, apo në Tiranë kur vija për të takuar si të fejuar që ishim, ai më thoshte të ktheja kokën prapa dhe më tregonte njeriun që na ndiqte. Ylli nervozohej shumë nga ajo gjë dhe herë-herë fliste me zë të lartë që ta dëgjonin njerzit e Sigurimit, duke sharë mbarë e mbrapsht. Duke mos pasur asnjë lloj sigurie për jetën dhe duke qenë në ankth se mos nga çasti në çast do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit, aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1989, Ylli vendosi që të arratisej nga Shqipëria. Planin për arratisje ai e kishte bërë me një shokun e tij të ngushtë që quhej Kujtim Xhaja, i cili vinte shpesh në shtëpinë tonë dhe bisedonin gjatë me Yllin nën hijen e ullinjve në oborr. Bashke me Yllin e Kujtimin, në grupin që do të arratisej bënin pjesë dhe katër persona të tjerë të cilët ishin: Agim Sula, (vëllai i vogël i Yllit) Bani, nipi i tyre (djali i vëllait të Yllit, Metit) Petro Pishtari, Ilir Serjani (student) dhe një person tjetër nga lagjia  jonë që fatkeqësisht nuk ja mbaj mënd emrin. Nga i gjithë grupi prej shtatë vetash, përveç nipit të Yllit, Banit, të gjithë të tjerët kishin vuajtur nëpër burgjet e regjimit komunist si të dënuar politik. Agimi kishte bërë gjashtë vjet burg dhe punonte në Kombinatin e Mishit, Kujtimi nëntë vjet, Petro kishte bërë burg e internim dhe sapo ishte liruar, ndërsa të tjerët kishin bërë më pak vite burg. Plani i Yllit për t’u arratisur në atë kohë, u bë për arsyen se ne kishim djalin të shtruar në spital dhe Ylli mendonte se Sigurimit të Shtetit nuk do t’i shkonte mëndja se ai do të arratisej në atë kohë që kishte djalin e sëmurë”, kujton Vjollca Sula (Giçi) lidhur me planin e arratisjes të ish-bashkëshortit të saj Ylli Sula dhe gjashtë tiranasve të tjerë që bënin pjesë në grupin e tij, të cilët ashtu si dhe Ylli, kishin vujatur nëpër burgje si të dënuar politik.

Zbulimi i grupit në klon nga kufitarët

Po cili ishte plani i arratisjes së grupit të kryesuar nga Ylli Sula dhe si u realizua ai? Lidhur me këtë, Vjollca Sula dëshmon: “Në atë kohë që Ylli me gjashtë pjestarët e tjerë të grupit vendosën përfundimisht të arratiseshin dhe caktuan edhe datën kur do niseshin në drejtim të kufirit, ata u betuan se për planin e tyre nuk do t’i tregonin as dhe njrezve më të afërt të familjeve. Por Ylli ishte i vetmi që më tregoi mua, duke më dhënë dhe porositë se si duhej të veproja në rast se atyre do t’u dështonte plani i arratisjes. Takimi i fundit dhe nisja për në drejtim të Librazhdit, u bë nga shtëpia jonë në një mëgjez shtatori të vitit 1989. Njoftimi për ditën e nisjes u bë vetëm një natë përpara, në mënyrë që të eleminohej çdo dyshim për secilin nga pjestarët e grupit. Ata u nisën me tren dhe siç më ka treguar Ylli, kur zbritën në Librazhd, u ndanë në dy grupe dhe lanë vëndin e takimit në fshatin Rrajcë që ndodhet vetëm pak km. në lindje të qytetit të Prrenjasit. Ylli me shokët e tij kishin vendosur për t’u arratisur ditën e dielë, për arsye se ushtarët e kufirit ishin më të shkujdesur. Pas takimit në fshatin Rrajcë, ata u nisën në drejtim të kufirit shtetëror që ndodhet më sipër atij fshati, në sektorin e quajtur Skënderbe. Në atë sektor që ndodhet fare afër kufirit, ata mbërritën rreth orës tre e gjysëm të natës. Pasi arritën aty, Ylli nxorri pincat që kishte marrë me vete për të prerë telat e klonit dhe në momentin që i kishin prerë ato, Petro Pishtarit i ngeci mënga e xhaketës në telin e korentit që ishte dhe teli sinjalizues i klonit që jepte sinjalin në postën më të afërt për shkelje kufiri. Menjëherë pas dhënies së sinjalit, u bë alarm dhe nga dy postat kufitare të Rrajcë-Sutaj dhe Rrajcë-Skëndërbe, u nisën rreth gjashtëdhjetë ushtarë të ndarë në dy grupe. Ata kryen rrethimin e plotë të tyre dhe për rreth dy orë pa pushim qëlluan me automatikë pa e ndaluar për asnjë çast zjarrin”, kujton Vjollca Sula lidhur me zbulimin e grupit të kryesuar prej bashkëshortit të saj, aty në telat e klonit në sektorin Skënderbe të fshatit Rrajcë të Librazhdit.

Vrasja e Kujtimit, Ilirjanin e shqyen qeni

Po ç’ngjau më pas me grupin e shtatë tiranasve aty në telat më gjëmba të klonit në kufirin shtetëror, ku ata vetëm disa hapa i ndanin nga bota e lirë që kishin ëndërruar prej vitesh? Lidhur me këtë Vjollca Sula rrëfen gjithë ngjarjen që ia ka treguar ish-bashkëshorti i saj Ylli. “Përreth dy orë që ata ishin nën zjarrin e automatikëve të ushtarëve të kufirit, asnjë prej tyre nuk lëvizi nga vëndi, por të gjithë shtërngoheshin sa më fort pas gurëve e shkëmbinjve. Në një moment aty rreth orës pesë e gjysëm ku po zbardhte dita, Ilirjan Serjani u çua në këmbë për të kaluar klonin, por ai u kap i gjallë nga rojet kufitare. Njëri nga ushtarët e lidhi me tela dhe një tjetër i vuri grykën e nxehtë të automatikut në gojë dhe i tha: “A do të vdesësh nga ky, apo nga qeni i kufirit?”. Ilirjani krejt i tmerruar iu përgjigj: “Nga qeni”. Pas asaj kufitarët i ndërsyen qenin e madh të kufirit i cili iu hodh përsipër dhe pasi e shtriu për tokë, filloi ta shqyente. Në atë kohë, Ylli që ishte disa hapa më larg, mbuloi sytë me duar ngaqë nuk e shikonte dot shokun e tij që klithte nga hungërimat e qenit që e kafshonte pa pushim. Teksa Ylli shikonte Ilirjanin me copra mishi dhe rrobash të përziera, kafshoi fort buzën e tij sa i plasi gjaku. Në atë kohë nga alarmi që ishte dhënë, aty ishte grumbulluar pothuaj i gjithë fshati Rrajcë duke u orientuar nga ulurimat e qenit. Duke parë Ilirjanin nën dhëmbët e qenit, vëllai i Yllit, Agimi, së bashku me Kujtim Xhajën, u ngritën dhe vendosën të dorzoheshin. Por në ato momente në drejtim të tyre u derdhën dy karikatore automatiku dhe Kujtimi mbeti i vrarë në vënd me rreth gjashtëdhjetë plumba në trup e gjaku i rridhte rrëke. Në pak minuta, trupi i vdekur i Kujtimit u bë i verdhë, i bardhë, e më pas ngjyrë mavi. Në atë çast që u vra Kujtimi, Ylli u ngrit në këmbë dhe me një thikë të vogël në dorë u afrua të godiste qenin që nuk e lëshonte Ilirjanin, por në atë moment disa ushtarë iu hodhën përsipër dhe e lidhën me tel me gjëmba duke e goditur me dru ku të mundnin. Pas Yllit u kapën dhe të tjerët, e ashtu të lidhur me tela me gjëmba këmbë e duar, ata i hipën në një makinë ushtarake që kishte ardhur me ushtarë të tjerë për përforcim të kufirit. Pasi i sistemuan të gjithë në karrocerinë e makinës, bashkë me Ilirjanin që nuk kuptohej në ishte i gjallë apo kishte vdekur, kufomën e Kujtim Xhajës, ushtarët e lidhën me tel pas makinës dhe e tërhoqën zvarrë në një pjesë të madhe të rrugës nën vështrimin e fshatravëve. Më pas kufomën e tij e hipën në makinë dhe u vunë tek këmbët e shokëve të tij që ashtu të lidhur i mbanin të shtrirë në karroceri. Më pas ata i çuan në postën e Degës së Brendshme të Librazhdit, ku për më shumë se një muaj ata u torturuan mizorisht. Pas një muaji ata i nxorrën në gjyq dhe i dënuan për “Tradhëti të lartë”, me dënime nga pesë vjet e poshtë”, e përfundon dëshminë e saj rrënqethëse, Vjollca Sula, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në shtatorin e vitit 1989, kur shtatë djem tiranas që kishin vuajtur më parë në burgjet e regjimit komunist, morën rrugën për në drejtim të klonit ku u përgjakën nga plumbat e ushtarëve dhe qentë e kufirit, që ruanin të paprekur parajsën e socializmit të Enver Hoxhës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here