Karikatura vjeneze më 1913: Koncerti europian, pjesëmarrës në “Funeralin e Shqipërisë”! – Nga Armand Plaka

Gjithçka që po ndodhte deri në ato çaste, të paktën nga një pjesë e emancipuar e shtypit të kohës e sidomos atij austriak, konsiderohej si një turp për Fuqitë e Mëdha.

Revista satirike vjeneze “Kikeriki”, në ditët e para të majit u mundua ta thumbonte ashpër politikën dhe diplomacinë europiane, duke e trajtuar atë si shkaktare të asaj që shihej tashmë si “funerali i Shqipërisë”, ku shtytjen po ia jepnin pikërisht ata të cilët do të duhej ta mbronin e t’i zgjidhnin problemet.

Sidoqoftë, në këtë mënyrë, ata vinin në pah më mirë edhe rolin eksplicit të Austro-Hungarisë, e cila nuk lejoi që Shkodra të binte në duar të malazezëve e Shqipëria të copëtohej edhe më tej nga interesat e fqinjëve.

Më 25 prill 1913, princi Danillo i shoqëruar nga shpura e tij, u ngjit  në kështjellën e Rozafës duke valëvitur flamurin malazez. Shkodranët e mposhtur nga gjylet, uria dhe tradhtia, ishin të detyruar të shihnin se si qyteti i tyre tashmë nën thirrjet frenetike të malazezëve, po shpallej madje edhe kryeqytet i Principatës së vogël fqinje, shumë ambicioze e tejet agresive.

Sidoqoftë, malazezët nuk patën shumë kohë që të gëzohen.

Në ditët e para të majit, me anë të një ultimatumi, Vjena kërkoi largimin e të gjitha forcave serbe apo malazeze nga territori shqiptar, i cili tashmë konsiderohej pjesë integrale e një shteti të pavarur. Kështu, Shkodra shpëtoi./Revista Mapo

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here