Janë të shumtë ata patriot që shkrinë pasurinë dhe mundin e tyre për të mirën e çështjes kombëtare, ndërsa sot janë mbuluar nga pluhuri i viteve dhe janë harruar.

I tillë ishte dhe Anastas Avramidhi – Lakçe. Ai lindi në Korçë në vitin 1821 dhe vdiq në vitin 1890. Lakçe njihet si një nga bamirësit dhe patriotët më të mëdhenj që ka patur Shqipëria. Anastas Lakçe emigroi që në rininë e tij drejt Rumanisë. Aty ai nisi të merret me shumë me çështjen kombëtare shqiptare. Me një punë të palodhur, Lakçe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë dhe një nga shtyllat e lëvizjes patriotike në atë vend. Edhe pse larg atdheut të tij, Lakçe nuk reshti së punuari për Korçën dhe Shqipërinë.

Këtë e dëshmojnë donacione e shumta për ndërtime rrugësh e shkollash në Korçë si dhe ndihmonte me të holla familjet e varfëra duke përgatitur pajën për vajzat e tyre, që martoheshin, pavarësisht nëse ishin të krishtera apo myslimane. Ja çfarë thoshte Lasgush Poradeci për kontributin e veçantë të Lakçes:

“Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash, që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita”, simbol i ndritjes, që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht shuma të mira të hollash, 49 anëtarë nga më të flaktit.”

Kjo shoqëri më pas do ta ndryshojë emrin nga “Drita” në “Dituria” dhe do të arrijë të nxjerrë edhe 12 numra të revistave me të njëjtin emër.
Më 1888-ën, Lakce publikoi edhe një libër të vetin në shqip, që u përkthye me pas edhe në gjuhët frënge, greke dhe rumune me titull “Për shqiptarët nga një shqiptar”, ku ai tregonte rëndësinë e edukimit në gjuhën shqipe. Një nga veprat më të mëdha që njihet nga Lakçe është financimi për ndërtimin e katedrales të Shën Gjergjit në Korçë, një kryevepër arkitekturore, nga më të bukurat e madhështoret jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Kisha e vjetër me këtë emër datonte që në Mesjetën e Hershme, me 1253. Më 1875-ë, u prish kisha e vjetër dhe u rrethua vendi për ndërtimin e katedrales së re, mbi rrënojat e saj.

Por ndërtimi i saj u ndërpre. Dikush ishte ankuar në Portën e Lartë në Stamboll se të krishterët e Korçës po ndërtonin një kështjellë.
Kur u ndaluan punimet, Mitropolia e Shenjtë e Korçës, i kërkoi Patriarkanës së Shenjtë të Kostandinopojës, që të ndërmjetësonte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejen dhe për të vazhduar punimet. Këtu ndërhyri sërish Lakçe. Njeriu, të cilin edhe vetë mbreti i Rumanisë e priste menjëherë, edhe në këtë rast ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë. Ajo u detyrua të dërgonte në Korçë një grup arkitektësh specialistë, të cilët raportuan se ajo çka po ndërtohej nuk qe kështjellë, por një kishë. Filantropi dhe patrioti i madh Anastas Lakçe financoi që në fillim punimet me 5000 napolona flori, ndërkohë që shuma të konsiderueshme dhanë edhe shumë qytetarë të tjerë korçarë.
Ndërtimi i Katedrales përfundoi më 1905, vit në të cilin edhe u inaugurua. Mbi portën e brendshme të kishës ishte vendosur edhe një pllakë e madhe, në të cilën ishte shkruar emri i mirëbërësit Lakçe dhe viti i ndërtimit.

Më 1914, te kjo kishe u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, kurse më 1923, Fan Noli, dorëzohet kanonikisht peshkop nga dy mitropolitë të dërguar nga Patriarkana e Kostandinopojës. Kjo mrekulli arkitekturore nuk i shpëtoi inatit të komunizmit pasi u hodh në erë me dinamit, më 1971-ë. Anastas Lakçe nuk u martua kurrë, por tërë pasurinë e vet e shkriu për të tjerët dhe tokën e të parëve.

Në testamentin e tij të fundit donte tua linte pasurinë e tij shoqatave për promovimin e arsimit shqiptar, por testamenti i tij u bllokua nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here