Modelet e antitrupave në gjakun e njerëzve mund të parashikojnë shfaqjen e sëmundjes inflamatore të zorrëve (IBD) një dekadë para diagnozës, tregon një hulumtim i ri.

Sëmundja Crohn dhe koliti ulçerozë, dy format kryesore të IBD-së, zakonisht trajtohen vetëm pasi shfaqen simptomat, kur zorrët kanë pësuar tashmë dëmtime. Megjithatë, shkencëtarët kanë zbuluar se sistemi imunitar dërgon sinjale paralajmëruese deri në një dekadë para diagnozës, duke hapur rrugën për një zbulim potencialisht më të hershëm, madje edhe për parandalim, raporton KosovaPress.

 

“Për një kohë tepër të gjatë, ne kemi qenë në gjendje ta trajtonim sëmundjen inflamatore të zorrëve vetëm pasi dëmi ishte shkaktuar, Ajo që kemi vërtetuar është se sëmundja fillon vite para se të shfaqen simptomat, dhe sistemi imunitar lë shenja paralajmëruese shumë kohë përpara diagnozës”, tha Arno Bourgonje nga Qendra Mjekësore Universitare e Groningenit (Holandë).

“Ky nuk është ende një test që mund t’i tregojë dikujt se do të sëmuret, por është një hap i rëndësishëm drejt zbulimit më të hershëm të sëmundjes dhe, ndoshta një ditë, drejt parandalimit të saj”, shtoi ai.

Të paktën 3.8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me IBD, një gjendje imunitare që shkakton inflamacion kronik të traktit tretës, duke sjellë dhimbje, diarre dhe lodhje.

Shkaku i saktë mbetet i panjohur, por në këtë proces mund të ndikojnë një sistem imunitar që nuk funksionon siç duhet, faktorët gjenetikë, si dhe mikrobet që jetojnë në zorrë.

Trajtimi bazohet në medikamente anti-inflamatore dhe imunosupresive (që ulin aktivitetin e sistemit imunitar), megjithatë, shumë pacientë nuk reagojnë ndaj këtyre trajtimeve, dhe një numër i konsiderueshëm i tyre përfundojnë duke iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për të hequr pjesët e dëmtuara të zorrëve.

Inflamacioni afatgjatë rrit gjithashtu rrezikun për kancer të zorrëve. Kjo i ka shtyrë shkencëtarët të kërkojnë shenjat e hershme të sëmundjes, me shpresën për të identifikuar personat në rrezik përpara se të fillojnë dëmtimet.

Bourgonje dhe kolegët e tij në Mount Sinai dhe në Universitetin Mjekësor të Vjenës kryen analiza në mostra gjaku të marra nga personel ushtarak amerikan.

Ata shqyrtuan 2 000 mostra nga 500 individë, 200 prej tyre më vonë zhvilluan sëmundjen Crohn, ndërsa 200 të tjerë zhvilluan kolitin ulçeroz. 100 personat e mbetur nuk zhvilluan asnjërën nga këto sëmundje.

Mostrat e gjakut u analizuan për të kërkuar antitrupa, të cilët sistemi imunitar mund t’i ketë prodhuar si përgjigje ndaj qindra mijëra fragmenteve proteinike që vijnë nga bakteret, viruset, ushqimi, madje edhe nga vetë indet e trupit.

 

 

Te personat që më vonë zhvilluan sëmundjen Crohn, u vërejt një prani më e lartë e antitrupave kundër virusit Epstein-Barr (i cili shkakton mononukleozën infektive), këto dallime ishin të dukshme që një dekadë para vendosjes së diagnozës. Kjo shenjë ishte më e theksuar tek individët që më vonë zhvilluan forma më të rënda dhe të ndërlikuara të sëmundjes.

Personat që zhvilluan kolitin ulceroz shfaqën një profil të ndryshëm, duke përfshirë antitrupa kundër njërës prej proteinave të vetë trupit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here