Vaji i palmës është një prej produkteve që është përmendur më së shumti kohëve të fundit, pas inspektimeve shtetërore në sektorin e qumështit. Analizat e publikuara të martën kanë theksuar se në shumë raste ka pasur mosdeklarim të pranisë së këtij produkti në produktet e qumështit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të martën ka bërë të ditur se nga 495 mostrat e analizuara, 93 kanë treguar mospërputhje e në gati gjysmën e tyre është përmendur prania e vajit të palmës, pasuar nga prania e vajrave bimorë, niseshtes a qumështit pluhur, shkruan Koha, transmeton Periskopi.
Javë më parë, pas nisjes së inspektimeve profesori i veterinarisë, Behlul Behluli, pati thënë se vaji i palmës nuk duhet të jetë në ushqimet bazë. Sipas tij, kjo mund të lejohet në produktet e luksit, por se ato bazike nuk guxojnë të kontaminohen me këtë produkt. Sipas tij, vaji i palmës nuk është helm, por se shteti duhet të ketë kontroll mbi përdorimin e tij.
“Për mua qumështi është mrekulli. Përbëhet nga 300 përbërës, mikro dhe makro. E di edhe opinioni se është produkt nga i cili rritet i vogli i kafshëve në botën animale dhe në botën humane, fëmija. Është produkt komplet. Është mrekulli sepse deri në një moshë të caktuar fëmijët s’kanë nevojë për asgjë tjetër pos qumështit. Kjo tregon kualitetin. Çdo ndërhyrje e dorës së njeriut nuk mund ta përmirësojë këtë mrekulli, pos ta dëmtojë”, pati thënë ai. “Qumështi, djathit, gjiza, jogurti – nuk guxojnë të kontaminohen me këtë produkt”.
Behluli pati deklaruar thënë se shteti duhet të veprojë e të marrë masa të rrepta ndaj produkteve të huaja që kanë vaj palme duke i tatuar më ashpër apo edhe ndaj produkteve që në Kosovë vijnë me çmim më të lirë se që shiten në shtetet përkatëse.
Por çka është vaji i palmës?
Vaji i palmës është një nga vajrat bimorë më të përdorur në botë. Ai nxirret nga fruti i palmës “Elaeis guineensis”, i cili ka ngjyrë portokalli për shkak të përmbajtjes së lartë të beta-karotenit, thuhet në raportin e “European Palm Oil Alliance”.
Ky është një vaj natyral bimor që përmban yndyra të ngopura dhe të pangopura. Një nga arsyet pse industria filloi ta përdorte më shumë ishte zëvendësimi i yndyrave të hidrogjenizuara, të cilat përmbanin yndyra trans.
Yndyrat trans janë yndyra të krijuara kryesisht gjatë përpunimit industrial dhe lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës. Ndryshe nga ato, vaji i palmës përmban shumë pak yndyra trans (më pak se 1 për qind).
Ku përdoret vaji i palmës?
Vaji i palmës gjendet në rreth 50 për qind të produkteve të ambalazhuara si çokollata dhe biskota, margarina, brumëra dhe produkte furre, sapunë, shampone, kozmetikë, produkte për kujdesin personal dhe disa biokarburante, ka shkruar Wildelife and Welfare.
Përdoret shumë sepse është ekonomik, i qëndrueshëm dhe ndihmon në përmirësimin e strukturës së produkteve.
Ai përballon temperatura të larta gjatë gatimit, ruan freskinë dhe strukturën e ushqimeve, nuk ka aromë të fortë, jep teksturë kremoze në produkte si çokollata, kremrat dhe margarina.
Pse është kaq i përhapur?
Vaji i palmës është një nga kulturat më efikase, sepse prodhon më shumë vaj për hektar sesa soja, kokosi apo luledielli.
Edhe pse përdor vetëm rreth 6 për qind të tokës së përdorur për prodhimin e vajrave bimorë, ajo siguron rreth 40 për qind të kërkesës globale për vajra bimorë.
Konsumi botëror është rritur shumë: nga 14.6 milionë tonë në vitin 1995, në 70.5 milionë tonë në vitin 2018, duke e bërë vajin bimor më të konsumuar në botë.
Konsumatorët më të mëdhenj janë India, Kina, Indonezia dhe Bashkimi Evropian.
Ai përdoret edhe për shkak se ndikon në qëndrueshmërinë ndaj oksidimit dhe duke shërbyer si mbrojtje ndaj prishjes.
Vaji i palmës dhe shëndeti
Nga pikëpamja ushqimore, nuk ka prova që tregojnë se vaji i palmës, kur konsumohet në një dietë të ekuilibruar, shkakton probleme të veçanta shëndetësore.
Sipas ekspertëve, ndikimi i ushqimit në shëndet duhet të vlerësohet në tërësinë e dietës, jo duke u fokusuar vetëm te një produkt i vetëm.
Vaji i palmës ka nivel mesatar të yndyrave të ngopura krahasuar me disa yndyra të tjera, si vaji i kokosit apo gjalpi
Megjithatë, si çdo yndyrë tjetër, duhet konsumuar me masë.
Roli i yndyrave në dietë
Yndyrat janë të nevojshme për trupin sepse japin energji, ndihmojnë ndërtimin e qelizave dhe ndihmojnë përthithjen e vitaminave A, D, E dhe K.
Sipas rekomandimeve të ekspertëve, rreth 20-35 për qind e energjisë ditore duhet të vijë nga yndyrat.
Yndyrat e ngopura duhet të kufizohen, ndërsa është më mirë të zëvendësohen me yndyra të pangopura, si ato që gjenden te peshku, arrat dhe disa vajra bimorë.
Cili është problemi me vajin e palmës?
Problemi kryesor nuk lidhet me vetë vajin, por me mënyrën si prodhohet.
Zgjerimi i plantacioneve të palmës ka shkaktuar shpyllëzim në zona tropikale, sidomos në Azinë Juglindore, humbje të habitatit të kafshëve të rrezikuara si orangutani, elefanti pigme dhe rinoçeronti i Sumatrës, rritje të emetimeve të gazrave serrë si dhe ndotje nga pesticidet dhe plehrat kimike.
Ka pasur gjithashtu shqetësime për të drejtat e punëtorëve dhe komuniteteve lokale.
A duhet ta bojkotojmë vajin e palmës?
Sipas shumë ekspertëve, jo domosdoshmërisht.
Zëvendësimi i vajit të palmës me vajra të tjerë, si soja, kokosi apo luledielli, do të kërkonte 4 deri në 10 herë më shumë tokë, duke krijuar probleme të tjera për mjedisin.
Zgjidhja është prodhimi i qëndrueshëm, jo eliminimi i plotë i tij.
Organizata RSPO (Roundtable on Sustainable Palm Oil) vendos standarde për prodhimin e vajit të palmës që synojnë mbrojtjen e pyjeve, respektimin e të drejtave të njerëzve dhe reduktimin e dëmeve mjedisore.
Sipas ekspertëve, nëse njeriu arrin të prodhojë dhe përdor vaj palme në mënyrë të përgjegjshme, ky produkt mund të ndihmojë në përmbushjen e kërkesës globale për vajra dhe yndyra, duke mbrojtur njëkohësisht natyrën dhe komunitetet.


