Pushimet verore dhe plazhi konsiderohen të dobishme për shumë njerëz, por për personat me sëmundje reumatizmale kërkohet kujdes.
Reumatologia Nerënxa Ajasllari tregon se cilët pacientë përfitojnë më shumë nga plazhi dhe deti.
“Plazhi është i rekomandueshëm për disa grupe sëmundjesh reumatizmale. Sidomos noti dhe ushtrimet në ujë janë të rekomandueshme për të ulur ngarkesën mbi kyçet, për të rritur lëvizshmërinë dhe për të ulur ngurtësimin, sidomos në pjesën e gjunjëve. Pacientët që vuajnë nga artroza, spondiloartropatitë dhe artriti reumatoid mund të përfitojnë, nëse sëmundja e tyre është e stabilizuar me mjekim”, tha mjekja.
Megjithatë, jo në çdo rast ekspozimi në diell është i këshillueshëm, duhet të respektohen disa masa të thjeshta gjatë pushimeve.
“Sëmundjet autoimune si lupusi eritematoz sistemik, dermatomioziti apo vaskulitet. Këto sëmundje, kur ekspozohen në diell, jo vetëm që japin skuqje të lëkurës, por mund të shpërthejnë edhe aktivitetin e sëmundjes. Duhet të shmangin ekspozimin në diell në pikun e temperaturave të larta. Duhet të lyhen me krem me SPF 50, të vendosin kapele dhe të marrin masa mbrojtëse. Duhet të hidratohen, ndërsa aktivitetin fizik nuk duhet ta kryejnë në temperatura të larta. Sidomos duhet të kenë parasysh se, nëse shfaqet një skuqje në lëkurë, enjtje e kyçeve apo dhimbje, duhet të paraqiten menjëherë te mjeku reumatolog”, apelon ajo.
Respektimi i këshillave të mjekut, ekspozimi i kujdesshëm në diell dhe ruajtja e një stili të shëndetshëm gjatë verës mund t’i ndihmojnë pacientët me sëmundje reumatizmale të kalojnë pushime më të sigurta dhe me më pak shqetësime.


