Përballë temperaturave rekord që kanë përfshirë Francën, shumë qytetarë po përdorin një metodë të thjeshtë dhe të lirë për të freskuar shtëpitë: lyerjen e dritareve me Blanc de Meudon, një pluhur shkumësi i bardhë që përzihet me ujë.
Shtresa e bardhë që krijohet mbi xham reflekton rrezet e diellit dhe nxehtësinë, duke lejuar njëkohësisht hyrjen e një pjese të dritës. Sipas studiuesve, karbonati i kalciumit, përbërësi kryesor i shkumësit, ka veti të larta reflektuese dhe përdoret edhe në bojërat moderne freskuese.
Kërkesa për këtë produkt është rritur ndjeshëm në Francë, ndërsa disa shkolla dhe familje e kanë përdorur tashmë si një alternativë ekologjike dhe me kosto të ulët ndaj kondicionerëve. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk është një zgjidhje mrekullibërëse dhe se izolimi i mirë i ndërtesave mbetet thelbësor për përballimin e valëve të të nxehtit.


