SHQIPËRIA KUFIZOHET ME GREQINË NGA LUMI ARTA; NË VERI NGA BOSNJA. SHQIPTARËT JANË ILIRËT DHE EPIROTËT E LASHTË. JANË NJË RACË LUFTARAKE. TOKA ËSHTË SHUMË PJELLORE, POR ATA RENDIN PAS ARMËVE..

Shqipëria formon pjesën jugperëndimore të zotërimeve të sapombetura të Turqisë Evropiane dhe shtrihet përgjatë bregut perëndimor të Gadishullit Ballkanik, nga lumi Bunë deri në Gjirin e Artës. Në veri ajo kufizohet, që prej viteve 1878–80, me territorin e sapofituar malazez, i cili përfshin dhe Ulqini, dhe me Bosnjën; në jug ajo kufizohet, nga Greqia, që prej vitit 1881, prej lumit Arta. Kufiri lindor përcaktohet në mënyrë të paqartë nga një vargmal, i cili në veri arrin një lartësi maksimale prej 7990 këmbësh [≈2435 m]. Në perëndim të këtij vargu shtrihen vargmale paralelë, që në njërën anë përfshijnë lugina të gjata e të ngritura dhe në anën tjetër zbresin në tarraca drejt brezave të sheshtë përgjatë bregdetit, të cilat përbëhen kryesisht nga këneta dhe laguna të pashëndetshme. Pindi, në jug (maja e tij më e lartë, 7071 këmbë [≈2155 m], tashmë i përket Greqisë), është gjithashtu i rrethuar nga basene ose lugina të izoluara, skajet perëndimore të të cilave kalojnë në malësitë e ashpra dhe të mbushura dendësisht me pyje, të Epirit. Këto malësi shtrihen deri në det, duke formuar brigje të thepisura shkëmbore. Një kep, – ai i Akrokerauneve, që shtyhet deri në Kepin Lingueta, shumë thellë në det, – arrin një lartësi prej 6642 këmbësh [≈2024 m].

Një klimë e mirë, nxehtësia e së cilës zbutet nga malet e larta dhe nga afërsia me detin, si edhe një tokë pjellore, duket se i fton banorët drejt bujqësisë; por kryesisht, më kot. Në veri kultivohet pakgjë, përveç misrit, e pak oriz dhe elb në lugina; ndërsa tarracat malore përdoren si kullota për kope të shumta gjedhësh dhe dhensh. Në jug ka më shumë larmi. Këtu shpatet e luginave të ulëta janë të mbuluara me ullinj, pemë frutore dhe mana, të përziera me parcela hardhish dhe misri, ndërsa kreshtat e dendura pyjore të maleve ofrojnë furnizime të vlefshme me dru. Pllaja e Janinës jep me bollëk drith; dhe në lugina, bashkë me misrin, kultivohen edhe orizi e gruri. Në luginat që zgjerohen drejt jugut prodhohen frutat më të mira.

Madje, edhe pambuku dhe bima indigofera [këna indigo] mund të kultivoheshin me fitim në luginat e lagështa, por në gjendjen e tij të tanishme të mjerueshme, ky vendi mezi mund të mbajë popullsinë e tij të pakët.

Shqipëria e Epërme ose Veriore formon pjesë të Ilirisë së romakëve; Shqipëria e Poshtme ose Jugore përkon me Epirin e lashtë. Banorët formojnë një popull të veçantë, shqiptarët, të quajtur nga turqit Arnautë dhe nga vetë ata Shkipetarë. Sipas Lord Strangfordit, “pjesa vërtet shqiptare e gjuhës së tyre, pas heqjes së elementeve të huaja, është qartësisht indoevropiane dhe lidhet më ngushtë me greqishten sesa me çdo gjuhë tjetër indoevropiane që ekziston ose që është e njohur.

… Hamendësimi im është se, gjuha në përhapjen e saj të sotme është mjaft moderne, krahasuar me atë të kohëve të Perandorisë Romake; se, në kohën e përmendjes së parë të emrit, Albanopolit të Ptolemeut, ajo ishte e kufizuar në një hapësirë relativisht të vogël, në Pindin Qendror, ndoshta një nga shumë dialektet e tjera, qoftë epirote apo ilire …
Kjo është punë e vakët, krahasuar me Hahnin dhe ata që e konsiderojnë Akilin dhe Deukalionin folës së shqipes së sotme” (Letters on Philological Subjects, 1878).

Shqiptarët janë malësorë gjysmë të qytetëruar, të sinqertë ndaj mikut, hakmarrës ndaj armikut. Janë vazhdimisht të armatosur dhe janë më të dhënë pas grabitjes sesa pas rritjes së bagëtive dhe bujqësisë. Jetojnë në një anarki të përhershme, – çdo fshat duke qenë në luftë me fqinjin e tij dhe madje edhe lagjet e të njëjtit qytet duke u përplasur në armiqësi të ndërsjella. Shumë prej tyre shërbejnë si mercenarë në vende të tjera dhe ata përfaqësojnë ushtarakët më të shkëlqyer të ushtrisë osmane. Njëherë e një kohë shqiptarët ishin të gjithë të krishterë; por pas vdekjes së prijësit të tyre të fundit, heroit Skënderbe (siç u pa), në vitin 1467, dhe nënshtrimit të tyre nga turqit, një pjesë e madhe u bënë myslimanë, të cilët u dalluan për mizori dhe tradhti ndaj fiseve që mbetën besnikë ndaj fesë së tyre të vjetër. Shqiptarët nga shumica e shkrimtarëve ndahen sipas fiseve, në gegë, toskë, labë etj.; por, për të cituar sërish Lord Strangfordin, ndarja e vërtetë dhe e kuptueshme është ajo sipas përkatësisë fetare. Rajoni tipik i myslimanëve është në qendër; ai i katolikëve është në krahinën veriore; dhe ai i shqiptarëve ortodoksë, që përkon afërsisht me Epirin, është në jug, me Janinën si kryeqytet. Në përgjithësi, të krishterët e veriut janë katolikë, të lidhur me përkushtim ndaj kishës së tyre dhe armiq të hidhur të malazezëve ortodoksë. Nga 1 400 000 shqiptarët e Perandorisë Osmane vlerësohet se 1 000 000 janë myslimanë, 280 000 anëtarë të kishës ortodokse dhe 120 000 katolikë. Ka gjithashtu rreth 250 000 shqiptarë në Greqi dhe 100 000 në Itali (kryesisht në Sicili), ku ata emigruan drejt fundit të shekullit XV. Me traktatin e lidhur atëherë, në vitin 1478, midis osmanëve dhe venedikasve, Shqipëria u bë një provincë osmane, e cila pothuaj fitoi pavarësinë nën Ali Pashën (siç pamë), por që gjatë kryengritjes së Greqisë (1821–1828) u kthye, të paktën nominalisht, në bindje ndaj Portës. Që atëherë kanë shpërthyer dhjetë kryengritje: e fundit në vitin 1883.

— Shih: Hahn, “Albanesische Studien” (1854), dhe “Reise im Jahr 1863” (1870); Herguard, “Haute Albanie” (1858); Knight, “Travel in Albania” (1880); Trübner, “Grammaire Albanaise” (1887); dhe vepra të tjera të përmendura në bibliografinë e plotë të “Albanische Studien” të Meyerit (1883).
FB: Thënie për shqiptarët
___________
Titulli: Chamber’s Encyclopœdia. A Dictionary of Universal Knowledge, Vol.1
Botuesi: W. R. Chambers, limited, London & Edinburgh, 1888

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here