Arben N. Bushgjoka
Kjo nuk është legjendë, por historia e vërtetë e Lulash Gjeloshit, Bajraktarit të Shoshit, një burrë që e sfidoi vdekjen dhe diktaturën edhe kur trupi po e lëshonte, por shpirti jo.
Ishte viti i errët 1946. Reja e kuqe kishte mbuluar Dukagjinin dhe “Forcat e Ndjekjes” kishin marrë urdhër të prerë: Të kapet i gjallë ose i vdekur Lulash Gjeloshi!
Komunistët ia behën te kulla e tij. Nuk ishte thjesht një shtëpi, ishte një kështjellë nderi. Në oborr u doli Deli Marashi, kushëriri i tij besnik. Oficerët kërkuan Bajraktarin.
“Bajraktari asht smutë, dergjet në shtrat,” u tha Delia me qetësinë e një mali që pret stuhinë. “Nuk mund ta merrni.”
Por ata nuk donin të dëgjonin. Tensioni ishte i madh, jeta në fije flokut. Në atë moment, kur dukej se gjithçka po merrte fund, historia shkruhet nga guximi i çmendur. Bekë Delia, nipi i shtëpisë, nuk priti që xhelatët të hynin brenda. Pushka krisi dhe tre nga ata që kishin ardhur për të përdhosur kullën, ranë përtokë të pajetë.
Në mes të plumbave dhe kaosit, ndodhi akti epik. Lulash Gjeloshi, ndonëse i moshuar dhe i sëmurë rëndë, nuk pranoi të dorëzohej si rob. E hipën në kalë – atë burrë që dikur dridhte dhenë – dhe ai mori malin. I sëmurë, në borë, por i LIRË.
Për dy vite me radhë, Bajraktari i Shoshit jetoi shpellave e maleve të Dukagjinit, duke u kthyer në një hije të pakapshme për regjimin, ndërkohë që djali i tij, Gjeloshi, ishte pushkatuar mizorisht me grupin e klerikëve katolikë në Shkodër.
Lulash Gjeloshi u kap vetëm kur nuk kishte më fuqi të ecte. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) dhe vdiq në burgun e Shkodrës, por amanetin e mbajti: Ai nuk u thye kurrë para atyre që donin t’i merrnin nderin.
Një histori që na kujton se liria nuk është çështje muskujsh, por çështje shpirti!

