Azem Kovaçi

Një manipulim dhe stereotipizim i tillë nuk i bën nder askujt. Osmanët, larg të qenurit okupator, ishin liberatorë dhe protektorë të etnisë së shpërndarë e gjysmë të asimiluar arbërore. Nga robër të Serbisë, Bizantit, Venedikut, Napolit dhe Bullgarisë, u bëmë sundimtarë të Mesdheut, të Ballkanit, Anadollit, Irakut, Arabisë, Egjiptit, Palestinës, Libanit, Algjerisë, Hungarisë, Vllahisë dhe ishim gati ta merrnim edhe Vjenën (Qyprilinjtë) e Romën! Duke mos harruar shqiptarin Hajredin Pasha Barbarosa i cili u bë mbreti i Mesdheut.

Për më tej..

Dinastia e kryevezirëve Qyprilinjtë shqiptarë.. mos të akuzohen padrejtësisht sikur ishin antishqiptar apo nuk bënë asgjë për vendin e tyre.

Në fakt Qyprilinjtë i kanë bërë nderin më të madh kombit tonë… duke shporrur nga trevat shqiptare kryqëzatën më të përgjakshme të shek. 17.

Kjo kryqëzatë, e organizuar direkt pas disfatës osmane në rrethimin e Vjenës në 1689 nën orkestrimin dhe përkrahjen e kryqëzorit/priftit Pjetër Bogdani dhe gjeneralit italian Pikolomini… kulminoi me vrasjen barbare të të mijëra shqiptarëve vetëm pse ishin bërë myslimanë dhe me djegien brutale të qytetit më të zhvilluar shqiptar… atij të Shkupit.

Në fakt..

Epoka e dinastisë së Qyprilinajve duhet parë në kontekstin e kohës. Bëhet fjalë për shekujt 17 dhe 18 ku nocioni “komb” nuk ekzistonte. Pra askush nuk luftonte për komb.

Shteti Osman ishte i përbërë nga shumë kombësi dhe milete të feve të ndryshme ku Islami padyshim ishte më i madhi.

Në ato kohë Qypriliu dhe të gjithë ndiheshin osmanlinj, dhe luftonin për devlet. Bëhet fjalë për një nga perandoritë më të mëdha në histori.

Po bëj një paralele.

Imagjinoni një gjeneral romak, pavarësisht origjinës (spanjoll, ilir ose romak), luftonte në emër të Romës kudo që kërkohej (në Iliri, ose Spanjë apo Afrikë të Veriut etj.). Në këtë kontekst dhe mentalitet të kohës dhe strukturës së perandorisë… jetuan dhe qeverisën jo vetëm Qyprilinjtë por të gjithë vezirët e mëdhenj shqiptarë (mbi 36) dhe jo shqiptarë përgjatë perandorisë osmane.

Tezave, “na sunduan” dhe “na pushtuan”, u duhet hedhur më shumë dritëhije sepse nuk janë të drejta për vetë historinë… ku, unë besoj fort se përgjatë atyre 500 vjetëve të përbashkëta me Osmanlinjtë, ne bashkëqeverisëm/bashkësunduam devletin osman.

Do të shtoja si shembull më të mëvonshëm kontributin në Çanakala në 1915/16. Aty kanë marrë pjesë jo vetëm shqiptarë por edhe boshnjakë, arabë, bile edhe nga Azia e largët e Bangladeshit. Pra nuk është kjo e vetmja arsye pse Turqia moderne përkrah shqiptarët sot në kohët moderne!

Bëhet fjalë për të gjithë kontributin e tyre gjatë gjithë historisë së Perandorisë Osmane duke përfunduar me krijimin e himnit kombëtar dhe alfabetit modern turk (të cilat u formuluan nga shqiptarë).

Pra, mos të kemi as komplekse inferioriteti dhe as frikë të themi se jemi të lidhur historikisht, shpirtërisht me Osmanliun dhe tani me Turqinë moderne (ku mbi 7 milionë SHQIPTARË jetojnë atje sot).

Ata që po mundohen të përçajnë/distancojnë një lidhje të tillë, në fakt në thelb janë antimuslimanë të mirëfilltë dhe urrejnë myslimanët shqiptarë vetëm e vetëm pse janë myslimanë. Pra këta janë de fakto antishqiptarë/antikombëtarë.

Duhet të sensibilizohemi si komb. Duke çliruar historiografinë shqiptare nga qarqe dhe agjenda të caktuara… të cilat vazhdojnë të helmojnë gjeneratat e reja shqiptare në librat shkollorë dhe jo vetëm.

Foto: Shikoni hartën e mesjetës sjellur nga profesori i Cambridge University Noel Malcolm… shikoni trevat shqiptare të dominuara deri në Prevezë të Çamërisë nga mbretëria serbe Nemanjide për mbi 200 vjet, pas asaj bullgare që pati zgjatur po ashtu 200 vjet të tjera.

Azem Kovaçi

   

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here