Takimi me Isa Boletinin
Mitrovicë: E martë, 27 gusht 1912
Derisa Herberti po pinte kafe me kajmekamin, në zyre hyri telegrafisti me lajme të reja.
“Kanë ndodhur vrasje të rënda sot në Pejë”, tha telegrafisti dhe vazhdoi të raportonte për detajet para kajmekamit. Priteshin më shumë vrasje, por jo para Bajramit, se deri atëherë shqiptarët i kishin dhënë besë pushtetit otoman.
Situata po komplikohej në Pejë, i cili qytet iu kujtua Herbertit pasi që e kishte vizituar para disa viteve. Guvernatori otoman atëherë pati shtruar zijafet për Herbertin. Aty ishte edhe Sejfedin Beu, një shqiptar i rëndësishëm i qytetit, por i ri nga mosha. Kjo ishte arsyeja që Herberti e kishte pyetur nëse ai kishte pa luftë ndonjë herë.
“Natyrisht që kam pa luftë. Njëzet e katër vjeç jam unë”, ishte përgjigjur Sejfedin Beu me shpejtësi, krenari dhe me pak hidhërim. Pastaj Herberti e pyeti beun shqiptar se kur ishte hera fundit që ai kishte qenë i përfshirë në luftë? Sejfedin Beu ishte përgjigjur: “Kur e përzumë ekselencën e tij nga Peja” dhe bëri me dorë nga guvernatori.
Në ato qaste guvernatori turk, të cilit nuk i kishte pëlqyer aspak ajo që kishte thënë Sejfedin Beu, kishte ndërhyrë me hidhërim duke thënë: “Mungesa e mirësjelljes nuk është e nevojshme”.
Megjithatë, Sejfedin Beu tashti nuk i kishte punët mirë, pasi që ai nuk e kishte organizuar Pejën dhe nuk kishte marrë pjesë në kryengritjen e fundit, edhe pse populli i kishte thyer magazinat dhe i kishte rrëmbyer armët. Prijësit shqiptarë, përfshirë edhe Isa Bej Boletinin, nuk e shihnin me sy të mirë këtë gjest të Sejfedin Beut. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ai tashti, gjatë ditëve të gushtit, ose për shkak të patriotizmit ose për shkak që dëshironte t’i rregullonte punët me prijësit e kryengritjes, kishte shkuar me njerëzit e tij për të luftuar në kufi me Malin e Zi.
Në vapën e pasdites Herberti u takua me konsullin rus dhe atë austro-hungarez të cilët u sollën mirë me vizitorin anglez, por jo me njëri-tjetrin. Pasdite shkoi te punëtoria e Nexhip Bej Dragës. Vëllezërit Draga e njoftuan me situatën aktuale dhe kërkesat e reja që kishin parashtruar shqiptarët para Portës.
Herberti në darkë ishte te austriakët. Në mes të darkës i erdhi një porosi misterioze. Kasneci i tha në vesh se Isa Bej Boletini po e priste në një vend të caktuar. Ky ishte momenti për të cilin Aubrey Herberti kishte pritur me vite. Isa dhe Herberti kishin komunikuar disa herë me letra e telegrame, por nuk ishin takuar asnjëherë.
Duke e lënë darkën në gjysmë, Herberti shkoi te vendi i takimit që ishte një han jashtë qytetit ku po e priste Isa Beu. Momentin e takimit Herbert e përshkruan me sa vijon:
“Isa Boletini ishte i rrethuar nga disa malësorë shqiptarë të egër dhe të mbështjell me armë. Pamja e tyre ishte e bukur nën hijen e hënës. Prisja në oborr. Një apo dy prej tyre erdhën të bisedonin me mua. Pastaj hyra në një dhomë mesatare ku ishte Isa Boletini, një shqiptar shumë i gjatë, i ndërtuar mirë me sy gjallërues me fytyrë të bukur e të ashpër dhe i veshur në rroba gege. Njëri nga djemtë e tij, më i madhi nga nëntë të tjerët, një djalosh shumë i bukur, qëndroi në dhomë për të përkthyer në italisht, por kjo gjë u dëshmua e panevojshme. Të tjerët i nxori jashtë, përveç njërit, kurse ne u ulëm në një divan të ulët te dritarja”.
Biseda filloi me paraqitjen e qëndrimeve politike që kishin shqiptarët. Isa Boletini nuk i përkrahte xhonturqit. Për momentin, duke u bazuar në rrethanat ekzistuese, ai ende e dëshironte një Shqipëri nën Sulltanin, por të mbrojtur nga vetë shqiptarët për të cilën gjë kërkonte armatim nga Porta. Si strateg ushtarak që ishte, e kishte të qartë se serbët së bashku me malazezët do të depërtonin në trojet shqiptare nëse mungonte armatimi, organizimi dhe përkrahja e nga Porta.
Me kërkesë të Isa Beut, Herberti e shpjegoi arsyen që Londra ende ishte në favor të ruajtjes së tërësisë territoriale të Perandorisë Otomane. Ai tha se anglezët më me dëshirë do ta shihnin Portën duke e sunduar Ballkanin se sa Austro-Hungarinë apo ndonjë fuqi tjetër. Me fjalë tjera, Londra nuk e dëshironte shkatërrimin e Perandorisë Otomane, pasi që një gjë e tillë shkaktonte çrregullimin e tregut së bashku me gjeostrategjinë britanike.
Në këto momente u dëgjuan krisma të pushkëve nga jashtë. Pasi që ato nuk kishin të ndalur, Isa Beu, me një qetësi të ftoftë e tërhoqi perden për të shikuar se ç’ishte duke ndodhur jashtë nën dritën e hënës. Me një shpejtësi të hatashme ushtarët e tij i kapën armët dhe dolën në oborr. Fillimisht u krijua përshtypja se shtëpia ishte rrethuar nga ushtria otomane dhe Isa Beu u bë gati të qante rrethimin.
“Po vij me ty dhe nëse turqit na kapin nuk do të mund të të vrasin nëse unë jam me ty”.
Isa nuk vonoi dhe ia ktheu: “Jo, ti je mysafiri im. Nderi im nuk e lejon këtë gjë”.
Në këto momente Aubrey Herberti e kuptoi gabimin që bëri me propozimin. Isa Beu, duke qenë i obliguar nga normat e ligjeve tradicionale shqiptare, duhej ofruar mbrojtje mysafirit e jo anasjelltas. Propozimi i Herbertit nuk mund të zbatohej pasi që vendi ku ndodheshin kërkonte zbatim të normave të veçanta juridike që përmbante kanuni vendas. Duke i ndërruar këto fjalë u ndalën krismat e pushkëve. Pa ndonjë vonesë, njerëzit e Isa Beut vërtetuan se krismat ishin shkak i një zënke të disa ushtarëve otomanë që ishin të stacionuar aty afër.
Biseda vazhdoi deri natën vonë. Të dy palët u pajtuan se për shqiptarët po vinin ditë shumë të vështira. Me kërkesë të Isa Beut, Herberti u zotua se nga Parlamenti dhe Qeveria britanike do të kërkonte mbrojtje për shqiptarët.
Marrë nga Armend Baloku në FB /Trungu & InforCulture


