Marrë nga Majlinda Nikçi

ARNAUT OSMANI DHE HUSO RADOICA (legjendë kreshnike)

Ishin mbledhur tridhjetë kapidana, të cilët folën gjatë për Huso Radoicën. E pyetën: “Huso, pse nuk do të martohesh? A do të t’i paguajmë paratë për të marrë nusen? A do të t’a bëjmë dasmën?” Husi, me vendosmëri, u përgjigj se nuk donte as para e as dasmë, sepse besën e zotit e kishte dhënë: ai vendosi se nuk do të merrte nuse tjetër veçse nusen e Arnaut Osmanit në Udbinë dhe do të bëjë vetë martesën.

Shokët e tij qeshën dhe i thanë se i kishte vu një borxh të madh vetes, sepse nuk mund të martohej me askënd nga Udbina, por tani që kishte vendosur të merrte nusen e Arnaut Osmanit, nuk do të kishte kthim pas. Pavarësisht nga rreziku dhe beteja që e prisnin, Husi ishte i vendosur: kur mbërriti pranvera, Husi doli nga ahëri dhe hipi mbi gjog, e udhëhoqi përmes gjelbërimit dhe livadheve, dhe e lëshoi disa ditë në kullotë gjersa të forcohej. Pastaj e zuri, hipi mbi të dhe mori rrugën për Udbinë. Aty, në çesmen e fshatit, gjeti tridhjetë vajza. Ai i përshëndeti dhe ato e udhëzuan për shtëpinë ku ndodhej kulla e Arnaut Osmanit. Husi nuk njihte nusen e Arnaut Osmanit, por vajzat i treguan se cila ishte: ajo më e bukura dhe më e gjata, e cila nuk i ngriste sytë për të parë dikë tjetër.

Husi, i kërkoi ujë për të pirë dhe kur ajo i ofroi gotën me ujë, ai duke kapur nusen për duar, e hipi mbi gjog dhe u nis për në bjeshkë. Arnaut Osmani, kur e pa këtë, u zemërua, por Husi i kishte dërguar letër të hollë ku e shpjegonte situatën: besën e zotit ai e kishte dhënë se deri në mejdanin e ardhshëm nusen e rrëmbyer do ta konsideronte në vend të motrës. Letra u dërgua me shpejtësi dhe Arnaut Osmani e kuptoi vendosmërinë e Husit.

Arnauti, të dielën që erdhi sipas fjalëve që kishin, i zemëruar, shkoi me gjogun e tij deri në Bjeshkën e Naltë. Aty u ndeshën në një duel të ashpër. Luftuan për tri orë, gjaku u derdh, dhe të dy u lodhën. Husi thirri: “Më jep ujë të lahem, se sytë më janë mbushur me gjak!” Arnauti pranoi, dhe pas pushimit, filluan përsëri të luftonin. Por Husi e ndaloi: “Më thuaj, a ke lënë robër në shtëpi? Kush është fisi yt?” Arnauti rrëfeu: “Jam nga Zaharja. Kur Muji pushtoi qytetin tonë, djegu gjithçka, më mori të vogël dhe më rriti, më dha pasuri dhe më martoi me këtë nuse.”

Husi qau dhe bërtiti: “Jam vëllai yt i humbur! Edhe unë jam nga Zaharja, më mori krajli i shkijeve për borxhe!”

Dy vëllezërit u përqafuan, dhe Husi e pranoi nusen si kunatë. Pastaj shkuan së bashku në Zaharje për ta gjetur nënën e tyre të moshuar. Kur e panë të varfër dhe të vetmuar, i thanë: “Ne jemi djemtë e tu!”

Plaka, nga gëzimi, ra pa jetë. Vëllezërit e varrosën pranë kishës dhe u kthyen në Udbinë, ku Arnaut Osmani i gjeti Husit një vajzë të re për nuse nga Udbina, dhe bënë një dasmë të madhe për njëzet e një ditë, duke festuar ribashkimin e tyre.

Dhe kështu, përmes guximit dhe besës, përfundoi legjenda e Huso Radoicës dhe Arnaut Osmanit.

Foto: Arnauti dhe Husi me nënën

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here