Disa shkencëtarë thonë se një dietë e varfër me kripë është po aq e rrezikshme sa konsumimi i lartë i saj. Por cila është e vërteta?
Pavarësisht këshillave, thuajse çdo vend i botës konsumon dyfishin e sasisë së rekomanduar të kripës. Një kundërargument po hedh dyshime mbi dekada kërkimesh dhe po hedh dritë mbi pyetjet pa përgjigje, shkruan BBC.
Sodiumi, elementi kryesor i kripës, është thelbësor që organizmi ynë të ruajë ekuilibrin e lëngjeve, të transportojë oksigjenin dhe lëndët ushqyese dhe i lejon nervat tona të pulsojnë me elektricitet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon kufizimin e sodiumit në më pak se 2 gramë në ditë ose rreth 5 gramë kripë klorur sodiumi. Në një studim të vitit 2022, konsumimi i moderuar i sodiumit (3-6 gramë në ditë) ishte më i miri për të pakësuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, krahasuar me ekstremet.
Ndërkohë sipas OBSH, mesatarja ditore e konsumit të kripës është 10,8 gramë në ditë.
Por vetëm çereku i sasisë ditore vjen nga ajo që ne i hedhim ushqimit pasi pjesa tjetër fshihet te ushqimet që blejmë, salcat, supat dhe disa drithëra. Në shumë etiketa ushqimore, prodhuesit i referohen më shumë sasisë së sodiumit sesa kripës duke na bërë të mendojmë se po konsumojmë më pak. Kripa përbëhet nga jonet e sodiumit dhe klorit. Në 2,5 gramë kripë, ka 1 gramë sodium.
Kërkimet kanë treguar se sasia e lartë e kripës shkakton tension të lartë gjaku që mund të sjellë tromboza dhe sëmundje zemre. Trupi ynë e mban ujin kur ne konsumojmë kripë duke rritur presionin e gjakut derisa veshkat ta pastrojnë. Konsumi i lartë i kripës për një kohë të gjatë mund të lodhë arteriet dhe të shkaktojë hipertension. Sasia e lartë e sodiumit shkakton 1,89 milionë vdekje çdo vit.
Sigurisht, konsumi i ulët bën efektin e kundërt. Por studiuesit kanë vënë re se është e vështirë të bësh dallimin sepse ata që janë të vëmendshëm ndaj sasisë që konsumojnë, kanë më shumë gjasa të hanë shëndetshëm, të ushtrohen më shumë, të pijnë më pak alkool e tymosin cigare.
Një tjetër faktor ndërlikues është që efektet e konsumit të kripës te tensioni i gjakut dhe shëndeti i zemrës ndryshojnë nga një individ te tjetri. Këtu ndikojnë faktorë si etnia, mosha, Indeksi i Masës Trupore, shëndeti dhe historiku familjar me hipertensionin. Ata që janë më të ndjeshëm ndaj kripës kanë më shumë rrezik që të vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut që krijohet nga konsumi i saj, thonë studimet.
Deri më tani, ekspertët kanë këndvështrime të ndryshme nëse sasia e lartë e kripës mund të stabilizohet përmes një diete të shëndetshme dhe aktivitetit fizik. Për disa, një dietë e pasur me kalium, i cili gjendet te frutat, perimet, arrat dhe bulmeti, mund të zhbëjnë efektet e ashpra të kripës.
Një meta-analizë ka gjetur një lidhje mes sasisë së ulët të kripës dhe sëmundjeve kardiovaskulare e vdekshmërisë. Kufizimet strikte lidhen me shëndet të përkeqësuar te pacientët me sëmundje zemre.
Pakësimi i sasisë së kripës nga e lartë në të moderuar redukton rrezikun e tensionit të lartë, por s’ka përfitime të tjera shëndetësore. Edhe rritja nga e ulët në të moderuar ndihmon. Me këtë, mund të thuhet se e mesmja e artë është zgjidhja e përsosur.
/tvklan.al


