Arti dhe letërsia shpesh e kanë paraqitur krijimin e jetës me momente të mëdha dhe dramatike, shpesh të lidhura me elektricitetin.

Frankenstein-i i Mary Shelley-t erdhi në jetë nga një goditje elektrike. Zoti i Mikelanxhelos (pas gjashtë ditëve VËRTET të ngarkuara) duket se i dërgon një shkëndijë të padukshme, por të ndjeshme, gishtit të shtrirë të Adamit, duke e sjellë atë në jetë në tavanin e Kapelës Sistine.

E njëjta gjë vlen edhe për një teori shkencore mbi krijimin e jetës në Tokë.

Rrufetë dhe krijimi i jetës

Kjo teori pohon se një rrufe goditi oqeanin, duke shkaktuar një reaksion zinxhir kimik që shndërroi përbërjet inorganike në ato organike. Ky skenar, i njohur si hipoteza Miller-Urey, u bazua në një eksperiment të vitit 1952 që tregoi se një përzierje uji dhe molekulash inorganike mund të prodhonte molekula organike pasi mbi to të aplikohej elektricitet.

Tani, një eksperiment i ri tregon se jeta mund të jetë formuar përmes ndërveprimeve shumë më të vogla dhe më pak dramatike elektrokimike, sipas një studimi të botuar në Science Advances.

Voltë të vegjël mikrorrufesh

Studiuesit e Universitetit të Stanfordit spërkatën ujë në një përzierje gazrash që mendohet se kanë ekzistuar në atmosferën e hershme të Tokës. Vetë kjo spërkatje prodhon ngarkesa të vogla elektrike. Më pas, këta voltë të vegjël, që studiuesit i quajnë “mikrorrufe”, ndihmuan që molekulat inorganike të shndërroheshin në ato organike, duke përfshirë uracilin. Kjo molekulë, me lidhjet e saj karbon-azot, është një përbërës kyç si i ADN-së, ashtu edhe i ARN-së.

“Shkarkimet mikroelektrike midis pikave të ujit të ngarkuara në mënyrë të kundërt krijojnë të gjitha molekulat organike të vëzhguara më parë në eksperimentin Miller-Urey, dhe ne propozojmë që kjo të jetë një mekanizëm i ri për sintezën prebiotike të molekulave që përbëjnë blloqet ndërtuese të jetës,” tha Richard Zare, profesor kimie në Stanford dhe autor i studimit, në një deklaratë për shtyp.

Shkencëtarët besojnë se “laboratori kimik” i Tokës kishte një bollëk substancash në qarkullim gjatë miliardave të para të viteve të saj. Megjithatë, teoria thotë se kishte pak ose aspak përbërje organike në këtë përzierje, veçanërisht ato me lidhje jetike karbon-azot.

Eksperimenti Miller-Urey ofroi një shpjegim të mundshëm se si gazrat si metani, amoniaku dhe hidrogjeni mund të krijonin këto molekula organike përmes goditjeve nga rrufetë. Megjithatë, kritikët e kësaj teorie thonë se rrufetë janë shumë të rralla dhe përbërjet kimike në oqean janë shumë të shpërndara që ky skenar të ishte i mundshëm.

Të vogla, por të fuqishme

Zare dhe ekipi i tij fillimisht eksperimentuan për të kuptuar si zhvillojnë ngarkesat elektrike pikat e ujit kur ndahen nga një spërkatje ose një valë. Ata vëzhguan se pikat më të mëdha shpesh mbajnë ngarkesë pozitive, ndërsa ato më të voglat janë negative. Ndonjëherë, kur dy pika me ngarkesa të kundërta afrohen, ndodhin shkarkime të vogla elektrike. Ky proces i ngjan mënyrës se si grumbullohet energjia në retë dhe më pas çlirohet në formën e rrufesë.

Duke qenë se këto minirrufe janë aq të vogla sa mezi mund të shihen, studiuesit i kapën me kamera me shpejtësi të lartë. Pavarësisht madhësisë së tyre, mikrorrufetë mbartin një sasi të konsiderueshme energjie.

Burimi molekular i jetës

Më pas, studiuesit spërkatën ujë me temperaturë dhome në një përzierje gazi që përfshinte azot, metan, dyoksid karboni dhe amoniak, të gjitha këto mendohet se kanë qenë të pranishme në Tokën e hershme. Ky ndërveprim krijoi molekula organike me lidhje karbon-azot.

Përveçse është kimikisht i mundshëm, studiuesit argumentojnë se ky skenar për krijimin e jetës është shumë më i besueshëm nga ana statistikore.

“Në Tokën e hershme, kishte spërkatje uji gjithandej, në çarje shkëmbore ose kundër shkëmbinjve, dhe ato mund të grumbulloheshin dhe të krijonin këtë reaksion kimik,” tha Zare. “Mendoj se kjo i kapërcen shumë nga problemet që njerëzit kanë me hipotezën Miller-Urey.” / Earth – Syri.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here