Deri në fillim të shekullit XX, në krahinat veriore të Shqipërisë, ku nuk funksiononin strukturat shtetërore, qarkullonin, ndonëse rrallëherë, edhe njerëz me “fishek në shpinë”.

 

Në krahina të tilla në mbledhje publike, në kuvende burrash, një ose disa nga burrat më me autoritet të një familjeje, të një fisi “i dhuronin” fishek për një anëtar të vetin, anëtarëve të një shtëpie, të një fisi tjetër.

Ose thjesht artikulonin në mjedise publike një deklaratë, sipas së cilës për një anëtar të vetin burrat e familjes, të fisit kishin “dhanë fisshek”.

Çfarë përcillte simbolikisht një “dhuratë” e tillë mjaft origjinale ose një deklarim i tillë publik në mjedise, ku mblidheshin një numër i konsiderueshëm burrash?

Kjo “dhuratë” kishte hije të rëndë. Fisheku në shpinë simbolikisht nënkuptonte:

Së pari, personi me fishek në shpinë, ndryshe nga gratë, burrat e tjerë të familjes ose të fisit, nuk respektonte kërkesat e normave kulturore, kanunore kryesore dhe paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore për bashkësinë vetëqeverisëse të fshatarëve, duke kryer modele sjelljesh deviante të shëmtuara, krime të rënda si vjedhje, përdhinime, tradhëti kurore, vrasje e plagosje në kundërshtim me normat kanunore, fyerje e poshtërim të personave me “statusin” e nderuar të mikut, klerikut etj.

Në paragrafin 2290 te Kanuni i Skanderbegut theksohet: “Fajet për të cilat zakonisht lëshohet fisheku janë: 1- Premja e mikut; 2- Prekja e vazhdueshme në gra e vajza të hueja; 3- Vrasa me shokë mbarë e prapë; 4- Vrasa për fis; 5- Vrasa “vra e hup”; 6- Për grue që ik pa leje nga shtëpia e bashkëshortit, që vjedh; 7- për grue buqë që gindet keq (duke kryer marrëdhënie jashtëmartesore).

Në shoqërinë tradicionale shqiptare këto konsideroheshin si modelet më të rënda të sjelljeve deviante, si krimet më të shëmtuara që i turpëronin përjetë ata që i kryenin dhe në një farë mase, dëmtonin edhe imazhin moral e shoqëror të familjes, të fisit të tyre.

Së dyti, nënkuptonte pamundësinë e anëtarëve të familjes, të fisit, për të shmangur personin me fishek në shpinë nga rruga e veprimtarisë së rëndë kriminale.

Në paragrafin 2269 te Kanuni i Skënderbegut, ndër të tjera theksohet: “Fisheku lëshohet fishek apo vetëm fjalë. Si u lëshue fishek i vërtetë, si u tha fjala, fishek do të lëshohet me fjalët e kanunit: “Filani më asht ba ujk, ose qen i tërbue, skam çka me i ba”.

Kësisoj opinioni i shoqërisë shqiptare paramoderne përçmonte, trajtonte si kafshë të tërbuar këdo që nuk respektonte ose, aq më keq, që dhunonte normat kryesore kulturore, more-t më të rëndësishme të mishëruar në kanunet shqiptare.

 

Së treti, familjarët dhe anëtarët e fisit liroheshin nga përgjegjësitë nga veprat kriminale të të afërmit e tyre, për të cilin kishin dhënë ose kishin deklaruar fishek në shpinë.

Në paragrafin 2277 te Kanuni i Skënderbegut, veç të tjerash theksohet: “Shtëpia që lëshon fishekun për një të vetin, nuk bie në gjak po vrau kënd fajtori derisa ka fishekun në shpinë…”

Siç shihet, “fishekun në shpinë” e nxirrte personin e shenjuar me të jashtë sistemit të përgjjegjësive morale e shoqërore të familjes dhe të fisit.

Së katërti, anëtarët e familjes ose të fisit nuk kishin asnjë të drejtë të kërkonin dëmshpërblim ose gjak, nëse personi i deklaruar me fishek në shpinë keqtrajtohej në forma të ndryshme ose vritej nga anëtarë të fiseve të tjerë, ndaj të cilëve kryente krime të caktuara.

Në paragrafët 2268, 2269 dhe 2281 te Kanuni i Skënderbegut, ndër të tjera theksohet: “Me dhanë fishekun për kënd, don me thanë me hjek dorë prej si, për të mirë e për të keq përgjithmonë, me lanë dorë të lirë dikujt a sipas rasteve kujdo që edhe ta vrasë, pa ra në gjak.

“U vra me fishek të shtëpisë së vet”, “Fisheku nuk lëshohet pa dëshmitarë…Po iu lshue një shpie, shton: “Qe fisheku për filanin, po e vrave borxh nuk më ke”. Po u lshue në përgjithësi thohet: “Qe fisheku për filanin kush ta vrasë mue borxh nuk më ka”. Po u lshue për një punë të caktueme thohet: “Po e vrave ose kush ta vrasë në filan punë mue borxh nuk më ka”…Ai s’asht ma i shtëpisë së vet, për këtë asht i vdekun”.

Kështu fisheku në shpinë simbolikisht shenjonte një person, i cili dhunonte rëndë ose në mënyrë të përsëritur normat kulturore, kanunore kryesore, që kryente krime të rënda, të shëmtuara dhe që për këto motive shpallej jashtë përgjegjësive të familjes, të fisit.

 

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here