Ismail Qemali, me dorën e tij ngriti Flamurin e Pavarësisë, të qëndisur me fije ari. Pra, Ismail Qemali ngriti Flamurin e qëndisur rretheve me gjethe nga Marigoja, në të cilin flamur ishte shkruar dhe parulla: ‘Rroftë Shqipëria’. Ky flamur simbolizon bashkimin e popullit shqiptar kudo që jeton si një komb i vetëm midis Ballkanit. Ky Flamur më vonë u dogj nga grekët. Me këtë akt kombëtar u shpall Pavarësia e plotë e Shqipërisë Etnike. Pas këtij akti, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 29 nëntor 1912, me telegram iu drejtua konsujve të Vlorës, të parin telegram njoftimi i bëri për konsullin e Austro-Hungarisë, pastaj Italisë, Francës, Gjermanisë e Rusisë, me anën e të cilit njoftonte për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912; thuhet se; Marigo Pozio brenda natës ka qëndisur vetëm thekët e flamurit (jo krejt flamurin), që e kishte sjellë z. Spiridon llo nga Bukureshti.
Ndërkaq, Vangjo llo (djali i Spiridon Ilos) në kujtimet e tij, thotë se; “flamuri që ka sjellë i ati i tij, nga Bukureshti në Vlorë, ishte i stampuar, jo i qëndisur dhe me përmasa, ka qenë 1 metër, me 80 cm. Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari, siç është pohuar deri më tani, por ka pasur thekë të verdha, të cilat, siç u tha më lart, i ka qëndisur Marigo Pozio.
Ekziston edhe një version tjetër rreth prurjes së flamurit në Vlorë, e që lidhet me emrin e Marigo Pozios. Shpeshherë mes komunitetit shqiptar, që jeton në Amerikë, pikërisht në ditën e shpalljes së Pavarësisë, përflitet se flamuri që u ngritë në Vlorë, është qëndisur në Boston të Masacusest-it, ku ka vepruar edhe Kristo Dako.
Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta “Dielli”, që botohej në SHBA-ës. Në një shkrim të Qerim Panaritit, thuhet si vijon: Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz, një vit më parë se të ngrihej në Vlorë, nga z. Ismail Qemali.
Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit, u bënë nga shoqëria jonë “Besa –Besë”. Më tutje z. Panariti thotë se; ”detyra e mbajtësit të flamurit, iu ngarkua z. Naçi Nuçi, ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar, për Lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905, po ashtu edhe ish anëtar i klubit “Bashkimi”.
“Ky po ashtu, nga organet qeveritare turke, u akuzua si drejtor shkolle, me pretekstin se drejtoria e vajzave të shkollës së Korçës, kishte kërkuar nga konsulli August Kral, që të siguronte për shkollën hartën Shqipërisë, të përpiluar nga Faik Konica. Po ashtu, ishte edhe bashkëveprimtar i ngushtë i një shkolle tregtare në Korfuz dhe ndihmonte tregtarët shqiptarë”.
Po ashtu, z. Naçi, ishte një mik i çiftit tregtar, Pozio nga Vlora, të cilëve iu besoi flamurin që ta shpinin në Vlorë dhe ta mbanin fshehur, derisa t’iu kërkohej nga patriotët, të cilët kishin vendosur që Shqipërinë, ta ndanin nga Turqia.
Flamuri ishte i tëri mëndafsh i kuq, rrethuar me thekë ari dhe në mes kishte shqiponjën me dy krerë, në ngjyrë të zezë. Shtiza mbajtëse qe prej bambuje dhe e lyer me ar, në majën e së cilës gjendej një shqiponjë, me dy koka prej fildishi…”!
Për hollësi të tjera se si Marigoja e solli flamurin në Vlorë, ka shkruar edhe shtypi në Tiranë, bazuar në rrëfimin e kryetarit të shoqërisë “Shqiptaro-Amerikane”, Koli Rodhe. Aty vihet në pah se Marigo Pozio nga Hoçishti i Korçës (grua e një tregtari vlonjat), ndonëse atë ditë ndodhej në Korfuz, në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri (për shkak të pengesave të mëdha doganore nga autoritetet turke), këtë gjë e bëri Marigo Pozio, e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.
CILA ËSHTË E VËRTETA PËR FLAMURIN QË U NGRITË NË VLORË?
Çështja e origjinës së ardhjes së Flamurit Kombëtar: Marigo Pozio, Qamil Panariti, Spiridon Ilo, Eqërem bej Vlora, – varianti i fundit, duket me i besueshëm dhe pikërisht këtu menduam te ndalemi: Në Arkivin Qendror të Shtetit, gjendet një shkresë e kryeministrit Koço Kota, datuar 10 shkurt 1930, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Shqiptare, ku thuhet: “Ministria e Punëve të Brendshme, e mbështetur në hetimet e bëra prej Prefekturës së Vlorës, me shkresën e saj Nr. 8431/1, datë 29.01.1930, njofton se i pari flamur që është ngritur në Vlorë, më 28 XI. 1912, ndodhet në duart e Z. Eqrem Vlora, Ministër i Mbretërisë në Athinë”
Dëshmi tjetër: është dhe ajo e Rauf Ficos, ministër i Jashtëm, ku thuhet; “Ministria e Punëve të Brendshme, me një shkresë, na bën të ditur se, si mbas hetimeve të bëra prej Prefekturës së Vlorës, i pari Flamur që është ngritur në Vlorë, më 28. XI. 1912, ndodhet në duar e z. tuaj, me qenë se, Qeveria jonë ka vendosur mbledhjen e sendeve historike në Muzeumin Kombëtar, do të jetë një gjest patriotik shumë i çmuar, nëse kini mirësinë t`ia dhuroni muzeumit në fjalë, ku vizitorët të venë të shohin simbolin e parë të shenjtë të Independencës sonë kombëtare”.
Në letër, pasi e falënderon Ministrinë e Jashtme, që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin e ngritur në Vlorë, në material muzeor, me keqardhje thotë se; ai flamur nuk ekziston më!
Më poshtë në letër, z. Vlora thekson se ky flamur, pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës (28. XI. 1912), u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë, si të shenjtë. Mirëpo, në vitin 1914, kur në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, nga frika se do ta gjenin flamurin (sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptarë, që kishin orientime perëndimore, u dogjën tërësisht), zonja Delvina, një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora, për në Delvinë, e merr me vete edhe flamurin.
Znj. Delvina këtë flamur e ruan me kujdes (si sytë e ballit), së bashku me gjësendet e saj personale. Në këtë situatë të nderë, kur në vitin 1914, hynë në Jug të Shqipërisë forcat greke “Verio-Epirote”, të cilat pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë, sulmojnë Delvinën dhe meqë familja e znj. Delvina ishte në fokus për të persekutuar, detyrohet të shpërngulet në Korfuz, duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre.
Gjatë operacioneve pushtuese, ushtria greke, pasi kishte plaçkitur, djegur e shkretuar Delvinën, ia vuri zjarrin edhe shtëpisë së delvinjave dhe së bashku me gjësendet e mbetura brenda në shtëpi, u dogj edhe flamuri.
Si përfundim, duke u bazuar në këto dokumente, duket se janë zbehur të gjitha versionet që kanë të bëjnë me fatin e flamurit historik, i cili më 28 Nëntor 1912, qe ngritur nga Ismail Qemali në ballkonin e shtëpisë, ku u mbajt Kuvendi i Vlorës 28 nëntori 1912 dhe u shpall pavarësia me 37 delegatë dhe më pas 63 (shkaqet). (28. XI- 7. XII).
KUSH ËSHTË ATDHETARI FUAT DIBRA, QË SHKRIU TËRË PASURINË PËR KOMBIN DHE SHQIPËRINË ETNIKE?
Me këtë rast, nuk duhet harruar ndihmën e madhe financiare që ka dhënë atdhetari i palodhshëm Fuad Dibra, i cili vullnetarisht, i kishte dhënë Ismail Qemalit mbi 30 mijë napolona floriri, që të operonte nëpër oborret diplomatike të Evropës. Ky atdhetar i madh, i paguante edhe gazetat që botonin artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Fuat Dibra, personalisht ka harxhuar vetëm për delegacionin shqiptarë që qëndroi në Paris, mbi gjashtë muaj, mbi 500 mijë franga floriri.
Ky atdhetar i shkriu për të mirën e çështjes kombëtare, 5 hotele të tij në Paris. Ky atdhetar i palodhshëm i çështjes kombëtare Shqiptare, rrjedh nga një familje atdhetare, babi i tij, Ismail Hoxha, kishte funksione të larta në Perandorinë Osmane, financoi Kongresin e Manastirit dhe të Dibrës.(V.Xh).
Fuat Dibra ka bashkëpunuar ngushtë pos Ismail Qemalit, edhe me Dervish Himën, (Ibrahim Temon), Rexhep Mitovicën, Bedri Pejanin, Lev Nosin, Mit’hat Frashërin dhe Shefqet Shkupin. Ky ka luajtur një rol tejet pozitiv, me rastin e bashkimit kombëtar në tokat e liruara nga Tetova, Struga deri në Dibër.
Më 16 tetor 1943, u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës” të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuat Dibra, At Anton Harapi e, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943, Regjenca emëroi qeverinë me Kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore.
Po ashtu Fuat Dibra, Ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Forcave Vullnetare Shqiptare, i emëruar nga Komiteti Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për këto merita, Kryetari i Komunës së Tetovës, Shuaip Kamberi, me rastin e vdekjes së këtij atdhetari të madh, në vitin 1944 në Tetovë, me rrethinë, shpalli tre ditë zi. Por pas luftës, edhe pse shkriu tërë pasurinë e tij për të mirën e Kombit, komunistët e nxorën nga varrezat e qytetit në Tiranë.
TAJAR TETOVA-DERRALLA, NË KUVENDIN E VLORËS
Me këtë rast duhet theksuar se në Vlorë, ka marrë pjesë edhe oficeri shqiptar, Tajar bej Tetova. Ky, gjatë revolucionit xhonturk, vriste e priste për Turqinë. Por më në fund u bindë, se më mirë është të luftosh për kombin, se sa për Turqinë. (Prandaj është mirë kur shqiptarët binden më në fund “se kombi është mbi gjithçka”.).
Ky oficer i larë tetovar, në qershor të vitit 1912, braktisi ushtrinë turke dhe doli në mal. Dalja në mal e Tajar Tetovës dhe ushtarakëve të tjerë, ndikoi me të madhe në zgjerimin e kryengritjes në rrethin e Manastirit dhe të Dibrës, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Në bazë të dokumenteve më të reja, Tajar bej Tetova, ka dhënë një kontribut të madh edhe në shpalljen pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1912, kur Ismail Qemali e dërgon në Dibër me një delegacion, me qëllim që krahina e Dibrës, t’i bashkëngjitet Qeverisë së Vlorës. E cila e kishte ngrit flamurin me 27 nëntor 1912.
Kjo ishte arsyeja pse këta fanatikë, e kërkonin Tajar Tetovën që ta burgosin, pasi këta dogmat që luftonin për rikthimin e Turqisë në vendet tona, e shpallën Tajarin anti-turk dhe kërkonin kokën e tij. Për këtë arsye, Tajar Tetova do të rikthehet në Elbasan, duke u fshehur për t’i shpëtuar ndjekjeve të rebelëve të Haxhi Qamilit, të cilët e kërkonin për ta vrarë, si person me ide anti-turke.
ISMAIL QEMALI ME DORËN E TIJ E SHPALLI PAVARËSINË E SHQIPËRISË NË EMËR TË KATËR VILAJETEVE: TË KOSOVËS-MANASTIRIT-SHKODRËS DHE JANINËS
Vlora heroike i priti delegatët me entuziazëm të madh dhe me një atmosferë të pa përshkruar, në mbrëmjen e 26 nëntorit. Pra delegacioni shqiptarë nuk ka arritur në Vlorë më 25, si është shkruar deri tani, por më 26 nëntor.
Me të arritur në Vlorë, Ismail Qemali filloi parapërgatitjet në qytetin e tij të lindjes, për shpalljen e Pavarësisë. Në qytet ende valonte flamuri turk dhe funksiononte administrata e saj. Puna e parë e udhëheqësit kombëtar, ishte organizimi i forcave të armatosura.
Për këtë qëllim, ai formoi një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të fshatrave një qarkore, me anën e së cilës porositeshin që të mobilizoheshin njerëzit e aftë, për mbrojtjen e Qeverisë së ardhshme shqiptare, që do të shpallej së shpejti.
Në këto rrethana të jashtëzakonshme, kur ushtria serbe mbante të rrethuar Durrësin, delegatët që kishin arritur në Vlorë, mbajtën një këshillim në mbrëmjen e 27 nëntorit, ku vendosën që shpallja të bëhej ditën e nesërme, pra më 28 nëntor.
Deri në atë kohë, nuk kishin arritur akoma përfaqësuesit e disa krahinave. Sipas njoftimeve që kishte marrë Ismail Qemali, një numër i madh i delegatëve, ishte ende në lëvizje e sipër, nëpër rrugët e vështira të Shqipërisë.
Ka pasur raste kur shumë delegatë, për të kaluar kurthin e ushtrisë serbe, është dashur të veshin edhe ferexhe grash, siç është rasti me atdhetarin e njohur nga Dibra, Sherif Langun, i cili deri në rënien e Kosovës dhe Dibrës, në duart e ushtrisë serbe, mbante postin e kryetarit të Myftinisë në Dibër. Ky për të shkuar në Vlorë, ka udhëtuar nga Dibra, Elbasani, më se 10 ditë, për të arritur në Vlorë, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Pasi në këtë kohë Manastiri, Struga dhe Ohri, ndodheshin në duart e ushtrisë serbe. Ky atdhetar pas Luftës së Dytë Botërore nga pushteti komunist u dënua me 10 vjet burg, edhe atë në pleqëri të thelë kur i kishte mbushur mbi 70 vjet. “Këto dëshmi Sherif Langu i deklaroi në burg para Mehmet Shehut. Unë kur kam qenë për Shqipëri, babai yt mendonte për Baba Dovlet” (V.Xh).
PARIA E OHRIT PËRKRAHU AKTIN E PAVARËSISË
Madje kryeministri (me origjinë shqiptare) i asaj kohe në Rumani, Taqe Junesku, një shqiptar me origjinë nga Ohri, i dërgoi Ismail Qemalit, 500 mijë franga ari, për të përballuar shpenzimet e udhëtimit. Për shkak të rrethanave të vështira të shkuarjes në Vlorë, edhe paria e Ohrit dhe Strugës, më 27 nëntor, i ka dërguar Ismail Qemalit një telegram, me të cilin e njoftojnë se: “Solidarizohen për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike”.
Telegrami është i nënshkruar: Myderisi Sheh Ismaili, Sheh Hasan Abdullahu, Emurlla Nexhati Abdylqerim, Kadiu i vendit Hysni Huseini, Mehmet Fehmiu, Haxhi Jaha dhe Hajdar Pasha, në emër të të gjitha mëhallëve të Ohrit.
Edhe pse Kosova dhe trevat tjera lindore në këtë kohë, ishin të pushtuara nga ushtria serbe, në Kuvendin e Vlorës, morën pjesë; Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka e, Bedri Pejani, si përfaqësues të Gjakovës, Pejës e Gucisë. Pasi Hasan Prishtina, ditën historike të shpalljes së pavarësisë kombëtare, ndodhej i mbyllur në burgun Beogradit, së bashku me Idriz Seferin, Nexhib Dragën dhe disa udhëheqës tjerë të njohur, pas Kryengritjes Shqiptare të Kosovës 1912. (Shih librin e Vebi Xhemailit, ‘Shqiptarët e Maqedonisë së sotme’ 1843-1913).
REXHEP MITROVICA, E NOMINOI I PARI ISMAIL QEMALIN PËR KRYE PARLAMENTAR
Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, është shkruar se; “Në hapjen solemne të Kuvendit të Madh të Vlorës, para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike shqiptare, (është fjala për katër vilajetet shqiptare), pas verifikimit të mandatit, e mori fjalën Rexhep Mitrovica, i cili propozoi që për kryetar të Kuvendit të Parë Kombëtar të emërohet Ismail Qemali, si shkronjës i parë të emërohet Luigj Gurakuqi, ndërsa për shkronjës të dytë, Shefqet bej Daiu. Delegatët e pranuan njëzëri këtë propozim, me të përplasur duarsh”.
Më vonë, Aktin e Pavarësisë, e shënoi edhe Lef Nosi në përmbledhjen e “Dokumenteve historike”, por regjimi komunist i Enver Hoxhës, i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Mit’had Frashërit, Lef Nosit, Dervish Himës, Fuat Dibrës, Mehmet Derrallës dhe disa nacionalistëve tjerë ,që luftuan tërë jetën për bashkimin e kombit. Këta u fshinë, jo vetëm nga dokumenti përkatës por, edhe nga historia kombëtare. Memorie.al