Enver Robelli

Boris Maruna

Letër Ibrahim Rugovës

Nuk dij shum për Ty, Ibrahim Rugova
Por kah i lexoj poetët modern arabë
E kuptoj Isam Mahfouzin kur thotë:
Fundi i tregimit tem asht
I ftofët
Si mbetjet
N’sofër
E kjo m’ban me mendu n’Ty
Me mendu n’shtatëmbdhetëvjeçaren Ylfete Humolli
Të shtrime n’tavolinën e spitalit n’majicë e farmerka
Me t’kuqët diskret t’gjakut n’lule t’ballit
Për t’cilën njejt s’di gja
Veç e dij se duhet me qenë nji kusherinë e jonja e largët
T’cilës as unë e as ti nuk do t’ia prekin asnjiherë
Fletat e lulëzume t’krahnorit
Fëmijë i humbun i kësaj kohe
I ftofët si mbetjet n’sofër
I akullt si dora e këputun e martirit t’krishtenë
Si me qenë
Antonin Artaud, i dekun
Tu marrë frymë
Po kjo s’ka mundësi me qenë fundi i tregimit tand
Ti mos praj as mos u ndal, Ibrahim Rugova
Edhe gjaku ka me dalë edhe ’iherë prap ma i fortë se metali
Kudo kjofshim prej zemre t’Ylfetes ka me u rritë
Fleta e dafinës për Ty e për mu
Ndonëse tash asht dimën po të betohem
Shpejt ka me ardhë pranvera e vera
E bijat e Teutës në zallin e Risanës
Kanë me vallëzu deri n’agim
Po të betohem Ibrahim Rugova, qashtu ka me qenë
Zoti i madh m’ndihmoftë

Përkthye e kthiellue nga Shkumbin Brestovci

Kush është Boris Maruna?

Ky poet kroat u lind më 1940 dhe vdiq më 2007 në Zagreb. Ishte edhe përkthyes nga anglishtja dhe spanjishtja. Në vitin 1960 emigroi në Itali, ndërsa për tridhjetë vjet sa qëndroi në emigracion, ai jetoi edhe në Argjentinë, Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Spanjë. Studioi në Los Angeles dhe në Barcelonë. Maruna u kthye në Kroaci në vitin 1990, ku u shqua si kritik i ashpër i pushtetit të Bashkimit Demokratik Korat të Franjo Tugjmanit. Para se të vdiste ishte ambasador i Kroacisë në Republikën e Kilit në Amerikën Latine. Poezia e mësipërme është shkruar pas demonstratave në Kosovë në vitin 1990, kur mes shumë civilëve ishte vrarë edhe vajza Ylfete Humolli. I inspiruar nga kjo ngjarje Boris Maruna ka shkruar poezinë kushtuar Ibrahim Rugovës, i cili në fillim të viteve ’90 ishte vënë në krye të lëvizje kosovare për rezistencë kundër Serbisë dhe pavarësi të Kosovës. /Trungu & InforCulture

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here