Historia është e mbushur me kultura të humbura dhe liderë të mëdhenj të lënë në harresë. Shumë prej tyre janë të panjohur nga njerëzit. Por në raste të rralla, veprimet e tyre u japin atyre një vend në ndërgjegjen tonë moderne.

Për shembull Vandalët, shkaktuan një valë që madhe shkatërrimesh në botën e lashtë kur plaçkitën dhe dogjën Romën në vitin 455 Pas Krishtit, saqë vetë ky term nisi të ishte sinonim i shkatërrimeve katastrofike e të pa arsyeshme

Visigotët krijuan një stil të veçantë që bëri jehonë përgjatë shekujve, nga arkitektura  deri te kundër-kultura e sotme gote. Një nga më të shquarit e atyre popujve, i parë si armik i botës së lirë nga ata që e dokumentuan, ishte Atila i Hunëve.

Emri i tij njihet thuajse botërisht, por përveç përshkrimeve të paqarta si dhe shumë plaçkitjeve, shumica nuk dinë asgjë për këtë njeri. Po kush ishte mbreti i frikshëm Hunëve, i njohur nga romakët si “Falgellum Dei”, Kamxhiku i Zotit? Dhe çfarë bëri ai për ta fituar vendin e tij famëkeq në histori?

Atila, mbreti i Hunëve, sundoi ndërmjet viteve 434-453 bashkë me vëllanë e tij të madh Bleda. Gjatë mbretërimit të tij, i ndihmuar pjesërisht nga Perandoria Romake në rënie dhe e dobët, ai realizoi pushtime të përgjakshme në provincat ballkanike të Romës, Gali dhe shkatërroi vetë Romën.

Pavarësisht famës, të dhënat për Atilën janë çuditërisht shumë të kufizuara. Kronikanët e kohës i referohen në përgjithësi Atilës përmes veprimeve të tij, shkatërrimit që ai shkaktoi në zemër të perandorisë së tyre. Hunët ishin një popull nomad, i njohur për harkëtarët e tyre të frikshëm.

Ata erdhën në Evropë në fundin e shekullit IV, duke sulmuar Alanët dhe Gotët dhe duke i shtyrë këta të fundit më në perëndim. Atila lindi në një botë në ndryshim. Hunët ishin ndeshur me romakët edhe më herët. Ata ishin përdorur në ushtritë romake që luftonin për pushtet dhe uzurpim brenda perandorisë, dhe kishin negociuar edhe më herët me Romën.

Megjithatë, ndërsa romakët ishin gati për Hunët, ata nuk ishin gati për t’u përballur me Atilën. Pasi kaloi lumin Danub dhe pushtoi territoret përreth në vitin 441, Atila dhe vëllai i tij e kapën të papërgatitur ushtrinë romake. Perandori i Romës së Lindjes, Bizantit, Teodosi e kishte përqendruar ushtrinë në veri kundër Vandalëve, duke e lënë Evropën Lindore relativisht të pambrojtur.

Hunët mund të ishin blerë me para, por Teodosi mendonte se ushtria romake mund t’i mposhte. Të sapo-armatosur me armë të rënda që përdoreshin në rrethimet e fortesave dhe qyteteve, Hunët përparuan në zemër të perandorisë romake, duke masakruar qindra mijëra njerëz dhe rrafshuar dhjetëra qytete.

Për të shmangur më të keqen romakët u detyruan t’i blinin. Atila dhe vëllai i tij u tërhoqën në këmbim të një pagese prej 2.000 kg ar, së bashku me një haraç vjetor. Romakët e paguan këtë të fundit për njëfarë kohe, por në vitin 447 Atila, që ishte tashmë sundimtar i vetëm, e kaloi sërish Danubin.

Këtë herë Hunët nuk do të ndaleshin. Ata do të pushtonin një territor të gjerë në Bullgarinë e sotme, duke u ngritur si një prani evropiane. Por kur nisën të zgjerohen drejt perëndimit, Hunët nuk synonin fillimisht Romën. Por siç ndodh ndonjëherë në histori, një ngjarje e rastësishme e ndryshoi përgjithmonë botën.

Motra e Perandorit të Romës Perëndimore, Valentinianit, Honoria, i dërgoi një letër Atilës ku i kërkoi ndihmë që të arratisej. Bashkë me letrën ajo i kishte dërguar edhe unazën e saj të fejesës. Atila e interpretoi këtë si një ofertë për martesë dhe pranoi me kushtin që gjysma e perandorisë romake perëndimore t’i jepej atij në formën e prikës.

Edhe pse kjo u mohua ashpër nga Valentiniani, Atila mendoi se kishte të drejtë të merrte hak ndaj romakëve, dhe pretendonte fronin e perandorisë. Por Visigotët e sulmuan Romën para tij. I tërbuar nga inati Atila vazhdoi shkatërrimet në 451 nëpër Galinë e lashtë.

Ai u ndal vetëm kur Visigotët dhe romakët u bashkuan dhe e mundën atë, duke e detyruar të tërhiqej. Por Atila u rikthye sërish pas një viti, duke mësyrë në zemër të Italisë dhe drejt Romës, në ndjekje të pretendimit të tij për martesë.

Ai e rrafshoi plotësisht qytetin verior italian Akuileia. Ai mund të kishte pushtuar edhe Romën, por negocioi dhe arriti një marrëveshje për paqe dhe u tërhoq. Ajo qe fushata e tij e fundit, pasi vdiq në muajt e parë të vitit 453. Në fillim të atij viti Atila u martua sërish.

Gruaja e tij ishte e  re dhe e bukur, dhe quhej Ildiko. Por mbetet ende mister se çfarë i mori jetën Atilës. Shkrimtari i shekullit VI, Jordanes shkroi se Atila pati një vdekje natyrale, ndoshta nga gjakderdhja nga hunda pas dasmës. Si duket e shijoi në maksimum ceremoninë dhe u rëndua nga sasia e madhe e verës që piu.

Ai u shtri të flinte me shpinë, gjaku i kaloi në fyt dhe e vrau. Ai u zbulua i vdekur, por pa asnjë plagë. Atila u varros në një arkivol të trefishtë prej hekuri, argjendi dhe druri. Njerëzit që e ndërtuan varrin u vranë për të mbajtur sekret vendndodhjen. Prandaj, edhe sot e kësaj dite, vendndodhja e varrit të Atilës mbetet një nga misteret e mëdha të antikitetit.

Disa kanë sugjeruar se Atila është vrarë. Romakët ishin poshtëruar vazhdimisht nga sulmet e tij. Por do ta kenë pasur shumë të vështirë t’i afroheshin aq sa duhet për ta vrarë. Djemtë e tij ishin ambiciozë, dhe në fakt pas vdekjes së tij perandoria që ai kishte ndërtuar u shpërbë shumë shpejt.

Por ka shumë të ngjarë që vdekja e tij të ketë qenë aksidentale. Sikur të kishte jetuar disa vite më shumë, Evropa dhe Perandoria Romake mund të dukeshin shumë ndryshe. Për të kuptuar kush ishte Atila, historianët përballen me një sfidë të madhe.

Burimet e historiografisë janë shkruar në latinisht dhe greqisht, pra nga armiqtë e Hunëve. Bashkëkohësit lanë pas shumë dëshmi mbi jetën e tij. Por vetëm disa fragmente kanë mbetur për të shpjeguar historinë e jetës së Atilës. Priskus, një historian dhe diplomat bizantin shkroi në greqisht historinë e Atilës.

Ai qe një dëshmitar okular pasi në vitin 449 jetonte në oborrin mbretëro të Atilës, si anëtar i Ambasadës së Teodosit. Shkrimet e tij janë burimi kryesor i informacionit mbi jetën e Atilës. Ndër të tjera, Priskus jep të vetmin përshkrim fizik të këtij udhëheqësi, duke e përshkruar atë si të shkurtër, të shëndoshë dhe të shëmtuar.

Thuhej se ai bënte një jetë shumë të thjeshtë, duke ngrënë mish dhe bukë, dhe duke përdorur një kupë prej druri, ndërsa mysafirët e tij pinin nga kupat prej argjendi dhe ari. Ai ishte gjithashtu i thjeshtë edhe në veshje, duke dashur vetëm që të ishte i pastër në çdo kohë. Tëthjeshta ishin edhe shpata, këpucët dhe parzmoret e kalit. Këto zakone personale flasin për një njeri me qëllime të forta, që do t’i rezistonte shpeshherë joshjes me para nga emisarët romakë.

Por Priskus hesht mbi motivet që e shtynë Atilën të ndërmerrte sulme të tilla dhe nuk flet për botën e tij të brendshme. A mund ta kishte pushtuar Atila perandorinë romake? Apo mund ta kishte shpëtuar atë, duke e mbrojtur Romën kundër sulmit vandal 2 vjet pas vdekjes së tij? Vdekja e tij e papritur e ndryshoi botën përgjithmonë. Por se çfarë do të kishte bërë po të kishte jetuar, kjo është e pamundur të dihet./ History Mysteries

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here