“Udhëtari nëpër Maqedoni, sidomos aty ku kishte fshatra shqiptare, sheh kryesisht hi, siç na e përshkruan vetëm historia mesjetare gjatë pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga popujt barbarë! Unë këtu do të radhis vetëm disa nga fshatrat shqiptare, disa prej të cilave i kam parë personalisht dhe të tjerat i kam hulumtuar nga afër, që tashmë janë të rrënuara.
Kështu në Gostivar nga ana serbe u vra një numër i madh i shqiptarëve dhe shumë fshatra u bënë shkrumbehi, ndërsa për t’iu shpëtuar krimeve popullsia e shumë fshatrave të tjera u largua për në Shqipëri”, historiani dhe studiuesi i folklorit, prof. Jordan Ivanov (Йордан Иванов 1872 – 1947), i angazhuar nga administrata ushtarako-politike bullgare në ekipin e hulumtuesve dhe ekspeditës trupetërthor viseve shqiptare që nisi në gjysmën e parë të korrikut dhe zgjati deri në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 1916
Historiani dhe studiuesi i folklorit, prof. Jordan Ivanov (Йордан Иванов 1872 -1947) – i angazhuar nga administrata ushtarako-politike bullgare në ekipin e hulumtuesve dhe ekspeditës trupetërthor viseve shqiptare që nisi në gjysmën e parë të korrikut dhe zgjati deri në gjysmën e parë të shtatorit të vitit 1916 – duket të ketë qenë i pafat, sepse atij i kishte rënë hise që t’i vizitonte viset shqiptare ku forcat serbe kishin vrarë shumë shqiptarë, por edhe i kishin djegur vendbanimet e tyre. Fillimisht ai e ka përshkruar gjendjen që ka mbretëruar në tokat shqiptare pas Luftës së Parë Ballkanike.
“Hakmarrja për Kosovën”
“Ngjarjet nga Lufta Ballkanike patën ndikim të papritur në rënien e numrit të popullsisë shqiptare, veçanërisht në zonat afër kufirit të pretenduar perëndimor nga ana e bullgarëve. Ndërsa te serbët për një kohë të gjatë ishte ushqyer ndjenja e hakmarrjes kundër turqve dhe shqiptarëve, apo ‘hakmarrja për Kosovën’. Hyrja e serbëve në trojet shqiptare në vitin 1912 u shoqërua me hakmarrje mizore ndaj shqiptarëve, që kinse e kishin ‘zaptuar’ Kosovën klasike serbe dhe viset fqinje. Si pasojë e vrasjeve, mizorive, një numër i madh i shqiptarëve dhe turqve u larguan drejt jugut për në (portin – S. L.) Selanik, përpara marshimit serb, derisa banorët e fshatrave ndaluan nëpër qytete si në Prizren, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Manastir e të tjerë me shpresën se ata aty do të liheshin të qetë prej ushtrisë serbe. Mirëpo, shqiptarët e mbetur nëpër fshatra iu nënshtruan vuajtjeve të rënda: vrasjeve, grabitjeve, shkatërrimeve të fshatrave të tëra. Me qëllim të shpagimit të të këqijave shekullore që prijësit shqiptarë në disa krahina më herët kinse ua kishin shkaktuar atyre, në ndihmë të serbëve u vunë edhe të krishterët vendës… Mizoritë serbe u kritikuan ashpër edhe nga shtypi evropian, veçanërisht nga ai austriak por edhe anglez. Megjithatë shpopullimi i vendbanimeve shqiptare vazhdoi kështu që pësuan gjithashtu edhe shqiptarët në ‘Maqedoninë e vërtetë’ në krahinat e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Manastirit etj. Disa prej këtyre vendbanimeve u pretenduan nga Austria, duke u mbështetur në argumentin e popullsisë shumicë shqiptare. Tani pas pushtimit serb të vitit 1912, pas kryengritjes shqiptare të vitit 1913, pas masakrave të reja të vitit 1915, kur shqiptarët sërish iu nënshtruan edhe një herë shfarosjes në prag të tërheqjes serbe, në këto zona nuk mund të bëhet më fjalë për popullatë shumicë shqiptare!”, ka shkruar prof. Jordan Ivanov i bindur se një hulumtim i thellë i mbështetur në të dhëna statistikore, do ta zbulonte numrin e saktë të shqiptarëve të vrarë e të masakruar. Ivanov në vijim e ka përshkruar tablonë e krimeve të ushtrisë serbe përgjatë vitit 1913.
Varret – dëshmi i mizorive serbe ndaj shqiptarëve
“Udhëtari nëpër Maqedoni, sidomos aty ku kishte fshatra shqiptare, sheh kryesisht hi, siç na e përshkruan vetëm historia mesjetare gjatë pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga popujt barbarë! Unë këtu do të radhis vetëm disa nga fshatrat shqiptare, disa prej të cilave i kam parë personalisht dhe të tjerat i kam hulumtuar nga afër, që tashmë janë të rrënuara. Kështu në Gostivar nga ana serbe u vra një numër i madh i shqiptarëve dhe shumë fshatra u bënë shkrumbehi, ndërsa për t’iu shpëtuar krimeve popullsia e shumë fshatrave të tjera u largua për në Shqipëri. Prej fshatrave shqiptare që pësuan vlen të përmenden: Reçani, Vrutoku, Znula, Raveni, Elloci i Epërm, Orçushi, Simnica, Gjonovica, Dobridoli, Kalishta, Çegrani, Forina, Çajla etj. Pothuajse të njëjtin fat patën edhe fshatrat shqiptare të Tetovës si: Grupçini, Çifliku, Lomnica, Cerova, Senokosi, Novosella, Dobarca, Kopaçindolli etj. Varret e reja të viktimave mund të shihen ende nëpër rrugë dhe fshatra. Për mizoritë serbe dhe shfarosjen e shqiptarëve dëshmi ishin 80 varre të hapura njëra pranë tjetrës dhe popullata ende fliste me frikë për shqiptarët e hedhur në lumin e Vardarit poshtë Gostivarit, afër fshatit të Çajlës, Forinës dhe Çegranit. Hiri i këtyre fshatrave të djegura ende qëndron si dëshmi dhe ngjall trishtim e nxit reflektime për fatin e zi të shqiptarëve të këtyre fshatrave. Gjithashtu të tilla janë shkatërrimet në rajonet e tjera perëndimore si në Manastir, Kërçovë, Strugë për shembull në fshatrat: Murgash, Suhodoll, Pribillcë, Obednik, Zërnec, Kraguevë, Gradishtë, Kazhan, Ramnë, Dollenc, Sop, Zajaz, Fergovë, Radolishtë dhe shumë fshatra të tjera”, ka përfunduar prof. Ivanov, ndërsa hulumtimi i tij është përmbyllur më 3 dhjetor 1916.
Qarqet ku numri i popullsisë në vitet 1913 – 1916 kishte pësuar rënie të dukshme
Se sa kishte ndryshuar numri i popullsisë në vitet 1913 – 1916 ne megjithatë jemi përpjekur të sigurojmë të dhëna zyrtare duke u shërbyer me të dhënat statistikore të regjistrimit të organizuar nga administrate okupuese e Serbisë në vitin 1913. Të dhënat e këtij regjistrimi janë publikuar në një libër më vete me titull “Fjalor i vendeve në krahinën e çliruar të Serbisë së Vjetër” të autorit M. A. Vujçiq, i cili njëherësh edhe e ka bërë organizimin administrativ të viseve të okupuara menjëherë pas Luftës së Parë Ballkanike. Libri është botuar në Beograd në vitin 1914. (М. А. Вујичић, Речник места у ослобођеној области Старе Србије, Београд 1914)
Ndërsa regjistrimi i popullsisë në viset shqiptare, që ishin pjesë e zonës okupuese bullgare, u bë tre vjet më vonë, gjegjësisht përgjatë vitit 1916. Të dhënat e këtij regjistrimi nën përkujdesje të Ministrive të Punëve të Brendshme dhe Shëndetësisë Popullore janë publikuar në një libër të veçantë të titulluar “Lista e vendbanimeve në Maqedoni, Moravë dhe Odrin” në vitin 1917 në Sofje. (Списъкъ на населенитѣ мѣста въ Македония Моравско и Одринско, София 1917). Me qëllim të verifikimit sa më të saktë të gjendjes në viset shqiptare në vitet 1913 – 1916, ne e kemi bërë krahasimin e të dhënave zyrtare të dy regjistrimeve, pra serb dhe atij bullgar. Fillimisht jemi nisur nga Qarku i Prishtinës që në vitin 1913 përbëhej prej 54 komunave, 576 fshatrave dhe në të ishin të regjistruar 193 337 banorë. Ndërsa nën administratën bullgare Qarku i Prishtinës përbëhej prej 60 komunave dhe 533 fshatrave. Në kuadër të këtij qarku bënin pjesë Rrethi i Gjilanit me 78 284 banorë, i Graçanicës me 36 950, i Llapit me 27 084, i Nerodimes me 32 845. Sipas regjistrimit të vitit 1913, selia e qarkut Prishtina i kishte 18 174 banorë. Ndërsa sipas organizimit bullgar në Qarkun e Prishtinës ishin përfshirë Rrethi i Gjilanit me 79 301 banorë, i Podujevës apo Llapit 27 762 banorë, Rrethi i Prishtinës me 65 577 banorë, Rrethi i Ferizajt me 34 088 banorë. Selia e qarkut Prishtina, sipas regjistrimit të vitit 1916, i kishte 15 960 banorë gjegjësisht 2214 banorë më pak se para tre vjetëve. Po ashtu numri i përgjithshëm i banorëve ishte zvogëluar edhe në Rrethin e Gjilanit dhe në tre vjetët e kaluar ky rreth i kishte 1017 banorë më pak, ndërsa në Rrethin e Ferizajt numri ishte zvogëluar për 1243 banorë.
Qarku i radhës është ai i Prizrenit dhe në vitin 1913 në të ishin regjistruar 124 101 banorë. Në Qarkun e Prizrenit ishin përfshirë Rrethi i Gorës me 28 117 banorë, Podgorës me 17 471 banorë, Podrimes me 34 551, i Sharrit me 22 718 banorë. Prizreni si seli e qarkut i kishte 21 244 banorë. Ndërsa sipas regjistrimit bullgar të vitit 1916 Qarku i Prizrenit i kishte 88 031 banorë, pra në tërë qarkun numri ishte zvogëluar për 36 070 banorë. Por, këtë shifër nuk duhet marrë si të saktë, pasi një pjesë e krahinës së Prizrenit në vitin 1916 i përkiste zonës e cila administrohej nga Austro-Hungaria. Kjo vërehet edhe nga ndarja në vijim, pasi duhet potencuar se në vitin 1913 ky qark përbëhej prej 62 komunave, 256 fshatrave, ndërsa në vitin 1916 numri i komunave ishte 39 dhe nën administrimit të Qarkut të Prizrenit ishin përfshirë edhe 253 fshatra. Për dallim prej vitit 1913 tashmë në përbërje të Qarkut të Rahovecit ishin Rrethi i Rahovecit me 34 747 banorë, i qytetit të Prizrenit me rrethinë me 19 586 banorë, Rrethi i fshatrave të Prizrenit me 19 190 dhe Rrethi i Suharekës me 14 508 banorë. Në lidhje me numrin e popullsisë në Qarkun e Prizrenit, si më të sakta duhet marrë të dhënat e regjistrimit bullgar, që kanë evidentuar se selia e qarkut Prizreni i kishte 19 586 banorë, pra me këtë dëshmohej se në tre vjetët e fundit Prizrenit i mungonin 1 658 banorë.
Megjithatë rënia e dukshme e numrit të popullsisë më së shumti ka ndodhur në Qarkun e Manastirit dhe në atë të Ohrit. Qarku i Manastirit në vitin 1913 numëronte 232 646 banorë. Në përbërje të këtij qarku veç tjerash ishin përfshirë Rrethi i Manastirit, Kërçovës, Krushevës, Morihovës, Prespës dhe Prilepit, ndërsa selia e qarkut ishte në Manastir që atëbotë i kishte 48 370 banorë. Tre vjet më vonë më 1916, Manastiri si qendër kishte pësuar shumë, sepse në të tani ishin vetëm 36 000 banorë pra numri ishte zvogëluar për 12 370 banorë! Po ashtu numri i banorëve ishte zvogëluar në Rrethin e Krushevës që në vitin 1913 i kishte 26 271 banorë, ndërsa në vitin 1916 aty ishin regjistruar 22 764 banorë ose 3507 banorë më pak, më pastaj zvogëlim të numrit të banorëve kishte edhe në Rrethin e Prilepit që në vitin 1913 i kishte 53 467 banorë, ndërsa tre vjet më vonë 50 962 banorë, apo 2505 banorë më pak. Në këtë pikëpamje gjendje aspak më e mirë nuk ishte edhe në Qarkun e Ohrit ku selia e këtij qarku, Ohri në vitin 1913 i kishte 11 038 banorë, ndërsa në vitin 1916 aty ishin regjistruar vetëm 9000 banorë, gjegjësisht 2038 më pak.