Milazim KRASNIQI

Në kujtimet e Herman Nojbaherit, emisarit special të Rajhut të Tretë (Hitlerit) në Ballkan, përvijohet edhe figura Xhafer Devës, krahas edhe disa figurave të tjera të rëndësishme shqiptare, sidomos Mehdi Frashërit dhe Anton Harapit.
Opinionet dhe vlerësimet e Nojbaherit janë shumë interesante dhe historiografia jonë do të duhej t’i kishte një burim të rëndësishëm për informim dhe hulumtim të mëtejshëm. Pozita e lartë e Nojbaherit në vitet 1943-1944 si emisar special i Hitlerit në Ballkan (Juglindje) i ka mundësuar të jetë jo veëtm hartues i politikave po edhe njohës i akterëve kryesorë të atyre ngjarjeve.Me këtë rast po kufizohem vetëm në vlerësimet e tij për Xhafer Devën, për arsye të aktualitetit.
E para, vendimin për ta formuar Shqipërinë e pavarur, pas kapitullimti të Italisë, e kanë marrë autoritetet gjermane. Në vitin 1943, për shkak të rritjes së valës së lëvizjeve komuniste në Ballkan, Hitleri e ndryshon qasjen ndaj vendeve ballkanike, duke tentuar të krijojë shtete të pavarura, të cilat do të mund të përballonin rrezikun komunist. Pra, Shqipëria futet në këtë skemë, jo për ndonjë privilegj, po për të krijuar një mekanizëm që të frenohej komunizmi. Xhafer Deva ishte person i përshtatshëm për atë koncept, si nacionalist shqiptar dhe antikomunist i vendosur. Pra, në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë botëkuptim nacist të Devës po për një botëkuptim nacionalist e antikomunist të tij. Përafrimi në këtë rast ndodhë sepse Deva kishte synim Shqipërinë etnike dhe luftimin e komunizmit. Në asnjë rast dhe me asnjë fjalë Nojbaheri nuk e paraqet Xhafer Devën si ndonjë njeri me simpati për nacizmin, po si njeri me ambicie në politikën shqiptare. Kur ftohet Deva që të vinte në Tiranë (pra nuk kishte fare i informuar më herët për vendimin) Nojbaheri ia dërgon avionin që ta merrte: “Xhafar Devës, në Mitrovicën e Kosovës, ia lashë në dispozicion avionin e vogël të tipit “Storch.” Kishte ardhë çasti i tij i madh politik”, shprehet Nojbaheri. Pastaj Nojbaheri i përshkruan përpjekjet e Xhafer Devës e të Ibrahim bej Biçakut për formimin e një komiteti për shpalljen e Shqipërisë së pavarur. “Dy shqiptarë, në fillim secili për vete, u munduan të formonin një komitet nacional reprezentativ, i cili do të kishte legjitimitet për ta shpall pavarësinë e Shqipërisë dhe qeveria e përkohshme të merrte pushtetin. I pari ishte shqiptar nga Shqipëria, Ibrahim bej Biçaku, nga Elbasani, i dyti Xhafer Deva, nga Mitrovica e Kosovës. Negociatat zhvilloheshin natë e ditë.” Nojbaheri paraqet vështirësitë që patën liderët shqiptarë në negociatat e brendshme në të cilat ai pohon se nuk u përzie. Pastaj informon se ishte arritë të formohej qeveria në formën e një Komiteti nacional, kryesues i të cilit ishte Ibrahin bej Biçaku, ndërsa Deva ministër i brendshëm. Sipas Nojbaherit, “ e vetmja gjë që posedonte Shqipëria në atë moment (kur u formua qeveria, plotësim imi) ishin format tradicionale të shoqërisë së saj: familja, klanet dhe fiset.” Pra, Nojbaheri nuk thotë në asnjë rast se u imponua ndonjë ligj nazist, madje asnjë vendim i Rajhut të Tretë. Bile edhe për ushtarët gjermanë thotë se aty ishin vetëm “mysafirë kalimtarë.”
Lidhur me formimin e divizionit “Skenderbeg”, të dhënat e Nojbaherit janë me rëndësi të madhe. Ai tregon se ka qenë kundër formimit të atij divizioni, por Himleri kishte arritë ta bindte Hitlerin për formimin e atij divizioni. Nojbaheri pohon se “detyra kryesore ishte shkatërrimi i aktiviteteve lokale partizane dhe këtë në kufijtë e Shqipërisë.” Nojbaheri tregon se ai personalisht nuk ka lejuar që divizioni të shkonte më Mitrovicë, nga frika se do të ndodhte hakmarrje ndaj serbëve. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka pasur të bëjë me formimin e divizionit “Skenderbeg”. Sipas Nojbaherit “qeveria shqiptare nuk kundërshtoi.” Shpresa e saj ishte që të përdorej më vonë si themel për formimin e ushtrisë e të xhandarmerisë, pra si kalkulim në politikat e brendshme e aspak si motivim për ta ndihmuar nazizmin. Veprimet e divizionit “Skenderbeg”, sipas tij nuk kanë të bëjnë me qeverinë shqiptare. Me rëndësi në këtë kontekst është angazhimi i Nojbaherit që të pengohej shkuarja në Mitrovicë, e cila në atë kohë ishte nën Serbinë e Nediqit. (Rrëfimi më interesant i Nojbaherit është pikërisht për Nediqin.)
Për më tepër, Nojbaheri dëshmon se Xhafer Deva e ka ndaluar dhunën ndaj serbëve! “Xhafar Deva, i cili në Kosovë ishte me ndikim, më premtoi se do të intervenonte që të ndalej përndjekja e serbëve. Ai në këtë pati sukses.” Pra, sipas fjalëve të protagonistit kryesor të atyre ngjarjeve, Xhafer Deva e ka ndalë dhunën ndaj serbëve!
Nojbaheri jep një të dhënë poashtu me interes për aktivitetet e Deves: “Xhafar Deva në korrik 1944, për shkak të sëmundjes, paraqiti dorëheqjen. Shkoi në Gjermani për mjekim. Ndërsa pas shërimit kishte si synim t’i përkushtohej tërësisht Kosovës dhe atje ta forconte pozitën e vet.” Bile sipas tij, Deva nuk planifikonte të largohej ng Kosova as pas kapitullimit të Gjermanisë. “Xhafar Deva kishte për qëllim që pas largimit të trupave gjermane, të qëndronte në vend dhe të vazhdonte luftën guerile. Pala gjermane lëshoi rastin t’i jipte pajisjet e domosdoshme teknike, prandaj nuk i mbeti tjetër vetëm se ta lëshonte vendlindjen .” Konkluzioni që del është se ai donte të vazhdonte ta mbronte Kosovën nga serbët dhe nga komunistët, pavarësisht se po largoheshin gjermanët. Pra, kauza e tij ishte lokale, shqiptare, nuk kishte lidhje me ideologjinë naziste.
Për të kuptuar sa më mirë realitetin e asaj kohe, është me interes edhe ky konstatim i Nojbaherit: “në mesin e shteteve ballkanike, në të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore isha aktiv, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ishin vende të okupuara. Ai që thotë që Rumania e Bullgaria ishin të okupuara, ai gënjen pafytyrësisht. Ato pohime bien në fushën e propagandës. Por as në Shqipëri armata gjermane, Vermahti, nuk kishte në duart e veta as aparatin ushtarak, as gjyqësinë. Shkurt, në ato vende as gjermanët e as unë, nuk mund të ishim okupatorë. Prandaj është gënjeshtër që njerëzit në ato vende janë pushkatuar pse kanë bashkëpunuar me okupatorin.” Sipas kësaj i bie që edhe veprimet e dhunshme që kanë ndodhë gjatë asaj kohe në Shqipëri (ku hynte edhe Kosova) janë përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe e lëvizjeve shqiptare, por qeveria nuk ishte qeveri kuislinge. Nëse Shqipria nuk ishte e okupuar në mënyrë klasike, i bie që e gjithe historiogarfia jonë duhet të rivlerësojë ngjarjet e asaj periudhe (1943-1944) nga e para. Sidoqoftë e vërteta e plotë duhet të hulumtohet në shumë dëshmi e dokumente të tjera. Dëshmia e Nojbaherit mund të shërbejë si indikacion, për t’u orientuar më mirë në hulumtimet që duhet të bëhen në arkivat gjermane, britanike, amerikane, etj. (fragment) 12 shkurt 2022 /Trungu & InforCulture

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here