Dasmat tradicionale shqiptare kanë pasur gjithmonë të veçantat e tyre, duke dalluar nga treva në trevë, por kryesisht edhe duke pasur të përbashkëtat e tyre, shkruan Trungu&InforCulture.info

Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, marrja e nuses kishte ceremonitë e veta të cilat gjithmonë përcilleshin me këngë e valle.

E kur jemi të këngët e dasmës, apo edhe kanagjeqit që bëhej nga familja e nuses, duhet të ndalemi e të bëjmë një analizë të asaj se çfarë përmbajtje kishin këto këngë.

Në kanagjeqin e vajzës që do të bëhej nuse, dy ditë para ditës kryesore të dasmës, ishte zakon të mbahej nata e kanës, apo siç mund t’a hasim në disa treva të Kosovës, nata e çikave.

Në këtë natë, mblidheshin gra e vajza, dhe e këndonin vajzën që do bëhej nuse. Vajza mbante një shami të kuqe mbi kokë, dhe gjersa vajzat e gratë tjera e këndonin, ajo qante.

Përmbajtja e këngëve që i këndoheshin vajzës ishte e atillë që në njëfarë mënyre t’ia rikujtonte vajzës vajzërinë, dhe t’ia bënte me dije se ditët e nusërisë do ishin më të vështira. Në këto këngë thureshin vargje duke përmendur me rend të gjithë familjaret e vajzës, si psh:

Qaj moj lule nën dritë të hanês
Kush s’ta hjek mallin e nanës

Kaj moj lule nën hije t’mollës
Kush s’ta hjek mallin e motrës

Dhe me këngë të tilla vazhdohej për pothuajse 4-5 orë të plota.

Ndërsa edhe ceremonia derisa vinin e merrnin nusen nga shtëpia e saj, ato që shkonin ta merrnin, e këndonin jo vetëm nusen, por i kushtonin vargje edhe gjithë familjes, ku përmbajtja e tyre zakonisht ishte e atillë sa t’iu bëhej me dije familjes së vajzës, që po i’a marrin një bijë, dhe se në shtëpi të burrit do e priste një jetë më e mirë.

Këngë të tilla kêndoheshin edhe përgjatë natës së heqjes së ‘duvakut’ të nuses, ku kjo ditë ishte një ditë pas ceremonisë kryesore.
Edhe në këtë ditë, të pranishme ishin vetëm gratë dhe vajzat.
Ato e kēndonin nusen duke i testuar asaj edhe dijen dhe respektin që ajo do kishte për familjen e burrit.
Atë e orientonin përmes këngëve që të bënte veprime të ndryshme, dhe në fund të të gjithë ceremonisë, hiqej edhe duvaku i nuses.

Për përmbajtjen e këtyre këngëve është folur shumë herë, dhe ajo çka vërehet qartë është se këngët kanë dallime në tekste duke dalluar nga treva në trevë.

Hyacinthe Hecquard (Iasint Ekuar), konsull i Francës në Shkodër, Kalorës i Legjionit të Nderit, në librin e tij “Historia dhe përshrkimi i Shqipërisë së Sipërme ose Gegëri, 1858”, përshkruan me hollësi Shqipërinë e veriut të asaj kohe.
Ndër analizat e ndryshme historike, gjeografike, politike, fetare në librin e tij prej 550 faqes, ai i ka dedikuar një kapitull të posaçëm traditave dhe zakoneve shqiptare në veri.

Hecquard ka arritur të përkthejë nga shqipja në frëngjisht këngët e dasmave shqiptare të asaj kohe. Ndoshta këto këngë vazhdojnë ende të jenë të njëjta në ditët e sotme, ndoshta jo.
Gjatë rrëfimit të traditave dhe zakoneve tona, autori thotë se nuses së Shqipërisë së veriut, qoftë ajo myslimane apo katolike, i këndohet (recitohet) nga shtëpia e saj deri tek ajo e burrit. Për çdo etapë të dasmës, ka një këngë të veçantë, e cila këndohet vetëm nga gratë

Pra nga kjo mund të kuptojmë se tradita e këngëve të dasmës shqiptare, është një traditë që ka rënë në sy edhe tek studiuesit e vendeve tjera, e vlera e tyre është vlerësuar si e lartë.

Kjo temë sa interesante është edhe e gjerë, mirëpo Trungu&InforCulture, tenton që përmes këtij shkrimi, të i’u sjellē në kujtesë dasmën tradicionale shqiptare, dhe të veçantat e këngëve të dasmave./Përgatiti: Trungu&InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here