Shkruan: Doruntina Grulaj
Mediet sociale janë platforma digjitale që njerëzve ua mundësojnë lidhjen dhe komunikimin në internet. Përmes platformave të ndryshme njerëzit mbajnë nga distanca lidhje private, me familjarët, shoqërinë, biznesin, gjithashtu mund të kenë qasje me informacione të ndryshme dhe të përdoren për shumë gjëra pozitive. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se mediet sociale kanë edhe aspektet negative në shëndetin mendor sidomos tek të rinjtë.
Përdorimi i tepërt i medieve sociale nga të rriturit, adoleshentët, si dhe keq menaxhimi i tyre e sidomos nga të rinjtë është duke dhënë edhe ekspozimin e tepërt të fëmijëve gjë që ndikon direkt në bullizim, ngacmime seksuale, dhunë psikologjike, ndryshim të shpeshtë humori, ndikon në vetëvlerësim, presion të rrethit shoqëror, rritje ankthi, stresi, depresioni e deri te vetëvrasja.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin dhe rrezikshmërinë mbi përdorimin e medieve sociale se është në rritje sidomos tek të rinjtë evropianë, dhe se ata janë edhe në rrezik të zhvillimit të varësisë ndaj lojërave online. Varësia psikologjike ose e sjelljes nga platformat e medieve sociale mund të rezultojnë në funksione të rëndësishme negative në jetën e njeriut.
Mediet sociale që shpesh konsiderohen më të dëmshme për shëndetin mendor përfshijnë:
Facebook, instagram, twitter, tiktok, snapchat, këto lidhen më ndjenjën e krahasimit dhe ankthit, sepse përdoruesit shpesh e krahasojnë jetën e tyre me atë të të tjerëve, debatet negative qe shpesh ndodhin në këto platforma, nxisin urrejtje, në anën tjetër mund të krijojnë presion për të qenë i njohur duke bërë budallallëqe dhe gjëra të dëmshme që të tjerët i marrin si shembuj, dhe kinse gjëra argëtuese. Kështu që këto platforma mund të jenë të dobishme në disa aspekte, por është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për ndikimet e tyre negative dhe të menaxhojnë kohën që kalojmë në to.
Për të shmangur stresin, depresionin, ankthin duhet që të menaxhojmë rrjetet sociale në mënyrë sa më pozitive, duke mos krahasuar veten me të tjerët, duke bërë përzgjedhjen e miqve, duke pasur fokusin tek vetja për të ndarë momente pozitive dhe arritje të jetës, gjithmonë duhet pasur kujdes të shtuar sepse postimet duhet të jenë të përzgjedhura dhe jeta private të mos jepet sepse ka shumë postime që nuk tregojnë realitetin, secili njeri haset në probleme dhe vështirësi, ne duhet ta pranojmë veten ashtu siç jemi.