Sipas shkencëtarëve, gorillat mund të ofrojnë të dhëna për të ardhmen e farmaceutikës dhe ilaçeve të ndryshme, kjo për shkak se këto kafshë vetëmjekohen.

Studiuesit në Gabon të Afrikës Qendrore, kanë studiuar bimët tropikale, të cilat gorillat e egra i hanë, dhe kanë identifikuar katër efekte shëruese që këto bimë ofrojnë.

Pas studimeve laboratorike, është zbuluar se këto bimë kanë përbërje të lartë të antioksidantëve dhe antimikrobikëve.

Sipas të dhënave, njëra prej këtyre bimëve madje ka dhënë efekte në luftimin e disa superbaktereve.

Dihet se majmunët e mëdhenj vetëmjekohen duke përzgjedhur bimë me veti shëruese, raporton “BBC”.

Një orangutan i plagosur, është bërë viral së fundmi, për shkak të përdorimit të një përbërjeje bimore për të shëruar plagën e tij.

Në studimin e fundit, shkencëtarët regjistruan bimët e ngrëna nga gorillat e ultësirës perëndimore në Parkun Kombëtar Moukalaba-Doudou të Gabonit.

Ata përzgjodhën katër prej tyre, të cilat kishin të ngjarë të jenë të dobishme, bazuar edhe në intervistat me mjekët popullorë vendës.

Lëvoret e katër pemëve të përzgjedhura: Ceiba pentandra, Myrianthus arboreus, Milicia excelsa dhe Ficus, të përdorura në mjekësinë tradicionale për të trajtuar gjithçka, nga ankesat e stomakut deri te infertiliteti, përmbanin kimikate me efekte shëruese.

Të katër bimët treguan aktivitet antibakterial, kundër të paktën një lloji rezistent të bakterit, Escherichia Coli.

“Kjo sugjeron që gorillat evoluuan për të ngrënë bimë që u sjellin dobi atyre dhe thekson boshllëqet e mëdha në njohuritë tona për pyjet tropikale të Afrikës Qendrore”, ka deklaruar doktoresha Joanna Setchell, antropologe në Universitetin e Durham-it, në Britani të Madhe, e cila qe bashkëpunëtore në këtë studim.

Hulumtimi është publikuar në revistën “Plos One”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here