Kur bëhet fjalë për ushqimin, shumë prej nesh e gjejnë veten duke preferuar ëmbëlsira si biskota, çokollata apo karamele.

Dhe pse një akullore e madhe me tre kupa apo një copë kek çokollate mund të shijojë shumë, a keni menduar ndonjëherë se pse keni neps për diçka të ëmbël? Arsyet janë pjesërisht fiziologjike, pjesërisht psikologjike dhe pjesërisht për shkak të mjedisit ku jetojmë.

“Trupi i njeriut funksionon pak si një makinë – i jepni karburant dhe pastaj ajo lëviz,” shpjegon dietologia Anna Taylor. “Nëse trupi nuk merr lëndët e duhura ushqyese, atëherë mund të shfaqen dëshira të forta për ushqime të caktuara.”

Çfarë lloj “karburanti” i duhet trupit?

Një konsum i balancuar gjatë ditës me karbohidrate të pasura me fibra, proteina dhe yndyra të shëndetshme për zemrën. Taylor shpjegon disa nga shkaqet kryesore që çojnë te nepsi për sheqer:

Nuk e kuptoni sa shumë varësi mund të krijojë sheqeri

Një arsye përse kemi dëshirë për sheqer është se ai ka shije të mirë. Shumë kompani ushqimore bëjnë kërkime për të përcaktuar përbërësit që tundojnë më shumë shijet e konsumatorëve.

“Truri ynë është programuar të na bëjë të shijojmë gjërat që na bëjnë të ndihemi mirë,” thotë Taylor. “Sheqeri, në veçanti, çliron kimikate në tru, si serotonina, që na bëjnë të ndihemi të lumtur.”

Kjo na lë me dëshirën për ta përjetuar atë ndjesi të mirë herë pas here, ditë pas dite. Shumë njerëz thonë se janë ‘të varur nga sheqeri,’ duke konsumuar sheqer të vërtetë dhe ëmbëlsues artificialë në forma të ndryshme.

Nuk po hani mjaftueshëm

A mendoni se po “bëni mirë” duke marrë vetëm një kafe për mëngjes dhe një sallatë për drekë? Në të vërtetë, po përgatiteni për të ngrënë shumë më tepër në pasdite dhe mbrëmje.

“Nëse kaloni shumë kohë pa ngrënë, trupi juaj do të dëshirojë burimin më të shpejtë të karburantit që mund të mendojë – drithëra dhe sheqerna të thjeshta,” paralajmëron Taylor. Këto janë karbohidrate boshe, si patate të skuqura, biskota dhe karamele, të cilat konsumohen shpesh gjatë ditës dhe përfundojnë si depozita dhjamore.

Jeni të stresuar

Ndoshta e gjeni veten duke kaluar nëpër kutitë e ëmbëlsirave kur ndiheni të stresuar. Herën tjetër që ndodh, shikoni nivelin e stresit. A jeni të shqetësuar për ndonjë prezantim të rëndësishëm në punë apo për drama familjare? Jo çuditërisht, në situata stresuese, gjithçka që dëshironi është një tas i madh akullore apo ndonjë ëmbëlsirë tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here