Ekziston miti i famshëm se njeriu e shfrytëzon kapacitetin e trurit të tij për rreth 10 për qind dhe se çka do të ndodhte sikur të përdorej tërësisht. Ky pra, mbetet vetëm një mit dhe s’ka bazë shkencore, bën të ditur Instituti për Neuroshkencë, McGovern, duke theksuar truri i njeriut është vazhdimisht në funksion dhe konsumon sasi të mëdha energjie.
Instituti amerikan në Massachusetts thotë se truri përbën vetëm dy për qind të peshës trupore, por gllabëron mbi 20 për qind të fuqisë. Kjo gjithashtu nuk ndikon nëse merreni me detyra matematikore, shkruani në kompjuter apo bëni joga.
“Edhe kur flemë, i gjithë truri ynë mbetet në mënyrë instiktive aktiv”, ka thënë studiuesja e çështjeve të trurit, Mila Halgren.
Si lindi miti?
Miti se e shfrytëzojmë vetëm 10 për qind të trurit ka lindur në fillim të vitit 1900, kur shkencëtarët nisën t’i eksploronin aftësitë e trunore. Ata nuk i posedonin mjetet për të kuptuar funksionimin e saktë të tij, por që dhanë deklarime bazuar në gjetjet e asaj kohe.
Studiuesi William James, themelues i psikologjisë amerikane, në librin shkencor “Energjitë e njerëzve”, pati lëshuar tezën se “ne përdorim vetëm një pjesë të vogël të burimeve tona fizike e mendore”. Kjo bëri që të përhapej mendimi se truri i njeriut shfrytëzohet minimalisht.
Në këtë periudhë, sipas Institutit amerikan, ishte hedhur edhe ideja se fizikani Albert Einstein, e shfrytëzon mbi 10 për qind të kapacitetit të trurit, duke e shndërruar në një gjeni të kohës.
Megjithatë, miti mbetet mit. Nuk ekziston teori e faktuar se njeriu e shfrytëzon vetëm 10 për qind të trurit.
“Njerëzit mund të mendojnë se truri ynë është i pashfrytëzuar në kuptimin që disa neurone (qeliza nervore të sistemit nervor v.j.) aktivizohen shumë rrallë, – një herë në disa minuta ose më pak. Por, kjo nuk është aspak e vërtetë për shumicën e neuroneve, pasi disa prej tyre ndizen qindra herë në sekondë”, ka deklaruar studiuesja Halgren.
Me evoluimin e neuroshkencës, shkencëtarët argumentuan gjithashtu se një pjesë e madhe e trurit del të jetë joaktive, pasi disa njerëz përjetojnë lëndime trunore dhe megjithatë lidhjet nervore mund të funksionojnë ende.
“Të gjitha hemisferat e trurit mund të largohen gjatë fëmijërisë së hershme dhe pjesa tjetër e trurit do të rilidhet, duke e kompensuar humbjen. Me fjalë të tjera, truri do të shfrytëzojë 100 për qind të kapacitetit që ka, por që mund të përballojë më pak”, thuhet tutje nga studiuesja.
A ka truri kufi dhe a mund t’ia rrisim kapacitetin?
Nëse do të përdornim plotësisht trurin tonë, a do të kishim probleme? A ka enigma në botë që s’do të arrijmë t’i zbulojmë kurrë?
“Këto çështje që shtrohen ende diskutohen”, thotë Halgren. “Mund të ketë disa probleme që truri i njeriut nuk është në gjendje kurrë t’i zgjidhë”.
Në esencë, Instituti amerikan për studime thotë se truri mund të ketë kufijë të operimit, por ka edhe mundësi që ai “të përshtatet” dhe të rrisë mundësinë e kapacitetit punues.
“Ju mund të rrisni fuqinë e trurit tuaj, por s’ka asnjë truk që do t’iu lejojë ta bëni këtë. Ashtu si secili organ në trupin tuaj, edhe truri punon më mirë kur s’është i ngarkuar, stërvitet, ka stres të ulët dhe dietë të balancuar ushqimore”, ka shtuar Halgren.
“E vërteta është se kurrë s’do të mund t’i riorganizojmë mobiliet me mendjen tonë ose të parashikojmë se cili ekip do të fitojë ‘Super Bowl’”, thotë ajo.