Thoma Aleks Ristani (Davidhi)-(Lindur 18 – Vdekur më 1936)-(Fshati Nikas-Fier.)
- Ish zv.prift, dhjak, psalës dhe ndihmës mësonjës i shkollës në gjuhën greke, pranë Manastirit të Kolkondasit.
- Ish kryeplak i fshatit Nikas.
- Rreth viteve 1900-të, ai psali për herë të parë në Gjuhën Shqipe në kishën e Shën Mërisë të Kolkondasit.
- Për këtë veprim ai u përjashtua nga Kisha, u Shkishërua prej dhespotit grek, largua si kryeplak i fshatit Nikas, dëbua nga familja dhe krahina e Myzeqesë prej regjimit okupator osman.
- Pas dëbimit nga shtëpia në moshë të re, i veçuar me forcë nga familja, ai u vendos i vetëm me banim në qytetin e Vlorës(Skelë).
- Për disa vjet qëndroi në emigracion në Itali(Otranto), Çamëri(Janinë) dhe Greqi(Athinë).
- Në bashkëpunim me disa student myzeqar të gjimnazit “Zosimea” në Janinë(Çamëri), krijuan edhe një “Shoqëri të Fshehtë” për hapjen e shkollave shqipe në Myzeqe dhe mbrojtjen e tyre me armë.
- Aty rreth viteve 1903-1904, me tu kthyer në atdhe, ai hapi në Skelë edhe rrobaqepësinë e parë të modës italiane e perëndimore.
- Ka marr pjesë në dy kuvendet e Fierit të organizuar e drejtuar nga Ismail Qemali, më 24 mars dhe 12 gusht 1912.
- Më 27 nëntor 1912, së bashku me patriotin Jani Minga dhe fotografin Petro Dhimitri, bleu tek tregtari vlonjat Diamanti pëlhurën e kuqe dhe qepi Flamurin tonë Kuq e Zi, që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912.
- Në vitin 1936 u (helmua) me urdhër të regjimit antipopullor të Ahmet Zogut, si element gjoja i rrezikshëm, i lidhur me revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit, si bashkpuntor i patriotit Jani Minga dhe përkrahës i Fan Stilian Nolit.
Në librin e tij “100 vjet Shtet Shqiptar”, Blendi Fevziu për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit Kuq e Zi në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, duke ju referuar dorshkrimit të rilindasit, juristit dhe Ministrit të Drejtësisë Petro Poga, botuar në vitin 1936, që ruhet në arkivin e shtetit, ndër të tjera shkruan:
“…Flamuri që është ngritur në Vlorë nga Ismail Qemali, ka qenë një pëlhurë e kuqe, 3 metro e gjatë dhe dy metro e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja me bojë të zezë. Pëlhura e kuqe u ble tek një tregtar i quajtur Diamanti dhe u qep tek një rrobaqepës, i quajtur Thoma…”.
(Thoma Ristani-shënimi ynë).
Edhe ky patriot myzeqar, ashtu si qindra të tjerë, me urdhra të veçantë, u la qëllimisht në errësirë, për dekada e shekuj të tërë, si nga shteti Zogist ashtu dhe ai monist, së bashku me strukturat dhe servilët e tyre pseudohistorian, për të abuzuar me këtë ngjarje të madhe historike për popullin dhe kombin tonë.
Megjithatë e vërteta nuk mund të qëndronte përgjithmonë në mjegullën e harresës, pasi ajo jetonte në mendjen dhe zemrën e myzeqarëve tanë, që e ruajtën me breza të tërë, njeri pas tjetrit e djalë pas djali, deri në ditët tona.
Ja si e përshkruan në poemën e tij Andy Apolloni flamurtarin tonë patriot myzeqar Thoma Aleksi Ristani, që qepi Flamurin Kuq e Zi, të cilin e ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912, mbi bazën e kujtimeve të vajzës së tij Dhoksi Thoma Ristani(Tushe) dhe djalit Todi Thoma Ristani.
Thoma Aleks Ristani
1.
Gjithmonë në Kolkondas, i ndezur qe zjarri
Për shekuj me radhë, gjatë tërë historisë
Dhe kurrë se la të shuhej, atë myzeqari
Se ky do ti sillte, shumë dritë Shqipërisë
2.
Asnjë zgjedhë barbare, ky fshat nuk duroi
Ndër luftëra me turqit, u dogjë dhe shkretua
Çdo herë me asqer dhe me xhandarë luftoi
Dhe përballē robërisë ai kurrë s’u nënshtrua
3.
Se dhe ne si çdo komb, kishim mjaft të drejtë
Që në shqip ti kryenim dhe lutjet para Zotit
Siç bënin të gjithë, grekët, edhe hebrenjtë
Dhe si të parët tanë, në kohët e Kastriotit
4.
Për herë të parë, këtu thanë dhe priftërinjtë
Ta flaknin greqishten, jashtë prej Manastirit
Askush më si pyeti, grekët dhe osmanlinjtë
Në gjuhën tonë u lutën, të gjithë pranë qiririt
5.
Në shqip i nisi psaljet edhe Thoma Ristani
Djaloshi atdhetar, në kishë tek Shën Mëria
E uroi gjithë Myzeqeja, gëzoi dhe tërë vatani
Se në këtë gjuhë të bukur, flet dhe Perëndia
6.
Nxitoi dhespoti grek dhe shpejt mori vendim
Prap palë na u bë, bashkë me kadiun turk
Menjëherë e SHKISHËROI, klerikun tonë trim
Që psalësin sa më parë, ta fusnin dhe në burg
7.
E shkarkuan që nga detyra, edhe si kryeplak
Sepse për Anadollin, qe bërë i padëgjueshëm
E quajtën dhe të rrezikshëm, sikur të ish kaçak
Edhe për kishën greke, nuk qe i dëshirueshëm
8.
Me kohë edhe zabiti, urdhrin e kish dhënë
Dyzetë e ca xhandar, në fshatin Nikas shkuan-
Të lidhur këtë djalë, përpara na e patën vënë
Me dhunë që nga shtëpia, Thoman e dëbuan
9.
Me hidhërim të madh, kishte folur dhe Aleksi
Kur ja dënuan të birin, me një vendim prej gjyqit
Dhespotëve të Athinës, u duhet prerë oreksi
Se po na i vrasin djemtë edhe me anë të kryqit
10.
Sa shumë qe mërzitur, mësues Kozma Dhima
Dhe Spiro Saqellari, i mallkoi klerikët e grekut
Por çeta e Kolkondasit, qe bërë gati me trima
Që ndaj asqerëve turq, t’ja niste dhe dyfekut
11.
Mjaft lekë na u hodhën, që këtë trim ta vrisnin
Nga disa pasanik dhe ekstremist slamik
Që trojet edhe pronat, pastaj t’ia grabisnin
Dhe jeta e këtij trimi, qe vënë tepër në rrezik
12.
Por edhe disa të shitur, e njerëz të pafytyrë
E hapën edhe lajmin, si shtrigat nëpër gjerde
Se kush do ta bënte, këtë krim kaq të ndyrë
Një shumë lirash të majme, vrasësi do të merte
13.
Drejt Vlorës shkoi djali dhe atje mori gjëminë
Ashtu si ai zogu, që shkon nëpër shtrëngatë
Dhe derdhi shumë lot, kur pas la Shqipërinë
Se për atë do vuante, një kohë mjaft të gjatë
14.
Pas disa orësh ankthi, në Otranto ai mbriti
I mbetur në mes rrugësh, tek një kishë u drejtua-
Asnjë njeri nuk njihte dhe askush nuk e priti
Dhe në këtë vend të shenjtë, ca ditë u strehua
15.
Qe lodhur shumë fare, duke bërë çdo punë
Njësoj porsi të gjithë, emigrantët nëpër botë
Një prift arbëresh poqi, në kishë një të shtunë
Mirë se ke ardhur more vëlla, ky Ati na i thotë
16.
Dhe ky arbëresh e ndihmoi, shumë dhjakun tonë
Tek një rrobaqepës e çoi, të merrte dhe zanatin
Që kish qenë i dëgjuar, në të gjithë atë zonë
Dhe kështu të dy bashkë, u bënë miq me Fratin
17.
Por edhe unë i tha prifti, jam prej Myzeqesē…
Se të parët e mi, që prej andej kanë ardhur
Dhe detit plot me dallgë, i dolën mes për mes
Kur turku u patë rënë, një natë duke zbardhur
18.
Plot ngjarje kish rrëfyer, shpesh herë vet Thomai
Si gjyshërit e këtij frati, patën vuajtur me detin
Dhe një këngë e kishin bërë, tërë dhimbje e vaj
Për barbarët osman, që vranë të tërë miletin
19.
Shumë shpejt Thomai u bë, një usta me nam
Gjithmonë qe i dashur, edhe me duar të arta
Kostumet e tij morën shumë emër edhe famë
Qenë tepër të kërkuara, dhe për shtresat e larta
20.
Mjaft kohë në mërgim dhe i mbushur plot mall
Vendosi që të kthehesh, në shtëpi për një vizitë
Të ç’mallej dhe me prindërit, sa i kish të gjallë
Që mbetën duke pritur, të birin për çdo ditë
21.
Qe krejt e pamundur, për të ardhur në Vlorë
Por as që të futej dhe që nga porti i Durrësit
Se mund që t’ia vinin, përsëri prangat në dorë
Prandaj na u nis, për në drejtim të Korfuzit
22.
Prej andej ai mbërriti, në vendlindjen e bukur
Me Nikasin u shmall dhe me tërë njerëzit e vet ..
E pa dhe manastirin, ku në shqip trimi qe lutur
Se larg mëmëdheut, kish qenë për disa vjet
23.
Patë shkuar dhe njoftimi, nga spiunët në Fier
Kudo nëpër udhë, të tërë hafijet na mbetën
Na u nisën dhe taborët, të mbushur me asqer
Por çedo se këtë trim, në fshat nuk e gjetën
24.
Me vete kish prurë dhe një sasi napolonash
Dhe meqenëse xhandarët, në Fier nuk e lanë
Atëherë ky patriot, me këtë shumë të hollash
Patë blerë në Skelë të Vlorës, edhe një dyqan
25.
Por dhe në Vlorë na e kanosën, këtë atdhetar
Një hajn me kobure, çdo herë e gjurmonte
Turkoshak e grekofil dhe kaçak e vrastar
E detyruan të largohej e përsëri të mërgonte
26.
E mori prap rrugën dhe shkoi drejtë Janinës
Ku populli ynë çam, kish kohë mjaft të vështira
Kristianët i bënë grek, në kombësinë e Athinës
Ndërsa myslimanët i përzun, nëpër shkretëtira
27.
U mundua të studionte edhe në “Zosimea”
Në këtë gjimnaz me nam e të njohur francez
Por këtij të “shkishëruari”, kurrë s’ju dha leja
Pasi emrit tij i vunë, një njollë shumë të zezë
28.
Helenët ua ndalën, shqiptarëve edhe shkollën
Kur tërë bota e kishte shpallur, diturinë të lirë
Edhe me nxënësit e tanë, porsi xhelat u sollën
Pasi donin që ti linin, gjithmonë në errësirë
29.
Ndamë halle e derte, me vëllezërit tanë çam
Shpesh thoshte vet Thomai, ky patriot i madh
Kundër grekëve në protesta, sëbashku u çuam
Dhe Janinën e tundëm, për disa ditë me radhë
30.
Pran liqenit të Janinës, u mblodhën myzeqarët
Në një shtëpi gjatë natës, rreth orëve të vona—
Një “Shoqëri të Fshehtë”, krijuan mëmëdhetarët
Që në Myzeqe të çelnin, kudo shkollat tona
31.
Një nënë e mirë çame, e veshur me të zeza
O bir i tha Thomait, dhe Ty të kanë bënë si turk
Në gjak u mbytë Arta, ska më shqiptar Preveza
Ik shpejt se do të vrasin, apo të çojnë në burg
32.
Kudo ish terror, dhe zjarr nga të katëra anët
Kurrkund nuk qe parë, si kjo far lloj mynxyre
Na i vrau greku çamët, më keq se osmanēt
Nga shtëpitë i përzunë dhe nga trojet e tyre
33.
Shpejt iku nga Janina dhe në Athine u sosë
E takoi dhe Jani Mingën te “Kafja e Ballkanit”
Dhe shtruar bashkë me të, Thomai na u llafos
Për Myzeqenë e vuajtur dhe hallet e vatanit
34.
Mjaft i gëzuar u ndje, kur tok me të u poqën
Se kishin shumë vjetê, që s’ishin parë të dy
Dhe atij i tregoi, kur prej shtëpisë e ndoqën
Se gjuhën tonë osmanēt e kishin halë në sy
35.
Më treguan i tha Jani, për trimërinë që kryet
Kur te kisha e Shën Mërisë, si një bilbil ti psale
Të uroi çdo myzeqar, për guximin që rrëfyet
Gjithë kombi të nderoi, kur Zotit shqip ju fale
36.
Me Janin në Athinë u bënë punë të mëdhaja
Se e donim Shqipërinë, që ta shihnim si një zonjë
Luftuam thosh Thomait, për të drejtat e saja
Që kurrë më të mos vuante e lidhur në vargonj
37.
Tërë qytetet e Greqisë, studenti ynë i brodhi
Se ky trim atdhetar, nuk mund që të priste
Kudo mërgimtarët, të gjithë bashkë i mblodhi
Dhe për Shqipërinë e pavarur, oratori u fliste
38.
Një ditë Jani Minga, i kish pasë thënë Thomait
Se Greqinë edhe shkollën, ne duhet që ti lemë
Atdheu nuk ’i lihet, më në dorë Esad pashait
Ndaj pas Ismail Beut, në Shqipëri do të vemë
39.
Të ngjeshim mirë koburet e rrëmbejmë dyfekēt
Dhe zot ne ti dalim, të gjithë tok Mëmëdheut
Ta shpëtojmë sot vatanin, nga sërbët edhe grekët
Se duan të na zhdukin, që nga faqja e dheut
40.
Kur thirrjen dha vatani dhe lëshoi kushtrimin
Myzeqarët tanë u nisën, të tërë që prej kurbeti
Dhe nga çdo anë e botës, e morën fluturimin
Në Shqipëri u gjendën, sa kish filluar kiameti
41.
U kthye dhe Thomai e shkoi drejtë e në Skelë
Në shtëpinë e tij të vogël, që kish blerë në Vlorë
Rrobaqepsinë e parë e hapi, këtu ky djalë rrebel
Dhe biznesit se ç’ja nisi, sipas stilit perndimor
42.
Tërë rrobat na i qepte, në modelet allafrënga
Mësuar në Itali, kur e pat lënë Mëmëdhenë
Sa bukur që na qepte, na i shkonte dhe kënga
Kur shtruar vet ja merte, ustai për Myzeqenë
43.
Myshterit na i kishte, nga njerëz të mëdhenj
Dhe tek Thomai na faleshin, zotërinjtë të tërë
Priftërinj edhe hoxhallar, megjithë bejlerbenj
Në dyqan na i shkonin, gjithmonë sërë sërë
44.
Vet metrin ja u vinte, me radhë efendinjve
Dhe masat ua merte, për pikë të merakut
Me mjekëra e me çallma, të tërë osmanllinjve
Pazarin ua priste, të majmë e sipas barkut
45.
Të tjera çmime na kish, për tërë njerzit e varfër
Ndërsa për shok e miq, shërbente edhe falas
Dhe hallet ja u qante e u qëndronte nga afër
Gjithmonë ai i ndihmone, me shpirt fukarasë
46.
I thjeshtë dhe gojëmbël, ai qe me gjithëkënd
Zemërbardh e bujar, që nuk i gjendej dot shoku
Çdo herë fjala e tij, peshonte shumë rëndë
Në kuvende me burra, shpesh fliste babëloku
47.
Me buzën plot gaz edhe fytyrën të qeshur
Këtë myzeqar fisnik, të gjithë njerëzit e donin
Dhe me kostume të bukura, si princ rrinte veshur
Tërë Skela edhe Vlora, pa masë e nderonin
48.
Sa histori të ndritur, që kishte kjo rrobaqepsi
Se këtu hynin dhe delnin, gjithmonë patriotët
Dhe Thomai na i priste, çdo herë me kënaqsi
Të tërë burrat e kombit, dhe ata më të zotët
49.
Kjo shtêpizë që ndriçonte, me rreze porsi dielli
U bë strehëz e ngrohtë e mësuesit Jani Minga
Kur plot me re të zeza, ishte mbuluar tërë qielli
Dhe ai hapte shkolla shqipe, në ato kohë të liga
50.
Të gjithë kapedanët, me radhë atje na vinin
At Spiro Saqellari, megjithë Kozma Dhimën
Dhe sëbashku e vendosnin, ku turkut ti binin
Me çetat myzeqare dhe Llazi Spiro vetëtimën
51.
Aty bëheshin shpesh, mbledhjet e patriotëve
Dhe kuvendonin tok, heronjët tanë pavarsista
Larg hafijeve të Turqisë edhe të dhespotëve
Që kudo na përgjonin, të bënin punë të pista
52.
Këtu thoshte Thomai, na lindi dhe mendimi
Që “Shoqatës së Janinës”, ti jepej titulli nderit
Dhe me një emër tjetër, ju bë dhe pagëzimi
Duke e quajtur si ”Komiteti i Fshehtë i Fierit “
53.
Për të hapur shkolla shqipe, në të gjithë nahinë
Dhe me armë në dorë, ti mbronim në çdo kohë
Që poshtë nga Vjosa, gjer lartë në Shkumbin
Se vetëm kështu Europa, ateherë do të na njoh
54.
Nga Skela drejtë Fierit, shpesh vinte ky djalë
Se hallet dhe dënimet, kurrë nuk i qenë sosur
Në Nikas gjatë natës, na shkonte mbi një kalë
Dhe me vete na merte, një shok të armatosur
55.
Se gjatë asaj kohe, s’kish fare ditë të qeta
Dhe as për këtë trim e atdhetar të vatanit
I futur në shumë lista, për ta ndarë nga jeta
Çdo ditë na e ndiqnin, hordhitë e dushmanit
56.
As zgjedha osmane, më kurrë s’po durohej
Ngado çetat tona, qenë në luftë me taborët
E gjithë njerëzia, ishte bërë gati që të çohej
Dhe me forcë ti flakte, jashtë tërë okupatorët
57.
Por shekulli i njëzetë, ca kohë të reja na pruri
Për trojet arbërore, prap shpresa u ngjallë
Shqipërisë përsëri, po i ndriste shumë nuri
Me plakun tonë vlonjat, që priu kombin në ball
58.
Dy herë Ismail Vlora, në Fier patë zbarkuar
Në mars edhe gusht, të senesë dymbëdhjetë
Nga sarajet e Vrionëve, ai vet kishte deklaruar
Se tërë trojet shqiptare, do ti bënte në një shtet
59.
Kish qenë në këto kuvende dhe Thoma patrioti
Kur nisi që të kryhej dhe misioni ynë i shenjtë
Gjithmonë me Jani Mingën, në ato kohë baroti
Sapo filluan themelet e vatanit tonë të shtrenjtë
60.
Rreth tyre myzeqarët, na u ngritën në këmbë
Dhe fatin e nahisë, në duart e veta ç’e morën
Me asqerët na u ndeshën, dhëmb për dhëmbë
Nga Fieri osmanllinjtë, me armë na i hporrën
61.
Plot me zjarr ish Ballkani dhe luftrat qenë gati
Shumë shpejt diplomati, prap erdhi në Durrës
Që të mbronte vatanin, se më s’ priste sahati
Megjithë Luigj Shkodrën edhe trimat e shpurrës
62.
Por në Durrës se lanë, që ta bënte kuvendin
Për ti shpallur më vete, tërë trojet shqiptare
Dhe tok ta bashkonte, me forcë të gjithë vendin
Që e lirë të fluturonte, prap shqipja krenare
63.
Drejt Vlorës u nis, për të mbritur më shpejt
Në datën e shenjtë dhe të shënuar historike
Në shi dhe në furtunë, kur rridhnin tërë qiejtë
Shkoi larg si apostujt, nëpër kohërat biblike
64.
Shkumbinin çe hodhi, mu tek Vau i Kishës
Dhe në Çermë pleqëroi, me Dërvish Biçakun
Të nesërmen sa e lidhi, kollaren e këmishës
U largua mjaft herët, të kapte Karatoprakun
65.
Myzeqarët na e pritën, me çeta Ismail Beun
Dhe gjer brenda mu në Vlorë e çuan të sigurt
Për ta bërë më vete dhe me shtet Mëmëdheun
Por edhe atje e mbrojtën plakun tonë të urtë
66.
Qe zënë Jani Minga dhe shumë punë na kishte
Sepse dhe zot dasme, qe caktuar nga Ismaili
Dhe gjatë tërë asaj feste, në ball ky trimi ishte
Duke mbajtur dhe fjalime e ligjëruar porsi bilbili
67.
Në Vlorë një porosi, na e dha shpejtë Diplomati
Megjithse s’kishte saraje dhe as zyra e kolltuqe
Urgjent shkoi mësuesi ynë, tek tregtar Diamanti
Dhe me Thoman na blenë, një pëlhurë të kuqe
68.
E qepi Thoma Ristani, me makinë këtë pëlhurë
Shqipërisë i këndonte dhe mjaft lutej për zonjën
Shumë bukur e qëndisi, myzeqari këtë flamur
Pastaj Petro Dhimitri, mbi të vuri dhe shqiponjën
69.
Këtë flamur Ismaili e ngriti vet në mes të Vlorës
Atë ditë tepër të shenjtë, të njëzetë e tetë nëntorit
Dhe jo atë që gjoja, na u qëndisë prej Marigonës
Apo të tjerë, që u sajuan me urdhëra të eprorit
70.
Dikur na e mallkonin, pse kish qepur flamurin
Dhe në çdo vend e ndiqnin, haxhiqamilistët
Me ngulm e kërkonin, që të na e vrisnin burrin
Pasi kish qenë i lidhur, ngusht me pavarsistët
71.
Në Skelë prap çdo vit, flamuj të kuq na qepte
Dhe me kujdes i paloste, në baulet e drurit
Për çdo nëntor me dëshirë, ai nxënësve ua jepte
Që ta kremtonin këtë festë, në”Sheshin e Flamurit”
72.
Një kokëkrisuri zogist, mendja i kish shkrepur
Pas shkrimit që bëri, për flamurin Petro Poga
Dhe Thoman e urdhëroi, të thosh se kam qepur
Ku ustait si shpërblim, do ti lidhej edhe rroga
73.
Por Thomai nuk e pranoi, fare këtë lëmoshë
Pasi mjaft mirë e dinte, se qysh hidhej tërkuzi
Dhe kurrë nuk u mashtrua, as nga ky kodosh
Ndaj plot me neveri, këtë ballgur na e përbuzi
74.
Me një turkofil në Fier, ai patë këmber disa llafe
Por menjëherë e la hanin, dhe fluturoi me pelën
Këtu na e helmuan, flamurtarin tonë me një kafe
Duke e ndarë nga jeta, me Vlorën dhe me Skelën
75.
Por vepra e këtij trimi, gjithmonë do nderohet
Me flamurin Kuq e Zi që qepi, në ato ditë Nëntori
Për shekuj me radhë, Thoma Ristani do të kujtohet
Në”Sheshin e Pavarsisë”, si një ikonë shenjtori
(A. J. APOLLONI)
Nga :
Themi J. Tushe
New York-Tiranë-Pishë Poro Fier.
July-August 2024.