Njerëzit që gjatë fundjavës kompensojnë gjumin që nuk mund ta bënin të plotë gjatë javës, kanë 20% më pak rrezik të sëmuren nga zemra.
Analizimi i të dhënëve i më shumë se 90 mijë njerëzve që u morën nga Biobank në Britani sugjerojnë se kompensimi i gjumit të humbur gjatë javës, me disa orë më shumë gjumë në fundjavë, mund t’i ulin efektet negative që vijnë nga pagjumësia, shkruan “The Guardian”.
Gjetjet që u prezantuan në European Society of Cardiology Congress 2024, kanë treguar se njerëzit që kompensonin gjumin e humbur patën 20 për qind më pak rrezik të sëmureshin nga zemra, krahasuar me ata njerëz që nuk e kompensonin gjumin e humbur.
Një nga autorët e studimit, Yanjun Song, nga Qendra Kombëtare Kineze për Sëmundje të Zemrës në spitalin Fuwai në Pekin, ka thënë se kompensimi i gjumit të humbur ulë për 20 për qind rrezikun nga sëmundjet e zemrës.
“Këto gjetje vihen edhe më shumë në pah te personat që gjatë javës e bëjnë gjumin në mënyrë të çrregullt”, ka thënë ai.
Profesori James Leiper, nga Fondacioni Britanik për Zemrën, i cili nuk ishte i përfshirë në studim ka thënë se shumë persona nuk mund të flenë për shkak të punës e obligimeve familjare.
“Ndërkohë që fundjava nuk mund ta zëvendësojë pushimin e trupit që bëhet gjatë natës, studimi sugjeron se ky gjumë mund të ulë rrezikun nga sëmundjet e zemrës. Ne e dimë që mungesa e gjumit mund të ndikojë në mirëqenien tonë në përgjithësi dhe ky studim është një rikujtim i rëndësishëm se sa e rëndësishme është vetëm që të përpiqemi të bëjmë gjumë të rregullt”, ka thënë ai.