Çdo botim nga autorë të huaj, të cilët si subjekt kanë çështje të ndryshme nga hapësira etnogjeografike shqiptare, janë me interes për lexuesit të cilët kanë kureshtje për temat e trajtuara. Ne gamën e autorëve të tillë bën pjesë edhe Branisllav Nushiqi, ku kohë më parë të pëkthyer në shqip i është botuar libri “Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik” botoi ”Naimi”, Tiranë, 2021

Kemi të bëjmë me një libër të veçantë, ku autori ka paraqitur shënime udhëtimi nëpër viset shqiptare që janë shkruar në vitin 1894, dhe botuar për herë të parë në vitin 1903. Ndërsa në shqip na vjen i përkthyer nga gazetari e publicisti Fahri Musliu, dhe botuar nga “Naimi”, në Tiranë në vitin 2021.

Alkibijad Nusha (1864-1938) ka lindur në Beograd në familje tregtare vllahe, ku këtë emër e ka mbajtur deri në moshën 18-vjeçare, ku përcaktohet me emër e mbiemër si Branisllav Nushiq. Ndonëse me profesion ka qenë jurist, por në opinion është i njohur me krijimtarinë e tij letrare. Ka shkruar romane, drama, tregime e ese. Është marrë edhe me gazetari e diplomaci, dhe pozita drejtuese në institucionet e ndryshme kulturore si në Manastir, Novi Sad, Shkup, Sarajevë, Beograd e të tjera.

Në lidhje me prejardhjen e tij, përkthyesi F. Musliu cek se Nushiqi nuk jep ndonjë shpjegim, por ai në Serbi konsiderohet shkrimtar serb me prejardhje vllahe. Por, F. Musliu  me tutje cek se “sipas një miku timi, hulumtues i arkivave, mësoj se ka ekzistuar një letër testament  i Nushiqit dërguar të bijës së tij, ku ai flet për prejardhjen e tij shqiptare dhe se ky dokument ka ekzistuar në Arkivin e Kosovës, por tani nuk ekziston më. Një dokument të tillë nuk e posedon as Arkivi i Serbisë, as Fondacioni i Nushiqit”. Pavarësisht këtyre të dhënave  apo të tjerave deri më tash nuk ka ndonjë konfirmim të saktë të prejardhjes së tij kombëtare, çështje e cila mbetet e hapur për hulumtime nga studiues të ndryshëm.
Nga opusi krijues i Nushiqit janë me interes edhe katër libra udhëpërshkrimesh që kanë të bëjnë me shqiptarët: “Kosova” (përshkrimi i tokës dhe popullit), “Nga Kosova e  deri në detin e kaltër” (versioni në gjuhën shqipe del botohet me titullin Nga Kosova deri në bregdetin Adriatik”), “Në brigjet e liqenit të Ohrit” dhe tregimin “Mbrëmjet e Ramazanit”.

Këtë libër duhet analizuar në kontekstin e kohës kur autori ishte zëvendëskonsull në konsullatën serbe në Prishtinë. Kemi të bëjmë me një autor të njohur si shkrimtar, e në veçanti si dramaturg, por edhe intelektual i cili na ofron pikëpamjet e veta në lidhje me rrethanat shoqërore e politike në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë.

Autori i këtij botimi dëshmon se ka qenë i informuar për botime nga autorë të ndryshëm të cilët kanë shkruar për Kosovën dhe shqiptarët, të cilët i ka cituar në raste të veçanta. Pavarësisht se kemi të bëjmë me një udhëpërshkrim i cili daton për vitin 1894, të dhënat e prezantuara duhet kuptuar nga qasja e autorit i cili ishte në shërbim të diplomacisë serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse Serbia në atë kohë në Kosovë kishte shërbimin konsullor në Prishtinë, ku bënte pjesë edhe vetë Branisllav Nushiqi, në cilësinë e zëvendëskonsullit.

Andaj, interesimi i veçantë për shqiptarët dhe pjesëtarët e popujve të tjerë në Kosovë dhe më gjerë, e sidomos serbët dhe ortodoksët nuk ishte rastësi, por strategji e politikës dhe e diplomacisë serbe të kohës.  Duhet kuptuar se Nushiqi në cilësinë e diplomatit shtetëror ishte i detyruar t’i përmbahet politikës së jashtme të shtetit që përfaqësonte dhe të qëndrimeve të tij ndaj shqiptarëve dhe hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Në këtë udhëpërshkrim autori fillon nga Kosova, përkatësisht Prishtina, duke vazhduar tutje në qytete e vise shqiptare e përfunduar në detin e kaltër që ishte ëndrra e politikës serbe për dalje në Adriatik. Të dhënat e prezantuara janë komplekse si nga aspekti gjeografik, historik, etnografik, antropologjik dhe të raporteve shoqërore, kombëtare e fetare, nga del se kemi të bëjmë me një autor të përgatitur me njohuri përkatëse, por edhe me qasje intelektuale për çështjet e trajtuara.

Por, duke lexuar këtë libër lexuesi  për shumë çka  nuk mund të pajtohet me  qasjen e autorit, por duhet kuptuar se ky udhëpërshkrim ishte sipas  konceptit të politikës serbe të kohës.

Nga ajo që njohim deri më tash del qartë se Nushiqi është shkrimtari dhe diplomati i parë dhe i vetëm me prejardhje joserbe që aq shumë është marrë  me shqiptarët dhe viset shqiptare, që, ndoshta flet edhe për interesimin dhe përpjekjet që të zbulojë edhe prejardhjen e tij etnike.

Përkthyesi i këtij botimi F. Musliu nuk  ka hezituar për të dhënë shënime   plotësuese për çështje të veçanta, duke u lehtësuar lexuesve për të kuptuar më lehtë tekstin e prezantuar. Por, duke marrë parasysh se në këtë botim janë evidentuar një numër i madh i emërvendeve gjeografike, disa kanë mbetur të shënuara  në formën sllave, pa prezantuar formën tradicionale që përdorët nga popullsia shqiptare, andaj në ribotimin eventual të këtij libri duhet të përmirësohen. Nuk ka dilemë se lexuesi shqiptar me përkthimin e këtij libri në shqip ka mundësi që të njihet më për se afërmi, me një vepër pak të njohur të autorit, e cila ofron të dhëna me interes për hapësirën shqiptare.

Ndonëse kemi të bëjmë me një botim i cili është udhëpërshkrim, ky libër ofron të dhëna me interes për hapësirën etnogjeografike shqiptare, të shkruara me mjeshtëri nga autori, në fund të shekullit XIX, dhe si i tillë për disa çështje mund të përdoret si referencë nga studiues të ndryshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here