Nga Gjekë Gjonaj

Gjama e burrave, është një traditë që është përdorur nga burrat shqiptarë – malësorë  vetëm për burrat e vdekur. Ky ritual mortor në trevën e Malësisë së Mbishkodrës  është aq i vjetër sa edhe  në malësitë –krahinat tjera  veriore  shqiptare në Shqipëri, në   Kosovë, në Labëri  dhe në arbërorë të Greqisë. Sipas studiuesve vendas dhe të huaj  të kësaj fushë  riti i gjëmës ( vajtimit) zanafillën e ka   që nga koha e Skënderbeut, por realisht praktika është më e vjetër dhe përshkrime të ritualeve të tilla gjenden që tek Odisea i Homerit. Kronikanët e  kohës  kanë shënuar se, kur vdiq  Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në vitin 1468, Lekë Dukagjini rrihte gjoksin e shkulte flokët, siç bëri Akili kur u vra Patrokli në luftën e Trojës,  3.000  e më shumë  vjet më parë. Udhëtarë e misionarë të huaj të shekujve XV-XVII, që kanë studiuar dhe vërejtur këtë dukuri të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, sidomos ritet e vajtimit ndër burra, i vlerësojnë ato si të natyrës pagane e të çuditshme. Esenca e këtij rituali është që të lihet dhimbja,  të shkojë dhe të largohet nga njeriu e po ashtu edhe të respektohet i vdekuri. Në Hot, Grudë, Triesh e Kojë,  ka qenë zakon që  të vedekurin/ën ta vajtojnë  burrat dhe gratë. Domethënë  në Malësi ka pasur  vajtorë ( gjamtarë)  dhe vajtore.

Gjamtë e  burrave  (Vajtorët)

Njeriu apo personi që shprehë ( thërret-bërtet)  vaj ( qan me ligje  të vdekurin) në Malësi quhet vajtor.  Ai shkonte kudo merrte lajmin e vdekjes    në Malësi, pa pagesë,  për t’i thirrë vaj të vdekurit  sipas zakonit në këtë trevë.  Të vdekurin burrë e kanë vajtuar meshkujt dhe gratë, ndërsa  nëse një e vdekur ka qenë femër, atë e kanë vajtuar vetëm gratë. Nuk jam në dijeni që  në Malësi  një burrë të ketë vajtuar një grua, por nuk e  përjashtoj një fenomen të mundshëm  të këtillë.

Gjamët e buarrave në Malësi kanë qenë në grupe (korale) dhe kanë vazhduar deri në ditët e para pas Luftës së Dytë Botërore. Çdo person i grupit thurte vargje ashtu siç dinte duke mbajtur duart në pozitë horizontale, me rrahje të krahërorit, me gërvishtje të fytyrës. Gjamë të tilla më nuk ka në Malësi.

Vajtimi në grupe, sipas studiuesve vendas dhe të huaj  të kësaj fushë, bisedës me vajtorë e vajtore të vjetra , me pleq e me plaka, është zhvilluar në disa faza.   Vajtorët  në grup kishin  prijësin e tyre   i cili zgjidhej nga   pjesëmarrësit e grupit. Ata në shenjë  të dhimbjes  thërrisnin vaj  të gjithë përnjëherë me zë të lartë, duke  rrahur gjoksin, duke i gërvishtur faqet,  duke i shkulur flokët,  duke rënë përmbys mbi  të vdekurin ( vigun-arkivolin) dhe duke gjëmuar dhimbshëm me fjalët:“ Ëh, ëh, ëh”. Gratë  e rrethonin vigun ( kufomën) , nga ana e kokës së të vdekurit , e shoqëronin gjamën e  burrave me :“ Ëj, hë, ëj”.

Malësorët, përveç gjamëve kolektive, më vonë  kanë thirrë vaj   në mënyrë individuale,  një nga një.   Vajtori para se të thërrasë vaj qëndron në këmbë. Ai i vë dy duart në brez duke qitur njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, me fjalët : “ I mje-e-ri, o  Gjelosh Toma”, por edhe : “ Mjer-o sot për ty Deli Meta” duke i theksuar ato virtyte e tipare që e kanë cilësuar të ndjerin, familjen e tij apo fisin. Vajtori mund të thërras vaj te shtëpia vetëm në mëngjes dhe aty ku i bëhet ceremonia e vdekjes. Natën nuk ka vajtorë te shtëpia, që thërrasin vaj. Gjithashtu, as vajtore. Vajtori thërret vaj  për mashkullin e vdekur e jo për gruan. Malësia gjatë shekujve ka pasur shumë vajtorë  të njohurë, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën shpirtërore të popullit tonë.    Në vazhdim po  përmendim   disa  prej tyre.

  1. Vajtorët (gjamëtarët) nga Hoti: (Nikollë Prëkë Dushaj, Traboin, Rrok Pjetër Zeku Camaj,Vuksanlekaj, Mark Paloka Junçaj, Rapshë, Cak ( Tomë) Gjoni Camaj, Vuksanlekaj.)
  2. Vajtorët nga Gruda: (Tomë Bishi Ivezaj, Kolë Zefi Lulgjuraj, Zef Ujka Lulgjuraj, Gjokë Kola Ivezaj, Zef Dasha Lulgjuraj, Dedë Luli Gjolaj, Lekë Ujka Lulgjuraj, Sokol Deda Kalaj.)

3.Vajtorët nga Trieshi: (Dodë Smajli  Gjeloshaj, Nikollë Gali Lekoçaj, Gjeto Gjeka Arapaj,  Nikë Gjeti Arapaj, Gjon Deda Arapaj, Gjon Mixhi Gjurashaj, Nua Kola Gjurashaj, Kolë Gjoni Gjurashaj, Hilë Toma Margilaj, Nikollë Hila Margilaj, Gjergj Pali Ujkaj, Gjel Deda Nikprelaj, Zef Toma Dedivanaj, Zef Uci Memçaj, Prëkë Uci Gjolaj, Rrok Gjoka Gjokaj, Zef Toma Dedivanaj, Pjetër Prëla Lucaj,  Mal Kaculi  Cacaj, Mark Smajli Nikollaj, Mark Noshi Gjeloshaj, Gjekë Arapaj.)

  1. Vajtorët nga Koja: ( Mark Zeka Ulaj, Zef Zeka Ulaj,Dodë Paloka Ulaj, Gjergj Leka Ulaj, Prëtash Uci Ulaj, Bardh Miri Kërcaj, Kolë Bardhi Kërcaj, Prëlë Kola Kërcaj,  Mark Gjeti Gjokaj,  Mark Luca Gjokaj, Dokë Marashi Ivanaj, Dodë Prëka Ivanaj, Prëlë Gjeka Kolçaj,  Mark Prëla Kolçaj,   Pjetër Kola Lucaj, Fran Tushi Lucaj,  Vuksan Leka Nucullaj.)

Për kuriozitet  themi se  vajtorët    në Hot, Grudë, Triesh e Kojë   kanë qenë të besimit katolikë. Nuk mbahet mend të ketë pasur gjamtarë të besimit myslimanë.

Vajtimi i femrave ( Vajtoret)

Siç theksuam më lartë  te shqiptarët e besimit katolikë  në Malësi  është i përhapur dhe i njohur edhe vajtimi i  femrave. Vajtimi i femrave   dallohet nga  ai i meshkujve. Vajtoret fillojnë vajin me fjalët: “ Ëj, hëë-ëj”.  Këto poetesha popullore, për dallim nga vajtorët, të cilët mund t’i quajmë  edhe poetë popullorë, kanë vajtuar edhe meshkujt edhe femrat. Vajtoret kanë vajtuar ulur pranë vigut.  Me rëndësi është  të theksohet një fenomen i rrrallë në Malësi  se  ka ndodhur që një grua  myslimane  të ketë qenë vajtore. Ajo është File Hasja Gjokaj, nga fshati Milesh,  e martuar në Halaj të Kastratit.

Kjo grua  e cila ka vdekur në Shkodër,  ka qenë vajtorja e vetme e cila i përketë fesë islame  në Malësi që dihet  deri më sot. Ashtu si vajtoret e tjera  katolike, që në vajin e tyre përdorin aspekte kanunore kur qajnë një mysliman ,   ka vajtuar edhe kjo brimtare e fesë islame. Ndër vajtoret tjera të njohura në Malësi  po përmendim:

1.Nga Hoti: (Lulë  Pjetra Camaj.)

2.Nga Gruda : (Mari Markja Ivezaj.)

3.Nga Trieshi: (Mare Gjonaj-Gegaj, Tereze  Gjokaj, Pashkë Ujkja Dedivanaj, Age Gjonja Arapaj, Pakë Gjetja Memçaj.)

4.Nga Koja: (Tringë Kolja  Gorvokaj.)

Vajtorët dhe vajtoret  e Malësisë me fjalë shumë prekëse, me plot ndjenja emocionuese, me shprehje të bukura poetike, me një gjuhë të pastër  dhe të pasur popullore theksojnë   vetitë e mira njerëzore  të të ndejrit/ës, gjendjen e vështirë që  lë i vdekuri, e vdekura  dhe pikëllimin e prindërve dhe familjes. Brimtarët dhe brimtaret në Malësi kanë qenë shumë të nderuar dhe të repsektuar. Ata gëzonin autoritet   tek popullata vendase.  Nuk mund të paramendohej    asnjë  vdekje pa pjesëmarrjen e vajtorëve dhe vajtoreve. Aq ishin të mirëpritur dhe të mirëseardhur në raste  vdekjeje sa  të pranishmit  nga larg i vërenin në grupe njerëzish duke thënë ja   po vjen filan vajtori. Ardhja e tyre  në hatër  vlerësohej si diçka madhore e madhështore dhe  i gjithë populli i dëgjonte me shumë vëmendje e qetësi pothuaj  absolute.  Secili vajtuer  dhe vajtore dallohej  nga të tjerët  për nga teknika e të bërtiturit vaj,  nga mjeshtëria e thurjes së vajtimit,  ngjyra  dhe lartësia e  e zërit të kthjellët  si pushka.

Zhdukja e këtij riti të vdekjes

Ky zakon i lashtë i malësorëve  nuk u ndërpre që nga zanafilla  e tij e as në regjimin komunist në ish – Jugosllavi, siç ka ndodhur përshembull në Shqipëri në kohen e regjimit  të egër të Enver Hoxhës.  Por,  për fat të keq, kjo traditë e shumëshekullore e malësorëve  nuk arriti  të mbijetojë në fillim të  shekullit 21, që konsiderohet si shekull i teknologjisë. Tash disa vite  u shua përfundimisht ky rit mortor në Malësi. Gjama e burrave dhe vaji i femrave në këtë trevë shqiptare u depozitua në muze e  arkivë. Ndoshta  përgjithmonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here