Nga: Agron Islami

Ndryshe prej shteteve mesjetare bullgare e serbe, administrata osmane nuk e bëri ndërrimin e emër-vendeve (me ndonjë përjashtim), por i njohu ato ashtu siç përdoreshin në sundimet e mëparshme. Kështu, edhe emri Kosovë, i cili në aspektin gjuhësor nënkupton “fushën e mëllenjave”, u adoptua nga gjuha e vjetër greko-bizantine, respektivisht nga emri Kusovon dhe Kosofus. Me të njëjtin kuptim e gjejmë edhe te burimet me shkrim latin, të cilat kur bëjnë fjalë për vendin ku u zhvillua Beteja e Parë e Kosovës (1389), përmendin emërtimet Rigo MezeoAmsfeldCampus Merulus etj., që të gjitha në kuptimin e zogut të zi (mëllenjës së zezë) e njohur edhe si turdus merula.

Emrin Kosovë në burimet osmane e gjejmë të shkruar në kronikat e shek. XV, të cilat bëjnë fjalë mbi përballjen e osmanëve me aleancën e popujve të Ballkanit të sotëm në Betejën e vitit 1389. Kjo Betejë konsiderohet si njëra nga sfidat e rralla të osmanëve për të shtrirë sundimin e tyre në hapësirat e tokave që më herët kishin qenë nën sundimin e gjatë Romako-Bizantin. Njëherësh, rënia e Sulltan Muratit të Parë në Fushën e Mëllenjave / Kosovë, sikur vulosi edhe emërtimin e ri të kësaj hapësire të Dardanisë Antike, e cila u pllakos në memorien e osmanëve dhe u bë sinonim me vendvarrimin e Sulltanit. Kështu, nga kjo kohë, në literaturën osmane, krahas emrit Kosovë përdoret edhe epiteti meşhed-i Hüdâvendigâr – vendvarrim i Shehidit / Dëshmorit më të madh osman. Ky sinonim i Kosovës u rrënjos edhe më shumë me ngritjen e tyrbes / mauzoleumit, kushtuar Sulltan Muratit të Parë, në Obiliq të sotëm të Komunës së Fushë Kosovës.

Emri Kosovë, i cili identifikohet me vendvarrimin e organeve të brendshme të Sulltan Muratit të Parë dhe me vendin e fushëbetejës, e cila nga folësit greko-bizantin njihej si Kusovon dhe Kosofus, në kronikat osmane të shek. XV u shkrua në dy forma të ndryshme. Respektivisht, një pjesë e kronikantëve të shek. XV atë e regjistruan siكوس اووه duke përdorur germën osmane “Kef”, e cila lexohet si Kösova, ndërsa pjesa tjetër e cila përbën shumicën, kanë përdorur germën Kaf ق që shqiptohet si e fortë dhe jep emrin Kosova قوصوه. Versionin e fundit e gjejmë në kronikën Tevarih-i Al-i Osman (Historia e Shtetit të Lartë Osman) të Ashikpashazadesë, Kitab-ı Cihannüma të Neshriut dhe Tacü’t-tevarih të hoxha Sadedinit”, ashtu sikurse edhe në dokumentet zyrtare osmane.

Ndryshe prej kronistëve të shek. XV, kronikantët e mëvonshëm të shek. XVII dhe XVIII, Kosovën e paraqesin si njësi administrative në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë. Është Katip Çelebiu, njëri ndër gjeografët më të njohur osman të shek. XVII, i cili në veprën e tij të titulluar Cihannüma, shkruan për “Vilajetin e Kosovës” (sipas tij) i cili “gjendet 19 ditë larg nga Stambolli”. Po sipas këtij autori, Vilajeti i Kosovës gjendej mes Prishtinës, Kurshunllusë (Kurshumlisë) dhe Trepçës. Në të njëjtën vepër, shkruhet se brenda Vilajetit të Kosovës gjenden sanxhaqet e Prishtinës, Allaxhahisarit (Krushevcit – A.I.), Janovës (Janjevës -A.I) dhe Vilçiterinës. Pra, sipas këtyre kronikantëve, kemi të bëjmë me një njësi të veçantë të administratës osmane, por që kjo nuk dëshmohet në dokumentacionin zyrtar të kohës. Përkundrazi, deri në themelimin e vilajetit të Kosovës (1877/8), dokumentet e administratës osmane bëjnë fjalë vetëm për emërtim gjeografik dhe jo administrativ. Kjo bëhet e qartë në aktet e fillimshek. XVIII, ku kazaja e Prishtinës, Vilçiterinës, Moravës së Binçes (Binçe-i Morava), Novobërdës dhe Janovës së Moçme (Yanova-i Kadim), identifikohen si rajon gjeografik me emrin Kosovë (pra bëhet fjalë për rrafshin e Kosovës së sotme). Po kështu, në aktin e datës 18-26 gusht 1737, urdhërohet Hysejni, i biri i Mustafa Pashës me gradën mirliva, që të sulmojë mbi ushtritë austro-hungareze të cilat kanë aneksuar Nishin dhe shumë shpejt pritet që të zbresin në trevën e quajtur Kosova”.

Siç dihet, një pjesë e studiuesve shqiptarë (sikur profesori Skënder Rizaj) mbrojnë opinionin se treva e Kosovës ka qenë homogjene dhe origjinën e ka nga gjuha që flisnin ilirët dhe trakët. Sipas këtij opinioni, emri Kosovë haset edhe në treva të tjera të banuara në antikitet nga ilirët dhe trakët. P.sh. në Bosnjë ekziston emërtimi Fushë e Kosovës; në Dibër, fshati Kosova; në Dalmacinë Juglindore, në fushën e Kninit, emri i fushës Kosova ku rrjedh lumi Kosovica. Po ashtu, sipas këtij opinioni edhe në Shqipëri, në qytetet e Elbasanit dhe të Gjirokastrës kemi fshatra me emrin Kosovë. /Telegraf/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here