Ky studim nuk po ribotohet me qëllim të demaskimit apo demonizmit të arritjes së ndonjë marrëveshjeje të Kosovës me Serbinë, sepse sot raportet shqiptare-serbe nuk janë si ato të kohës së Esad Pashë Toptanit, Ahmet Zogut, të Fadil Hoxhës e të Ali Shukriut. Faktori shqiptar në Ballkan sot është shumëfish më i fortë më i mobilizuar dhe më i fuqishëm sesa ishte në të kaluarën. Qëllimi i risjelljes së kujtesë të tradhtisë së madhe kombëtare të Ahmet Zogut e Esad Pashës, e disa të tjerëve ka të bëjë me faktin se shtatorja e Ahmet Zogut ndodhet në qendër të Tiranës dhe pikërisht për këtë duhet të botohen shkrime e studime, me qëllim të freskimit të kujtesës dhe mos-harrimit të së kaluarës, gjithnjë duke sjellë fakte e dëshmi të cilat janë kokëforta dhe nuk i nënshtrohen të ashtuquajturit rishkrim e ritushim të historisë, në kushte dhe rrethana të tjera, sikur ndodh sot.

 

Nuk është për t’ u çuditur përse Beogradi nuk heq dorë nga Kosova, edhe pas luftës tonë fitimtare dhe pas humbjes së turpshme të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Mendësia kolonizuese dhe hegjemoniste serbe pretendon me çdo kusht ta rikthejë, në mos pushtimin klasik në Kosovë, atëherë “epokën” e liberalizmit të ashtuquajtur politik, të kohës së bashkim vëllazërimit, kur mjerisht jo vetëm politika zyrtare marionete e Kosovës, por edhe një pjesë e hutuar nga radhët e popullatës shqiptare ishte bërë digë e fuqishme e bashkim vëllazërimit dhe jugosllavizimit, përbashkësisë me Serbinë, duke “lidhur” fatin me popujt sllavë, me të cilët nuk i lidhte asgjë e përbashkët, as gjuha, as kultura, as feja, përveç armiqësia e pandërprerë gjatë 13 shekujve të kaluar.

 

Shumë vjet pas luftës në Kosovë, ish klasa e klonuar e bashkim vëllazërimit ende i ka mbetur besnike politikës së moçme të jugosllavizmit, dhe kurrsesi nuk po mund të pajtohet me humbjen dhe dëbimin e përjetshëm të sundimit serb nga Kosova. Në dukje kemi të bëjmë me një shëmti të sëmurë, morbide, por në esencë pas tërë kësaj fshihet edhe një dredhi tipike e sundimtarëve serbë të Beogradit dhe vasalëve të tyre shqipfolës, të cilët i kemi me bollëk në vendin tonë, meqë 87 vjet të sundimit mizor serb e kanë bërë të veten.

 

Një segment i bashkëpunimit të disa bajraktarëve shqiptarë me serbët ka ekzistuar në kohë dhe rrethana të caktuara, madje qysh në të kaluarën jo aq të afërt. Dihen lidhjet antishqiptare që ka pasur me Serbinë, Esad Pashë Toptani, Ceno Beg Kryeziu, Ahmet Zogu, sikur është edhe marrëveshja për vasalitetin e plotë të Shqipërisë e nënshkruar nga Pashiqi dhe Zogu në gusht të vitit 1924 dhe e publikuar shumë vonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here