Nga: Hasan Kaleshi

Udhëheqës politik shqiptarë dhe komandat ushtarak i forcave shqiptare gjatë Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Lindi më 1828. Rrjedh nga familja e vjetër dhe e njohur – Shabanagaj ( Shabanagiqi) nga Plava në Mal të Zi, e cila dha disa pashallarë. Ali beu kishte çifligjet e veta në nahijen e Vasojeviqëve. Nën ndikimin dhe me përkrahjen e Malit të Zi, Vasojeviqët u liruan nga marëdheniet çifligare dhe e morën tokën për ta punuar vetë, pas luftës së vitit 1858 kur këto vise iu dhanë Malit të Zi. Që prej atëherë ia fillon konflikti i tij me Mali e Zi. Nga viti 1845 ishte kajmekam i Kazasë së Gucisë. Gjatë luftës së parë turko-malazeze, Ali beu (titullin e pashait e fitoi më vonë), udhëhoqi afro 5.000 bashibuzukë shqiptarë në luftën kundër Malit të Zi. Në luftën e dytë kundër Malit të Zi (1877), ai, gjithashtu, së bashku me forcat turke mori pjesë në betejën e Moraçës, më 11 qershor 1877. Ali bej Gugica, veçmas, u dallua si njëri nga organizatorët më të rëndësishëm të Lidhjes së Prizrenit. Në kohën kur flitej se në Berlin do të mbahej kongresi i Fuqive të Mëdha, i cili do të merrej me problemet në Lindjen dhe do të revidonte Traktatin e Shën Stefanit, filloi agjitimi i madh në mesin e shqiptarëve për krijimin e një organizate politike e ushtarake për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Si rezultat i këtyre ngjarjeve, më 23 maj të vitit 1878 filloi kongresi në Prizren. Qysh në fillim u paraqitën dy rryma: ajo radikale që ishte për pavarësi dhe shkëputje të të gjitha lidhjeve me Perandorinë Osmane, dhe ajo më e matur, e cila kënaqej me autonomi brentshme. Në krye të rrymës së matur, e cila në planë të parë vinte mbrojtjen e territoreve shqiptare nga aspiratat serbe dhe malazeze ishte Ali bej Gucia, i cili ishte edhe në Këshillin Qendror të Kongresit dhe njëherit komandat suprem i forcave ushtarake të Lidhjes.

Kur në Kongresin e Berlinit u vedos që Plava (vendlindja e tij) dhe Gucia (ku kishte pronat e veta) t’i takojnë Malit të Zi, Lidhja ngritet njëzëri kundër kësaj dhe atje dërgon forcat vullnetare në krye me Ali bej Gucinë. Në këtë periudhë, ai disa herë do të udhëtoj në Stamboll dhe do të bisedojë me sulltanin dhe me Liderët shqiptarë në Stambollë. Në këtë kohë ai merr titullin e mirmiranit (pashait). Ashpërsimi i marëdhënieve në mes pushtetit turk dhe Ali pashës, të cilin e konsideronin si nieve në mes pushtetit turk dhe Ali pashës, të cilin e konsideronin si të besueshmin më të madh të sulltanit, ndodhi kur 19 gusht arriti në Prizren mushir Mehmed Ali-pasha, përndryshe përfaqësuesi i dytë i Turqisë në Kongresin e Berlinit, i cili kishte për qëllim që Plavën dhe Gucinë t’ia dorëzojë Malit të Zi. Atëher, arriti Ali pasha nga Gucia dhe së bashku me udhëheqësit tjerë shqiptarë bisedoi me Mehmed Ali pashanë, por pa sukses, gjë që solli vrasjen e Mehmed Ali pashës në Gjakovë, më 6 shtator të vitit 1878. Llogaritet se në Plavë e Guci atëherë kishte afro 10.000 shqiptarë të armatosur nën komandën e Ali pashës Gucisë.

Gjatë nëntorit 1879 dhe janarit 1880, Mali i Zi tentoi që me forcë t’i marrë këto dy vende, por trupat malazeze, nën komandën e Mark Milanit pësuan disfatë te fshatrat Velikës e Pepiç. Pas kësaj, Mali i Zi hoqi dorë nga qëllimi që me forcë t’ia bashkojë këto vise Malit të Zi. Pas bisedimeve të gjata midis Portës, Fuqive të Mëdha e Malit të Zi, u vendos që t’u jepet treva e Cemit e banuar me shqiptarë katolikë nga fiset Hot, Grudë e Kelmend, por edhe kjo ide nuk u realizua për shkak të rezistencës së shqiptarëve. Për këtë arsye, u vendos që Malit të Zi t’i jepet Ulqini. Në korrik të vitit 1880, Ali pashë Gucia erdhi në Ulqin me 3.500 shqiptarë për ta penguar dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi. Deri sa zgjaste kriza rreth dorëzimit të Ulqinit, Ali pashë Gucia udhëtoi për Prizren e Pejë, dërgoi delegatë në Dibër që të tubojnë forca të reja vullnetare për mbrojtjen e Ulqinit. Por, së fundi forcat shqiptare u detyruan të tërhiqen nga Ulqini ndërsa mushiri (mareshali) Dervish-pashai më 26 nëntorë të vitit 1880 ia dorëzoi Ulqinin Malit të Zi. Nuk është i njohur qëndrimi i Ali pashë Gucisë në periudhën prej gjysmës së dyt të vitit 1880 dhe gjatë vitit 1881, kur ndodhi përçarje në udhëheqësinë e Lidhjes dhe kur u dëbua pushteti administrativ e gjyqësor nga Kosova dhe u vendos pushteti i Lidhjes.

Kur Porta zgjodhi çështjen e kufirit turko-malazias dhe më vonë edhe të kufirit greko-turk, prej nga shqiptarët shfrytëzohen për të bërë presion në Mal të Zi e në Greqi ndërsa kryengritjet shqiptare si pretekst para Fuqive të Mëdha se nuk mund të zgjidhë problemet kufitare dhe nuk mund t’i realizojë vendimet e Kongresit të Berlinit, vendosi që me forcë ushtarake ta shuajë Lidhjen, të grumbullojë tatimet dhe t’i detyrojë shqiptarët që të shkojnë rekrutë (nizamë). Për qetësimin e shqiptarëve dhe shuarjen e Lidhjes u dërgua mushiri Dervish pashai me 24 taborre (batalione) të ushtrisë nizame dhe 12 topa. Pasi që, pa luftë ai hyri në Shkup dhe theu forcat shqiptare te Ferizaji (Ferizoviqi) dhe te Shtimja më 23 prill 1881, pastaj hyri në Prizren dhe shpalli gjendjen e shtetrrethimit. Një pjesë e udheheqjes së Kongresit iku, ndërsa një pjesë në krye me Ali pashë Gucinë u dorëzua. Edhe pse një pjesë të madhe të udhëheqësve të Kongresit, Dervish pashai e dërgoi në internim ose e dënoi me të holla në mënyrë që të fitojë lëmoshën e mbretit, Ali pashë Gucisë ia dha shpenzimet e udhëtimit që të shkojë në Stamboll që t’i shërbejë sulltanit. Nga Stambolli Ali pashë Gucia u kthye me titullin e mytesarifit (udhëheqësit) të Pejës. Por, këtu më 1887 e vrau truproja e tij. Si duket nxitës i vrasjes së tij ishte Haxhi Zeka i cili përfaqësonte krahun radikal të Lidhjes dhe kishte përçarje të vazhdueshme me feudalët pejanë, ndërsa Ali pashë Gucia ishte dhëndër i shtëpisë më të fortë bejlerë në Kosovë, të Mahmud Begollit (Mahmudbegoviqëve).

Shikuar politikisht Ali pashë Gugica i takonte krahut të djathtë konservatore të Lidhjes, vazhdimisht mbantel lidhje me sulltanin ndërsa kërkesat e tij politike nuk shkonin më larg se autonomia e brendshme e kufizuar – qëndrim që e përfaqësonin shumica e feudalëve shqiptarë të Shqipërisë Veriore dhe të Kosovës. Qëndrimi i tyre i tillë nuk ishte rezultat vetëm i përkatësisë së tyre klasore dhe i frikës që të mos humbnin pronat e veta feudale, por edhe i realitetit të atëhershëm politik, sepse shqiptarët ishin të rrethuar me Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat kishin aspirata të mëdha ndaj territoreve të banuara me shumicë shqiptare. Të vetmen mbështetje shqiptarët mund ta kërkonin në Turqinë dhe në status quo-në në Ballkan.

Si komandant i forcave të Lidhjes dhe për shkak të qëndrimit të guximshëm në luftërat kundër Malit të Zi Ali pashë Gucia u këndua në poezinë popullore shqiptare, ndërsa poeti shqiptar Gjergj Fishta ia kushtoi një kaptinë në veprën e tij epike “Lauta e Malësis”./Shekulli Agency

 

 

Libri: Jeta dhe Vepra. Fq. 88, 89.

[Çefdet Pasa, Tezakir, ed Cavid Baysun, Ankara 1860.]

[T. Ippen, Beitraage zur inneren Geischichte Albaniens in XIX Jahrhundert In: Illyrisch-albanische Forschungen 1, Münschen, und Leipzig 1917.]

[Dr. Jovan Hadzi-Vasiljeviç, Arbanska Liga Beograd. 1909.]

[M. Choublier, La Question d’Orient depuis la traite de Berlin… Paris, 1897.]

[LG. Senkeviç, Albania v perioda Vostocnogo krizisa Moskva, 1965.]

[Historia e popullit shqiptar II, Prishtinë, 1969.]

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here