Nga: Mid’hat Frashëri (Botuar në Diturija më 1928, përgatitur për këtë publikim nga Uran Butka)

Moti 1928 përfaqëson për ne një pesëdhjetëvjetor historik, fillimin e lëvizjeve që do të linin përshtypjen e thellë të tyre me emrin Lidhja e Prizrenit, një lëvizje që zgjoi dhe shkaktoi krijimin e Shoqërisë Shqiptare të Stambollit. Mungesa e botimeve në gjuhën shqipe si dhe të mospasurit sot në dorën tonë të kujtimeve dhe të shënimeve të shkruara nga ajo kohë, si edhe fakti që Shqipëria atëherë s’ishte e vizituar dhe e vizituarshme prej të huajve, na bëjnë të mos kemi lëndën e plotë për rikonstituimin e atyre ngjarjeve. Për çdo studim historik mbi këtë pikë, jemi, pra, të shtrënguar të bazohemi mbi kujtimin personal dhe mbi të pakta ndihma, që na japin do botime fort të kufizuara.

Lidhja e Prizrenit lindi nga Lufta Ruso-turke e motit 1877-78. Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin e Turqisë, impononte konditat e saj dhe i shkëpuste copa toke, disa drejtpërdrejt në favor të saj (në jug të Kaukazit), të tjerat për shtetet e vegjël të Ballkanit, klientë dhe agjentë të saj. Dhe, në qoftë se për veten e saj merrte thela nga trupi i Turqisë aziatike, prej Ballkanit cenonte edhe tokën shqiptare për një shtet të krijuar rishtazi dhe vetëm truallin arbënor për të tri shtetet drejtpërdrejt fqinje.

Ky trap i çelur befas nën këmbët e shqiptarëve po zgjonte një reaksion, si me thanë fiziologjik, hidhte kushtrimin dhe qiste poteren, sipas zakonit jetik të popullit, një praktikë kurdoherë e përsëritur, në çdo rasje. Lidhja e Prizrenit ndoshta në krye ishte edhe ajo një manifestim lokal kundër shkëputjes së tokës në fitim të Serbisë dhe Bullgarisë. Këtu është vendi të përmendim se nuk duam të dëftejmë vetëm përpjekjet që u bënë rrëzë Sharrit, po edhe shfaqjet patriotike të Janinës dhe Shkodrës. S’ka dyshim se ai ndryshim që projektohej në statutin tokësor të Shqipërisë, zgjonte një reaksion identik, një mbrojtje instinktive edhe në ato dy qendra të tjera: Rusia, më nj’anë po sillte Bullgarinë e Re gjer në Devoll dhe në Drin, m’anë tjetër i falte Serbisë Nishin, Vranjën, Kurshumlinë, Leskovçën, si dhe Malit të Zi – Podgoricën, Shpuzën, Gucinë, Plavën; gjithashtu, duke paraparë për Greqinë një dhuratë nga ana e Epirit.

Të tre ballët e rrezikut krijonin tri vatra kundërqëndrimi, prej të cilave, kuptohet vetiu, dy të veriut do të kishin sipërinë materiale, shumësin’e popullsisë, forcën strategjike të pozitës dhe një farë indipendence relative përkundrejt Turqisë. Por, edhe nga ana tjetër, fuqija moderale dhe intelektuale do t’i binte në pjesë asaj qendre, që ishte në jug. Dhe, me të vërtet, kur Veriu i Shqipërisë injoronte gjer më një pikë manevrat e shqahve, duke qenë larg qendrave të tyre, pra, duke mos i parë me sy (se n’atë kohë propaganda dhe politika luhej në Peterburg dhe jo në Belgrad), Janina ishte një vend i lirë i veprimeve greke dhe aspiratat e helenizmës s’shihnin nevojë të fshiheshin ose të maskoheshin. Vetëm Shkodra ndjente drejtpërdrejt shtypjen e Cernogorës prej luftërave të pareshtura ndërmjet dy kombeve.

Lufta ruso-turke po ngjante mbas luftimeve ndërmjet Alemanjës dhe të Italisë për njësinë kombiare të tyre, sipas parimeve të kombësisë që kishin filluar të këqyreshin si një element preponderent në jetën e popujve dhe të shteteve. Kështu që, edhe Rusia, e cila bënte një politikë thjeshtë egoiste për rritjen e saj, ajo Rusi, që ngrinte armët më tepër për parimet fetare, si një zihje ndërmjet Kryqit dhe Kuranit, në fund të luftës ishte shtrënguar të dëftente ide kombiare, të kërkonte copëtimin e Turqisë për fitimin e kombeve të ndryshëm të Rumelisë, në emër të njerëzisë, të kombeve, të së drejtës dhe jo vetëm të fuqisë. Idetë e reja s’ishin fare të panjohura në Shqipërin’ e Poshtme: atje kishte gjetur një jeh, një shesh diskutimi epopeja patriotike e Garibaldit, idetë humanitare të Mazzinit. Në Janinë prapë lufta e motit 1870 kishte zgjuar një interes të madh dhe ishte e natyrshme që çdo lëvizje, çdo parim i ri, do të ndiqej me një kuriozitet praktik në ato qendra, në të cilat nuk mungonte intelektualizma. E nesërmja e luftës, vajtja e Rusëve në portat e Stambollit dhe imponimi i vullnetit të tyre me traktatin e Shën Stefanit, po vinte në dukje rrezikun që i kanosej Turqisë, rrojtja e së cilës në Rumeli po bëhej fort e dyshimshme. Ky kërcënim ishte edhe më i posaçëm për Shqipërinë: në qoftë se Imperatoria Otomane po shembej si shtet, trualli arbënor po shtihej në rrezik si racë, si komb, bash në një kohë kur bëhej fjalë për të drejtat e popujve dhe për parimet e kombësisë. Duhej, pra, që edhe shqiptarët në kundërqëndrimet dhe ankimet e tyre, të mbështeteshin mbi argumente prej një mentaliteti modern.

Edhe këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë materiale të tij dhe supremacinë mbi elementin shkja, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe.

Ishte, mbase hera e parë, që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke i bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar. Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombiare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët.

Këndonjësi do të shohë në kaptinën e bibliografisë, emërtesën e një sërë artikujve të mi, në të cilët jam përpjekur të eksponoj punimin e Lidhjes, fazat e ndryshme të veprimit të saj dhe vështirësitë me të cilat kishte të bënte. Mjerisht, gjer më sot studimet e bëra mbi këtë lëvizje ose botimet lidhur me të, janë fort të paktë, më të paktë akoma, kur e krahasojmë me rëndësinë e saj.

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit si edhe mbi kohën e ardhme. Lidhja donte moscopëtimin e Shqipërisë; por edhe kërkonte që toka arbënore të njihej si Shqipëri, të caktoheshin të drejtat e saj, t’i respektohej jeta; me një fjalë, një vend autonom, me administratë dhe regjim të përshtatur. Ishte një sipërmarrje kolosale, me vështirësi të panumurta, së brendshmi dhe së jashtmi, në trup të popullit dhe më tepër akoma, nga ana e sunduesit të Stambollit. Turqia, në fillim të lëvizjes dëfteu një kënaqësi, duke parë te shqiptarët një mbrojtës të integritetit tokësor të Imperatorisë Otomane. Por aspiratat nacionaliste dhe autonomiste të shqiptarëve, mbase edhe më tepër se nga çdo gjë – kolaborimi i gjithë Shqipërisë dhe i gjithë elementëve fetarë, e bënë Turqinë që të shihte te zgjimi i maleve tanë një armik më të madh se nga ushtritë ruse ose lakmitë e shteteve të Ballkanit. Edhe fuqia brutale turke s’mënoi të manifestohej në Ulqin si dhe në Kaçanik.

Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje. Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmën ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet “Lidhja e Prizrenit lindi nga lufta ruso-turke e motit 1877-‘78″ Midhat Frashëri: Lidhja, për jugun dhe veriun, për Shqipërinë e tërë Të detyruar nga rrethanat specifike më 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë moral, që i thonë mëmëdhe.

Padyshim, s’do të mungojnë njerëz, që nuk njohin rrjedhjen e punëve ose janë lëshuar në rrëketë e thënieve prej fqinjësh të interesuar dhe besojnë ose kanë besuar që Lidhja është një krijim i qeverisë turke. Sa thamë më sipër, janë një përgjigje për të tillë. A mund të thuhet se veprimi i Lidhjes mbeti shterpë? Një veprim, një përpjekje është kurdoherë pjellore është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë. Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje.

Edhe kështu, Lidhja, tërë duke pasur si pemë vonimin e caktimit të kufirit në Epir për favorin e Greqisë dhe pastaj shpëtimin e asaj cope të madhe të Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratavet të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar. Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndjehen solidarë. Me një fjalë fiset bëhen komb.

Kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshiravet, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit.

__________
Bibliografia:
Liga e Prizrenit, prej Kristo A. Dako (Bukuresht, 1922)
Lidhja Prizrenit, prej Mehdi Frashërit (Tiranë 1927).
Naim bej Frashëri, prej Mali Kokojka (Sofje, 1901).
Liga e Prizrenit, prej Lumo Skendo (artikull te “Hylli i Dritës” faqe 465, Tetor 1922).
Lidhja e Prizrenit, prej Lumo Skëndos (“Kalendari Kombiar” faqe 45-80. Në këtë shkrim është dhe artikulli Lufta e Miletit, prej Hamdi Bushatit).
La Renaissance Albanaise, prej Lumo Skëndo (artikull në “Les Peuples Libres”)
Lausanne 1919). L’Epire ete la question grecque, prej Un Epirote (Hasioti; Paris 1879).
L’Epiro, gli Albanesi e la Lega prej Pietro Chiara (Palermo, 1880).
Oberalbanien und seine Liga, prej Spiridon Gopçeviç (Leipzig 1881)
Të tri këto vepra të shkruara kundër aspiratavet shqiptare dhe fort të varfra në dokumentim të tyre.
Një burim tjetër për ngjarjet që na interesojnë, është Libri i Kaltër i Anglisë (Blue Book) të viteve 1878- 1879, si edhe botimet zyrtare similarë të Austrisë. Një burim edhe më i begatshëm do kërkuar në gazetat e asaj kohe, në fletët e Stambollit (turqisht, greqisht, frëngjisht), në shtypin e Athinës, në korrespondencat dhe artikujt e të përditshmëve të Austrisë, Italisë, Anglisë, Gjermanisë… Kërkimet me kritikë në ato fletë do të na japin çelësin dhe zgjidhjen e një tok pyetjeve. Atje ka një punim aq patriotik, sa edhe letrar për çdo shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here