Studimi i ri që është bërë në Edinburg të Skocisë ka gjetur se aktivitetet në kopsht ndikojnë për të mirë në shëndetin e trurit.

Psikologët e Universitetit të Edinburgut mbikëqyrën mënyrën e të jetuarit të qindra skocezëve për rreth një shekull dhe gjetën se koha e kaluar duke u marrë me punët e kopshtit mund të ndihmojë kundër demencës deri mbi moshën 80 vjeçe, pavarësisht edukimit e pasurisë, raporton “DailyMail”.

Studimi që u publikua në gazetën “Environmental Psychology:, ka konkluduar se natyra e kopshtarisë, e cila stimulon mendjen, ndikon për të mirë në shëndetin mendor edhe në plakje.

Gillian Councill që udhëheq organizatën Alzheimer Scotland ka thënë se njerëzit shpesh nuk e dinë se sa shumë të mirë shëndetësore sjell kopshtaria.

“Gërmimi, mbjellja e bimëve dhe nxjerrja e barit, rrit forcën e duarve, gjë që studimet kanë treguar se mund të përmirësojë shëndetin e trurit. Vetë kultivimi i ushqimit mund të ndihmojë në mënyrë më të shëndetshme të të ushqyerit, si dhe mbajtja e kontakteve me njerëz të tjerë është gjë e mirë për shëndetin mendor, gjë që ul ndjenjat e vetmisë e izolimit”, ka thënë Gillian.

Të dhënat e pjesëmarrësve janë marrë nga një lloj ekspertize për funksionimin e trurit që quhet “Lothian Birth Cohort”. Ekipi i studiuesve mblodhën të dhënat e fëmijëve që lindën në Edinburg në vitin 1921 dhe ua testuan inteligjencën kur i mbushën nga 11 vjet. Qindra prej tyre u studiuan edhe më vonë gjatë jetës dhe iu bënë po të njëjtin test në moshën 79 -vjeçare. Ata gjithashtu dhanë detaje të mënyrës të të jetuarit dhe kompletuan kuize të ndryshme për trurin deri mbi moshën 90 vjeçe.

Nga 467 njerëz që u testuan, 30 për qind prej tyre ndonjëherë u morën me kopshtari dhe 40 për qind e tyre u morën rregullisht me kopshtari edhe në moshë të shtyrë.

280 persona që rregullisht janë marrë me kopshtari patën aftësi më të mira njohëse si pensionistë sesa kur ishin 11 vjeç. Por 187 persona që nuk u morën me kopshtari patën rezultate me të dobëta në test sesa kur ishin 11 vjeç.

Autorja e studimit, Janie Corley, ka thënë se marrëdhënia ndërmjet kopshtarisë dhe shëndetit mendor ka treguar rezultate të mira.

“Duke u marrë me projekte rreth kopshtit, mësimet rreth bimëve si dhe mbajtja e kopshtit në përgjithësi, përfshihen procese komplekse të aftësive njohëse, të tilla si memoria dhe funksionimi ekzekutiv”, ka thënë Corley.

Denis Barret, 76 vjeçar, kalon më shumë se 30 orë në javë në kopshtin e tij në Glasgow dhe ka thënë se planifikimi është ai që e ndihmon trurin.

“E kuptoj pse kopshtaria e mban trurin aktiv, sepse duhet të kesh një lloj plani dhe atë plan e merr me vete në shtëpi. Kam fara për të cilat duhet të kujdesem që tani në mënyrë që ato të lulëzojnë vitin e ardhshëm dhe mëson diçka të re çdo ditë. Nuk ka asgjë që mund të krahasohet me diçka të freskët që vjen direkt nga pema apo toka”, ka thënë ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here