Pranvera e vitit 1990 solli edhe një tragjedi të re për popullin në Kosovë kur e gjithë rinia e Kosovës u kërcënua nga shovinistët serbë që kishin përgatitur edhe një kurth me helmimin dhe vrasjen e nxënësve e të studentëve shqiptarë. Projektet për helmimin e nxënësve shqiptarë filluan në shumë qytete e vendbanime të Kosovës. Qendra Klinike Universitare në Prishtinë u mbush me nxënës nga të gjitha anët e Kosovës. Dhuna s’kishte të ndalur. Ky ishte edhe një projekt i ri i Serbisë për gjenocid të hapur, që shqiptarët të mos mund të jetonin në Kosovë. Kjo ishte edhe një përpjekje për t’u bërë shqiptarëve jetën të pamundur në Kosovë. Helmimet e nxënësve ndodhën edhe në Pejë. Të gjithë veprimtarët ishin në këmbë. Sitalet ishin në gjendje të jashtëzakonshme. Mjekët shqiptarë bënin përpjekje mbinjerëzore për t’u ndihmuar fëmijëve, ndërsa kolegët e tyre serbë kishin ikur në shtëpitë e tyre. Ne, një grup veprimtarësh, u ulëm dhe biseduam me një grup mjekësh se si t’ia bëjmë, çka mund të ndihmojmë. Dhamë një ide që mostrat e gjakut dhe të urinës t’i dërgojmë në klinikën ë Lubjanës për analiza. Hasan Meta pyeti a ka kush që mund t’i hyjë kësaj pune për t’i dërguar mostrat deri në Lubjanë ? Unë iu përgjigja se ne jemi shumë të gatshëm për t’u sakrifikuar dhe për t’i dërguar mostrat në Lubjanë dhe për t’u marrë vesh e vërteta për këto helmime. Në atë moment Gani Muçolli u paraqit me një ide se është e panevojshme të shkohet në Lubjanë, të rrezikohet, pasi ne në Prishtinë kemi mundësi t’i bëjmë këto analiza. Unë thashë se në Prishtinë është e pamundur. Megjithatë, Ganiu insistoi, i mori mostrat dhe u nis për në Prishtinë. Por, pas një ore e gjysmë, më thirri dhe tha se duhet të bëhemi gati që t’i dërgojmë mostrat në Lubjanë për arsye se me të arritur në Prishtinë në klinikën qendrore e kanë ndalur policët në hyrje, ia kanë derdhur të gjitha mostrat në rruge dhe ia kanë dhënë nja dy flakaresha. Dhe Ganiu u kthye në Pejë. Unë bisedova me Xherin e Ali Çekun edhe e siguruam një makinë e frigoriferët. Mostrat ishin të gatshme dhe u përgatitëm për t’u nisur për në Lubjanë. Pas përgatitjeve unë kërkova që konsiliumi i mjekëve të jepte një udhëzim për analizat që duhet të bëhen në klinikën toksologjike në Lubjanë. Njëri nga mjekët nuk ishte shumë i gatshëm që ta shkruajë një udhëzim të tillë, për arsye se ekzistonte mundësia që policia serbe gjatë rrugës, por edhe në Lubjanë, t’i zënë mostrat dhe udhëzimin. Njëri nga mjekët tha se mund të shkojmë lirisht dhe t’i dorëzojmë mostrat. “Ata do t’ju pranojnë” – tha. “Jo, mik i nderuar, -thashë – ne e dimë çka po rrezikojmë, por ne nuk do të rrezikojmë kot, të shkojmë deri në Lubjanë dhe të paraqitemi me disa mostra gjaku dhe urine dhe të themi: qe këto janë mostrat.
Kush jemi ne, çka jemi ne, nga vijmë ne.” Dr. Mustafa Ademi, Hasan Meta, Mahir Morina e disa të tjerë u hamendën disa momente dhe ne, të hidhëruar që ata nuk ishin të gatshëm të sakrifi konin asgjë, u larguam nga oborri i spitalit. Pas pak kohe erdhën e më thirrën se dr. Mustafa kishte vendosur që ta nënshkruante udhëzimin dhe ne u nisëm me një Mercedes të vjetër. Frigoriferët dhe mostrat i futëm pas ulëses së pasme të Mercedesit. Ali Çeku dhe një tjetër u nisën për Lubjanë, mostrat u dërguan për Lubjanë. Aliu dhe miku i tij, patën fat dhe askush nuk i kontrolloi gjatë rrugës. Me të arritur në klinikën toksologjike në Lubjanë mostrat janë marrë dhe u kanë thënë se pas dy ditësh mund t’i marrin rezultatet e para. Lidhja ishte prof. Dolenci, i cili kishte marrë përsipër që të informojë për rezultatet e analizave. Pas dy ditësh shkova në spital ku tani ishte e qartë se bëhej fjalë për një helmim masiv të rinisë shqiptare. Në bazë të marrëveshjes me prof. Dolencin për ta marrë në telefon dhe për ta komunikuar rezultatin e analizave, e luta dr. Mustafën dhe të tjerët që dikush nga ata ta ftonte profesorin në Lubjanë për t’i komunikuar rezultatet.
Asnjëri nga ata nuk ishte i gatshëm që të telefononte për arsye se telefonat e Spitalit përgjoheshin. Atëherë unë u thashë se mund të vijnë në firmën time dhe të dëgjohen me prof. Dolencin. Dr. Mustafa u paraqit i gatshëm që të vijë me mua në zyrën time me ç’rast edhe biseduam me profesorin i cili na komunikoi se ky është një helm ushtarak dhe se e ka rreptësisht të ndaluar të japë rezultate konkrete. Këto ditë në Lubjanë qëndronte mjeku francez Bernard Kushner. Në një takim me Naim Malokun u bisedua që zotit Kushner t’i dorëzohej një pjesë e mostrave, të cilat kishin ngelur në Shoqatën “Migjeni”. Mirëpo me të arritur në vendin e ndodhjes së mostrave të gjakut dhe të urinës, Naimi vërejti se kishte ndodhur ajo që kishim frikë se do të ndodhte: të gjitha mostrat ishin marrë nga Shërbimi Sekret Ushtarak pasi agjentët e tij kishin njohuri për dërgesat e mostrave nga Kosova në Lubjanë. Në saje të përvojës dhe të syçeltësisë së Naim Malokut, mostrat ishin ndarë në dy vende të ndryshme, dhe, pas disa minutash, Naimi shkon dhe i sjell mostrat e tjera, të cilat i dorëzohen dr. Kushnerit. Kështu, organizata humanitare bamirëse “Mjekët pa Kufi j” dhe dr. Kushneri më vonë e kanë njoftuar opinionin botëror dhe e kanë konfi rmuar helmimin e mbi 7000 nxënësve shqiptarë në Kosovë. Bashkëpunimi shumë i ngushtë me Shoqatën “Migjeni” në Lubjanë me zotërinjtë Sali Kabashi, Naim Malokun etj., të cilët në çdo kohë akomoduan shumë të rinj dhe të reja nga Peja në Klinikën Universitare të Lubjanës dhe me këtë rast dua të them se dhjetëra fëmijë nga Peja gjetën u mjekuan dhe u shëruan në saje të angazhimit të Shoqatës “Migjeni” në Lubjanë.