Nga: Agron Islami

S’ka dyshim se 10 qershori i vitit 1878 – Lidhja Shqiptare e Prizrenit – shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të krijimit të shtetit dhe të kombit shqiptar. Gjithçka filloi nga elitat shqiptare që ishin pjesë aktive e jetës politike dhe kulturore në Stamboll, që hartuan platformën e parë politike shqiptare.

Pikat kryesore që përbëjnë edhe ajkën programore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fillimisht ishin bërë pjesë e aktivitetit të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Stamboll, të themeluar më 1864. Më pas, këto ide patriotike – që për synim kishin ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, përmes zhvillimit të gjuhës dhe kulturës – u bënë tema në seancat e Parlamentit osman më 1877-‘88. Ishte deputeti shqiptar, përfaqësuesi i Janinës, Abdyl bej Frashëri, ai i cili në seancën e dhjetorit të vitit 1877 paraqiti një raport të detajuar mbi reformën në arsim. Frashëri theksin kryesor e vuri tek shkalla e ulët e arsimimit në tokat shqiptare dhe te domosdoshmëria e hartimit të një politike të përgjithshme arsimore, që popullsia shqiptare të mund të shkollohej dhe të arrinte në një nivel të caktuar qytetërimi. Deputeti tjetër shqiptar, Mihal Harito, në seancën e 20 janarit të vitit 1878 u ndal në problemin e dërgimit të nëpunësve osmanë në Shqipëri dhe në Bosnje, pa e ditur gjuhën e vendit, për çfarë dëshmitarët nëpër gjykata detyroheshin që të dëshmonin me ndihmën e përkthyesve (gjë që e prolongonte shërbimin që pritej nga zyrtarët e gjykatave).

Në seancat e janarit të vitit 1878, temat e mbrojtjes së territoreve dhe gjendja e muhaxhirëve që ishin dëbuar me dhunë nga trojet e tyre në hapësirën e Sanxhakut të Nishit, ishin në fokusin e deputetit Mustafa efendi Kosova, pastaj myftiut prishtinas, Zejnel Abidinit, Abdyl Bej Frashërit etj.

Siç dihet, lufta ruso-osmane dhe humbjet që pësoi Perandoria Osmane, bënë që me 3 mars 1878 të firmoset marrëveshja e Shën Stefanit (Aya Stefanos), marrëveshje e cila parashihte që një pjesë e madhe e tokave shqiptare t’i jepej shteteve bullgare, serbe, malazeze dhe greke. Por, kur Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane, të gjithë deputet e Parlamentit osman, myslimanë dhe jomyslimanë, u bashkuan për të kundërshtuar ekspansionin rus. Seancat vazhduan deri me 14 shkurt 1878, kur Sulltani pezulloi punimet e Parlamentit.

 

Marrëveshja e marsit në mes osmanëve dhe rusëve, që dëmtonte rëndë Perandorinë Osmane dhe që në veçanti prekte tokat shqiptare, bëri që të themelohet Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve – që ishte vazhdimësi e luftës diplomatike të elitës shqiptare për mbrojtjen e trojeve në kuadër të Perandorisë Osmane.

Marrëveshja e Shën Stefanit e prishte edhe ekuilibrin e forcave të krijuara në Konferencën e Parisit (1856), si dhe shkelte marrëveshjet e firmosura me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë. Kështu, Rusia kishte shkelur marrëveshjen ku parashihej dorëzimi i Bosnje Hercegovinës te Perandoria Austro-Hungareze. Njëherësh, edhe krijimi i një principate të madhe bullgare, po ashtu shkelte kushtin që ndalonte krijimin e një shteti të madh në Ballkan. Në anën tjetër, dorëzimi ndaj Rusisë i tokave lindore të Perandorisë Osmane (Kars, Ardahan dhe Batum), kërcënonte direkt interesat angleze në rajonin e Lindjes së Largët. Për rezultat, u vendos që në muajin qershor të vitit 1878, në Berlin, edhe njëherë të mblidhen fuqitë e asaj kohe për të shqyrtuar marrëveshjen e Shën Stefanit.

Ndryshimi më i prekshëm që u bë në Kongresin e Berlinit është ai i kufijve të principatës bullgare. Kështu, si rezultat i këtij vendimi, u themelua Vilajeti i Rumelisë Lindore (Rumel-i Şark Vilayeti) dhe Maqedonia. Territori i parë do të drejtohej nga një guvernator (vali) i krishterë, ndërsa i dyti mbeti nën juridiksionin osman, por me kushtin që të zbatoheshin reformat që ishin propozuar për Kretën në nizamnamen e vitit 1867.

Kundërshtitë e shprehura nga ana e elitës shqiptare, karshi Marrëveshjes së Shën Stefanit – ku parashihej që territoret e banuara me shqiptarë t’i jepeshin Malit të Zi dhe Greqisë – delegacionet e Kongresit të Berlinit nuk i morën parasysh. Madje, kancelari gjerman, Bizmarku (Otto von Bismarck), mohonte ekzistencën e kombit shqiptar dhe i njëjti propozoi që shqiptarët myslimanë të njiheshin për turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë për grekë.

 

Vendimet e Kongresit të Berlinit shqiptarëve nuk ua lanë ndonjë derë tjetër të hapur – pos asaj që të përjetojnë fatin e njëjtë me atë të Perandorisë Osmane, ose të bëjnë luftë për t’u mbrojtur karshi fqinjëve që mbështeteshin nga fuqitë e mëdha të asaj kohe. Kështu, reagimi në formë peticionesh drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha, shumë shpejt nga shqiptarët u shndërrua në lëvizje ushtarake për mbrojtjen. Kjo lëvizje në fillim u mbështet nga Sulltan Abdylhamiti II, i cili në mënyrë taktike synonte të përfitojë nga kryengritja e shqiptarëve. Mbi këtë taktizim politik, ai i dha urdhër prefektëve të Gjakovës, Pejës e Prizrenit që të qëndrojnë neutralë karshi lëvizjes së shqiptarëve. Kështu, me 10 qershor 1878, u mbajt mbledhja e parë e Lidhjes, me përfaqësues nga gjithë hapësira shqiptare dhe pa ndonjë ndërhyrje nga forcat e rendit në Prizren.

 

Elita shqiptare e kishte kuptuar mirë pozitën e pafavorshme në arenën ndërkombëtare. Prandaj, për t’i ruajtur trojet, rruga e vetme ishte që të bënin luftë politike për autonomi brenda kufijve të Perandorisë Osmane. Mbi këtë bazë u themeluan degët e Lidhjes së Prizrenit në qytetet shqiptare, të cilat vepronin sipas direktivave programore që vinin nga Prizreni. Kërkesat e Lidhjes së Prizrenit ishin: administrimi i tokave shqiptare në një vilajet të vetëm; nëpunësit e Vilajetit shqiptar të jenë njohës të gjuhës së vendit; një herë në katër vjet të mbaheshin zgjedhjet për parlamentin e Vilajetit shqiptar; shtrirja e sistemit arsimor dhe përdorimi i gjuhës shqipe (me alfabet latin) si gjuhë shkolle; ndarje buxheti nga qendra e Perandorisë – për investime në fushën e arsimit – si dhe çështje tjera që avanconin pozitën e popullit shqiptar përbrenda Perandorisë.

 

Në fakt, qasja e Sami Frashërit ishte platforma e Lidhjes së Prizrenit. Gjithmonë – duke marre parasysh rrethanat politike në të cilat gjendeshin shqiptarët – ata kërkonin autonomi dhe jo pavarësi. Qasja e butë e shqiptarëve bëri që Sulltani të mos i marrë shumë seriozisht kërkesat e Lidhjes. Madje, nga presioni ndërkombëtar për t’ia dorëzuar territoret shqiptare Malit të Zi, ai e dërgoi Mehmet Ali Pashë Maxharrin në Kosovë, për t’i bindur shqiptarët që t’i pranojnë marrëveshjet. Siç dihet, shqiptarët jo që nuk u pajtuan me të, por ata fillimisht ia vranë postierin në Prizren e, më pas, pashait të strehuar në Gjakovë ia kërkuan largimin nga qyteti. Meqenëse nuk e përfilli thirrjen, vritet më 6 tetor 1878.

Vrasja e Mehmet Ali Pashë Maxharrit krijoi edhe më shumë ndasi në mes të shqiptarëve dhe osmanëve, por ndikoi pozitivisht në unifikimin e mendimeve brenda Lidhjes Shqiptare, ku kishte anëtarë të ndarë në krahun konservator dhe atë nacionalist. Njëherësh, edhe rreziku i copëtimit të tokave shqiptare në mes Malit të Zi dhe Greqisë – që vinte si rezultat i marrëveshjes ndërkombëtare të Kongresit të Berlinit – bëri që të ketë edhe një reflektim të shqiptarëve jomyslimanë, të atyre që ndikoheshin nga grekët dhe italianët.

Lidhja tanimë doli me platformën e re të veprimit dhe në formë zyrtare e njoftoi Portën e Lartë dhe Fuqitë perëndimore se nuk kishin tokë për të humbur. Kështu, në shkurt 1879, kur po bëheshin bisedimet për përcaktimin e kufirit të ri osmano-grek, shqiptarët dërguan forca të armatosura në kufi. Për rezultat, u mor vendim që bisedimet të shtyheshin për një kohë tjetër. Sipas Kongresit të Berlinit, forcat osmane lëshuan Plavën dhe Gucinë. Por, kur filloi pushtimi malazez i këtyre zonave, ato u përballën me forcat e Lidhjes së Prizrenit. Malazezët e denoncuan Sulltanin tek ndërkombëtarët – për mos bashkëpunim. Sulltani e dërgoi Ahmet Muhtar Pashën, por edhe ky nuk arriti që t’i bindte shqiptarët. Kështu, me 2 prill 1880, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të Kongresit të Berlinit u mblodhën për ta shqyrtuar gjendjen në terren. Përfaqësuesi i Italisë, kont Korti (Luigi Corti), propozoi që në vend të Plavës dhe Gucisë të aneksohej rajoni i Hotit, Grudës dhe Kelmendit. Konti këtë propozim e bënte duke shpresuar se nuk do të ketë rezistencë, meqë këto zona banoheshin me shqiptarë të besimit të krishterë. Mirëpo, edhe kësaj here malazezët hasën në rezistencë të fuqishme.

 

Lidhja e Prizrenit – me në krye Ymer Prizrenin – duke e parë tentativat e Portës së Lartë për të thyer rezistencën shqiptare, e shpalli veten si qeveri të përkohshme, ndërsa krijoi një ushtri prej 20 mijë vetash që komandohej nga Sulejman Vokshi. Qeveria e Lidhjes e mori nën kontroll gjithë hapësirën e Kosovës, po ashtu edhe Shkupin.

Ekspeditat e Sulltanit kundër Lidhjes së Prizrenit do të fillojnë pas zgjidhjes së problemit të kufirit osmano-grek (25 mars 1881). Kështu, rezistenca shqiptare do të thyhet nga aksionet e drejtuara nga Dervish Pasha, gjatë muajve mars-prill. Megjithatë, Lidhja e Prizrenit edhe si platformë edhe si organizim përbën themelet e para të shtetit shqiptar. Për herë të parë shqiptarët u bashkuan kundër Portës së Lartë dhe fuqive evropiane, për t’i mbrojtur tokat e veta. Platforma e Lidhjes së Prizrenit iu bë e njohur gjithë korit diplomatik ndërkombëtar. Njëherësh, edhe thyerja e forcave malazeze në Ulqin është tregues për organizimin e mirë ushtarak të forcave ushtarake nga qeveria e formuar nga shqiptarët. Kështu, edhe pse për në një kohë shumë të shkurtër, Lidhja e Prizrenit paraqet rast unik që nuk ka ndodhur më parë gjatë sundimit osman.

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here