Marrëzia dhe injoranca ia dalin te ne më së shumti për shkak të ligësisë dhe egoizmit, që na janë zhvilluar si pjesë e instinktit të vetë-ruajtjes. Në këtë bën pjesë edhe arsimi së bashku me ekonominë, traditat e familjes, feja, si dhe kultura. Unë nuk mund t’i kujtoj mirë lidhjet e përgjithshme, por edhe qëndrimin ndaj shqiptarëve të Kosovës, që ka sunduar qysh prej kohësh që nuk mbahen mend. Shqiptarët janë thjesht të tjerët, ata që kemi thënë se nuk kanë as kulturë, as dije, as ambicie, dhe as aftësinë për të ndarë me ne të njëjtat vlera. Ata janë ahistorikë. Njësoj si edhe romët fatkeqë. Dhe kështu ka mbetur deri më sot.

Rrëfimet e Ivanit në përgjithësi nuk janë as të tmerrshme, as heroike. Njësia e tij (Division 3, bateria 3 e PVO (58)) nuk ka pasur as edhe një humbje. Thjesht, dy ushtarë u plagosën lehtë (njëri plagë sipërfaqësore në kyç dhe tjetri një këmbë e ndrydhur). Nuk kanë marrë pjesë në asnjë operacion tokësor, çka e konsiderojnë fat, për shkak se në shumicën e këtyre operacioneve, dihet se ushtarët do plagosen patjetër. Por janë bombarduar shumë. Sidomos muajin e kaluar. Në veçanti, më 9 qershor në Koshare. Kur i njoftuan për evakuimin ishin shumë të gëzuar, kurse në kamion i hidhnin e pritnin njëri-tjetrit me gëzim një gjel me të cilin kishin bërë shoqëri gjatë gjithë kohës. Kapiteni i tyre kishte treguar deri në momentin e fundit se ishte njeri shumë i ndjeshëm. Lufta e tij krejtësisht individuale me aviacionin e NATO-s, shprehej sidomos nga mesnata kur me mitraloz vendosej vetë mbi ndonjë prag dhe lëshonte breshëri në formën e një udhëze pikash të lëvizshme në qiell krejtësisht autentike, e në përputhje me karakterin e tij. Ushtria kishte probleme me ujin e pijshëm. Pinin nga një burim me ujë të ndotur dhe shpesh plot baltë. Për shkak të kësaj shpesh do kishin diarre. Ushqimi përbëhej kryesisht nga gjëra të konservuara dhe lëtyra me oriz e mish deleje. Megjithatë, ata nuk e kishin ndier veten asnjëherë të uritur. (Buka sillej rregullisht edhe në rrethanat më të rënda). Ata flinin o në vendstrehime, ose në bunkerë apo qëllonte në ndonjë shtëpi. Shpesh u duhej të ndryshonin pozicionet, por nuk largoheshin shumë larg nga qyteti. Për një kohë, në fillim të bombardimeve, kishin qëndruar në një fshat katolik shqiptar në të cilin popullsia nuk ishte larguar. (Vajzat dhe gratë ishin krejt të padukshme.) Pleqtë në fshat u jepnin atyre siguri, për sa kohë do qëndronin në fshat. Nuk ndodhi as edhe një incident i vetëm. Ivani meqë kapiteni kish përhapur fjalën se ishte mjek kishte mjekuar tre fëmijë të vegjël me angina që ia kish çuar pasta gjyshit të tyre.

Budallenjtë e NATO-s hidhnin edhe fletëpalosje krejtësisht idiote që synonin të dobësonin moralin e ushtarëve. Po t’i lexoje, vetëm mund të qeshje, apo t’i urreje ata edhe më shumë.

Ushtria ishte e informuar mirë! (Sigurisht, për aq sa i duhej.) Dëgjonin të gjitha lajmet e VOA, Free Europe, RFI dhe Deutsche Welle. Ata thoshin se lajmet e Deutche Welles ishin më objektive nga të gjitha.

UÇK-ja nga Shqipëria vazhdimisht përpiqej të depërtonte, por kishte pësuar humbje të mëdha. Gjithkush flet për kasaphanën në Koshare ku shqiptarët u përpoqën frontalisht me këmbësorinë të na ndërfuten. Tregojnë edhe histori kaubojsish të djemve tanë që kishin kaluar kufirin dhe kishin sulmuar pozicionet e UÇK-së. Në rrëfimet e luftës ka gjithmonë ekzagjerime të ndryshme dhe fryrje. Por, rrëfimet e Ivanit nuk ishin të tilla. Madje, në fillim nuk ishte as aq llafazan sa e prisnim. Por, gjithsesi pati jo pak humor, kur na foli në lidhje me një gazetar televiziv poterexhi, i cili kishte arritur në një fshat pranë Gjakovës, mu aty ku ata ishin stacionuar për një kohë. Ishte një prej atyre që asokohe konsiderohej si nga yjet kryesore të medias. Për shkak të tij u poqën edhe qengja. Ai vazhdimisht mbante fjalime dhe tirada se çfarë do të ndodhte kur të fillonte operacioni tokësor. Mu atëherë do të donim t’ia “qinim atë kurvën”, tha Ivani. Ushtria e rregullt bëhej keq kur dëgjonte këto profecie, kurse bythëmadhi bërtiste nga dalldia dhe rakia.

Sot është Dita e Vidovdanit në vitin 2007. Nuk përfshihet më në histori Millosheviqi, nuk ka demonstrata, konflikte, të plagosur… Sot na la macja jonë e parë. Ajo sapo i kishte kaluar shtatëmbëdhjetë vitet. Lloji: mace e bardhë ruse. Karakteri –  në përputhje të plotë me pamjen: zonjë, fisnike, e përmbajtur … Ne e quanim Mrle, një shkurtesë për Mrleza (… ..) E kishim gjetur rastësisht në rrugë. Në fakt, ishte ajo që na gjeti. U shfaq nga askundi dhe u duk para derës së jashtme duke mjaullitur disa herë. Mrle ishte jashtëzakonisht e qetë dhe e matur. U lidh shumë me gruan time. Kur Ivani u dërgua në Kosovë ndërsa Sasha qante natën në heshtje, Mrle i ulej pranë jastëkut dhe e ndiqte me vëmendje. Kurse, ajo vazhdimisht do t’i prekte faqet, ose do e përkëdhelte lehtë me dorë. Macja e ndjeu dhe ndau dhimbjen dhe ankthin shumë më tepër sesa disa nga njerëzit që na njihnin. Vdekja e saj, në fakt moshë e madhe për llojin e maces, sikur më paralajmëroi se historia e Kosovës dhe lufta joreale që zhvillohet rreth nesh, do të përfundonte njëherë. Koha s’ishte më në anën tonë. Brezi im e ka drejtuar vendin në një mënyrë gati të ngjashme, katastrofike dhe jo shumë ndryshe nga gjeneratat e mëparshme. Nuk ka as edhe një garanci se e keqja dhe mbrapshtia nuk do të vazhdojnë deri në kolaps të plotë. Ky shkatërrim apo kjo theqafje janë kryesisht çështje të karakterit, ideve dhe imagjinatës që u formuan rreth nebulozës së ëndrrave dhe interesave imagjinare kombëtare. Marrëzia dhe injoranca ia dalin tek ne më së shumti për shkak të ligësisë dhe egoizmit, që na janë zhvilluar si pjesë e instinktit të vetëruajtjes. Në këtë bën pjesë edhe arsimi së bashku me ekonominë, traditat e familjes, feja, si dhe kultura. Unë nuk mund t’i kujtoj mirë lidhjet e përgjithshme, por edhe qëndrimin ndaj shqiptarëve të Kosovës, që ka sunduar qysh prej kohësh që nuk mbahen mend. Shqiptarët janë thjesht të tjerët, ata që kemi thënë se nuk kanë as kulturë, as dije, as ambicie, dhe as aftësinë për të ndarë me ne të njëjtat vlera. Ata janë ahistorikë. Njësoj si edhe romët fatkeqë. Dhe kështu ka mbetur deri më sot. Ndryshe nga kroatët dhe sllovenët, ne sikur e kemi humbur historinë tonë. Kjo është arsyeja pse nuk insistojmë në Serbinë si një shtet të veçantë. Jugosllavia për ne ka qenë mjaftueshmërisht e mjaftë. Çfarë verbërie! Kjo, megjithatë, nuk se ka qenë e shenjuar gjenetikisht, por ama është krijuar, ushqyer dhe inkurajuar për vite e vite me radhë. (Unë nuk mund të krahasoj gjendjen e shpirtit të Spurdhjakëve të tjerë të Ballkanit. Për secilin xhungla e vet është më e rëndësishmja.) Këtu, përgjegjësia e të ashtuquajturave elita intelektuale dhe politike është e padiskutueshme. Kjo nuk është sigurisht vetëm një shpikje e Serbisë – kjo lidhje e elitës me popullin e vet, dhe roli i saj historik, është diçka shumë e përbashkët për të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë. Ajo shikohet në mënyrën se si këto elita sillen me elitat e kombeve të tjera, apo me pjesëtarët e tjerë anonimë të kombit të tyre, pavarësisht se këndohen shumë elegji dhe janë krijuar mite të ndryshme kombëtare. Nën patosin me të cilin ka jetuar gjithmonë historia e Kosovës ka një përbuzje cinike për të gjithë ata që nuk i janë “përshtatur” kohës. “Përshtatu!” është masa e domosdoshme e vetë-afirmimit kombëtar dhe individual. Ky rregull vlen si për serbët që u larguan nga Kosova, ashtu edhe për ata që ikën nga Kroacia dhe Bosnja. Imazhi i kolonave të refugjatëve të vuajtur që lëvizin në drejtim të rrjedhës konsiderohen një kulm jo sublim me barrikadat e policisë që nuk i lejonin refugjatët për të arritur në qendrat e ngjarjeve, bash aty ku kishin zgjedhur të banonin. E kjo, ndërkohë, mund të kthehet lehtë në një histori patetike të ftohtësisë kombëtare dhe tradhtisë. Fati i individit bëhet ose subjekt i mbulimit gazetaresk ose një ilustrim i bukur e një pashpirtësie armiqësore. Që të gjithë armiqtë, e kjo nënkuptohet thjesht, në këtë situatë janë të pashpirt. Sapo përpiqesh ta theksosh si duhet këtë egërsi, ndjej se interesi shkon në diçka krejt tjetër, te përpjekja për të fituar një vend të veçantë në historinë që i “shkruan ngjarjet“.

Kur shkuam për herë të parë tek Ivani në Nish, autostrada të jepte një ndjesi fantazmagorike. E ftohtë, në disa vende e shkatërruar, pa dritë dhe pa stacione benzine. Ndërkohë hasnim refugjatë mbi rimorkiot e traktorëve dhe në Varburgët (60) e bërë copë – copë. Shumica e tyre dukeshin se ishin romë. Ata nuk i përkisnin askujt. Ia mbathnin pa as edhe një drejtim. Ata nuk kishin të afërm, shtëpitë nuk i kishin blerë më parë apo dhe dyqanet, si shumë serbë që erdhën nga Kosova. Për shkak të përmbytjeve të atyre ditëve duhet të përshkonim rrugë dytësore, që ashtu, të mbushura me refugjatë dukeshin edhe më të mjerueshme. (Herën tjetër morëm një dhomë në një hotel si mejhane në Nish në mënyrë që Ivani të lahej të paktën, kurse ne të tjerët së bashku, të merrnim  një sy gjumë pas dreke).

Sa më shumë kalon koha, në vend të zemërimit dhe hidhërimit, mbushem gjithnjë e më shumë me kuptimin e mjerimit. Kjo është një lloj ndjenje e përzier e gjendjeve të trishtimit, zbrazëtisë, pafuqisë dhe përkohshmërisë. Nuk është një ndjenjë që “shërohet”, në atë mënyrën që gjoja e bën vetëm kalimi i kohës. Duket sikur nën shenjën e këtij “mjerimi” kalojnë me shpejtësi si jeta ime ashtu edhe jeta e të afërmve dhe e më të dashurve të mi. Unë jam shumë i vetëdijshëm se kjo “jetë e mjerueshme” nuk më ndodhi vetëm nga vetvetja, apo nga ndonjë lloj kthese metafizike, që na ka përcjellë fati. As nuk duhet thënë se serbët në këtë mënyrë nuk po “paguajnë” për sjelljen e tyre të padrejtë, apo shqiptarët nuk po “shpërblehen” për martirizimin e tyre fisnik. Do të thosha se kjo është një çështje shumë më e thjeshtë – kurse shpërbërja e shtetit të madh (Jugosllavisë) ka shkaktuar shkatërrim të mëtejshëm dhe thërrmime, ashtu si solli edhe krijimin e formacioneve të reja shtetërore dhe kombëtare. Nëse do mund të ruhej ashtu siç duhej Jugosllavia, atëherë mund të mbeste edhe Kosova brenda saj – pa marrë parasysh sesi do të ishin këtej e tutje marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Pastaj së bashku do hynim në Evropë, kështu që për të gjithë s’do kishte rëndësi se me kë po flije dhe kush po të pagëzonte.

Në vend të gjithë kësaj: një shkatërrim i madh, e i pakuptimtë!

Përktheu nga origjinali: Ben Andoni. Botohet me leje të autorit. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here