Durim Abdullahu
Sot kryeqytet i Republikës së Kosovës, qyteti i Prishtinës ka një histori të gjatë që mund të gjurmohet deri tetë shekuj mbrapa, kur edhe origjinon
ky vend. Prishtina u ngrit në një kontekst historik kompleks, në qendër të Europës Juglindore gjatë Mesjetës së vonë. Fillimisht si një fshat i madh dhe pastaj si qytet, Prishtina u ngjiz në territoret perëndimore të komonuelthit bizantin. Bota politike dhe kulturore në të cilën u formua Prishtina, ishte bota romake mesjetare gjegjësisht Perandoria Bizantine, që në atë periudhë ishte në dekadencë e sipër.
Shekujt XIII – XIV: Themelimi dhe ngritja
Treva qendrore në gadishullin e Ballkanit ku do të formohej Prishtina, banohej kryesisht nga arbnit, bullgarët, vllehët dhe serbët, komunitete etnike me shumicë të besimit të krishterë ortodoks. Pushteti perandorak bizantin me qendër në Kostantinopojë, e kontrollonte fushën e Kosovës përmes një infrastrukture ushtarake me dy qendra, dy qytete garnizone: Lypenioni dhe Sfentzánioni.1 Fjala është për Lipjanin dhe Zveçanin. Ky i fundit, kishte një kala në një kodër shkëmbore të ngritur, një përfytyrim për të cilën mund të krijohet nga një gravurë e bërë nga diplomati slloven Benedikt Kuripeshiq, gjatë një udhëtimi të tij nga Lubljana në Kostantinopojë në vitin 1530, gravurë kjo e botuar në librin e tij të vitit 1531, “Itinerari i udhëtimit për në Kostantinopojë për te Perandori Turk Sulejman”.2 Gjatë luftërave serbo-bizantinte, pas betejës së Pantinës në vitin 1170, Zhupani i Madh i Rashkës, Stefan Nemanja arriti ta shtinte Zveçanin në dorë. Nga kjo kohë, pas rënies së Zveçanit në duart e serbëve, Lypenioni, përkatësisht Lipjani, si një fortesë fushore, mbeti pika kryesore ushtarake në të cilën mbështetej pushteti bizantin në rrafshin e Kosovës.
Në fund të shekullit të XIII, vllehët dhe bullgarët u kryengritën dhe u konfrontuan me pushtetin bizantin, të prirë nga vëllezërit Teodori dhe Aseni, prej nga u ngrit ajo që njihet si Perandoria e Dytë Bullgare (1185 – 1422). Teodori i kurorëzuar si Pjetri II, qeverisi bashkë me vëllain e tij Asenin, por pas vrasjes së Asenit më 1196, ai e bëri bashkësundimtar vëllain e vogël Ivanin, i njohur si Kalojani, e kur edhe Teodori u vra më 1197, Kalojani mbeti i vetmi sundimtar i Bullgarisë. Në pranverë dhe në vjeshtë të vitit 1199, vllehët në aleancë me kumanët e kaluan Danubin dhe u futën në territoret e Perandorisë Bizantine. Duke e shfrytëzuar këtë gjendje, Kalojani sulmoi po ashtu drejt tokave bizantine dhe pas disa fitoresh, arriti të zgjerohej në perëndim duke i pushtuar ndër të tjerë edhe Shkupin dhe Prizrenin. Kështu në të kapërcyell nga shekulli i XII në shekullin e XIII, tokat jugore të rrafshit të Kosovës dhe të rrafshit të Dukagjinit, ishin në zotërimin e bullgarëve.
Pikërisht në këtë kohë, më 1202, Papa Inocenti III e lëshoi kushtrimin drejt katolikëve për një ekspeditë ushtarake për ta marrë Jeruzalemin nga duart e myslimanëve. Kjo do të ishte Kryqëzata e Katërt (1202–1204). Në prill të vitit 1204, kryqtarët latinë e morën Kostantinopojën nga brenda, duke e shembur pushtetin perandorak bizantin në metropolin e saj. Ajo u zëvendësua nga një shtet kryqtar i njohur si Perandoria Latine e Kostandinopojës dhe këtu nisi një periudhë e njohur si Frankokracia, nga greqishtja “sundimi i frankëve”, gjegjësisht i kryqtarëve katolikë dhe aleatëve të tyre venedikas. Pushteti i fragmentrizuar bizantin u nda në tresh me tre qendra: në Trebizond, në Nike dhe në Epir. Kjo vazhdoi deri në korrik të vitit 1261 kur Perandoria e Nikeas e rimëkëmbi Perandorinë Bizantine dhe e riktheu Kostantinopojën sërish si metropol të saj. Në ndërkohë, pas vdekjes së Kalojanit më 1207, Bullgaria u zgjerua edhe më tutje nën Ivan Asenin II, siç mund të shihet në hartën e mëposhtme, të punuar nga studiuesi bullgar Dimitar Rizov më 1917.
Mbretëria Bullgare nën Asenin II deri më 1230. (Burimi: Atlasi D. Rizov, 1917)
Dobësimi i pushtetit bizantin krijoi një boshllëk pushteti në Ballkanin qendror, ku gjatë shekullit të XIII dhe XIV, pati përplasje dhe rivalitet të vazhdueshëm mes bullgarëve dhe prijësve serbë. Zhupanët serbë bënë inkursione të vazhdueshme në rrafshin e Kosovës në gjysmën e dytë të shek. XIII. Në dhjetvjetshin e parafundit të shek. XIII, Mbreti Stefan Milutin i zgjeroi zotërimet e tij në drejtim të atyre bullgare duke marrë edhe Prizrenin. Në vitin 1285, ai e ndërtoi kalanë e Novobërdës, e domosdoshme për eksploatimin e pasurive minerare të zonës. Në Novobërdë gravituan arbën, raguzanë dhe madje xehetarë saksë nga Saksonia, teksa rëndësia e Novobërdës shkoi duke u rritur derisa u bë një nga qytetet më të pasura në Ballkanin e Mesjetës së vonë. Kjo e bëri Novobërdën një destinacion veçanërisht për tregtarët e argjendit që e tregtonin atë nëpërmjet Adriatikut nëpër Mesdhe.
Atë botë, vegjetacioni i Kosovës ishte shumë më i dendur. Luginat e lumenjve ishin të mbushura me shkurre e ferra, kurse zonat malore ishin shumë më të pyllëzuara, siç është ruajtur në toponime si Lluga, Hvosno (sllavisht: pyll i dendur), Leskovc, Zabel etj. Por pasuritë minerare hapën shtigjet e tyra dhe krijuan kanalet e komunikimit dhe rrugët tregtare. Kështu mes tre qendrave minerare, Janjevës e Novobërdës më në jug dhe Zveçanit në veri që ishte garantuese e mineraleve që nxjerreshin nga Trepça, kishte nevojë për një qendër të ndërmjetme, që shërbente si pikëndalesë karvanesh, stacion ku këmbeheshin kuajt e paratë si dhe ku përditësoheshe me lajme për sigurinë e rrugës dhe ngjarjet e kohës. Lypenioni e kishte humbur fare rëndësinë e tij me largimin e pushtetit bizantin, andaj pak kilometra larg këtij lokacioni, në një ultësirë, u ngjiz një vendbanim i ri: Prishtina!
Për emërtimin e këtij vendi, qarkullojnë variante krejt të ndryshme prej njëri tjetrit, deri te ata më të përçudnuarit, rezultat i etimologjive imagjinare nga kurreshtje intuitive. Por shpjegimi më i gjasshëm, mbetet ai i gjuhëtarit amerikan Eric P. Hamp, sipas të cilit, toponimi “Prishtina” vjen nga fjala e hershme indoevropiane “pri” që ka kuptimim “va” dhe fjala tjetër indoevropiane “setin” me kuptimin e “gurit” (kujto në anglisht fjalën “stone” – “gur”). Va i gurit, apo va mbi gurë mund të jetë kuptimi i toponimit origjinar “Prisetina”.
Përmendja e parë e njohur e Prishtinës në një dokument të shkruar, datohet në tetor të vitit 1325. Ajo u botua së pari më 1913, nga Lajos Thallóczy, Konstantin Jireček dhe Milan Šufflay, në veprën me dokumente, “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, si dokument i renditur me numrin 710, në vëllimin e parë të kësaj vepre monumentale. Është fjala për një letër në të cilën Stefan Uroshi III (1276-1331), Mbreti i Serbisë, i njohur edhe si Stefan Deçanski, i shkruan Republikës së Raguzës. Në këtë letër, Stefan Uroshi III kërkon që nëse vijnë nga Raguza, Elia dhe Thomai, t’ia sjellin tributin apo haraçin e Shën Dhimitrit në Prishtinë (Pristinae).3 Në këtë kohë, Prishtina ishte seli e Stefan Deçanskit. Kjo tregon që ajo tashmë kishte një lloj rëndësie si vend. Nga kjo mund të përfundohet që koha e themelimit të Prishtinës, duhet datuar diku në mes të shekullit të XIII.
Përmendja e dytë më e hershme e Prishtinës në një burim të shkruar, ka për autorësi vetë perandorin bizantin Joan VI Kantakuzen (1292 – 1393), i cili duke përshkruar takimin e tij me mbretin serb Stefan Dushani, më 1342, shkruan se u takuan “…atje në një fshat të parrethuar me mure të quajtur Pristinon”. Dy dokumentet më të hershme të shkruara për Prishtinën, rezultojnë t’i kenë për personazhe dy mbretër serbë, Stefan Deçanskin dhe Stefan Dushanin, sepse gjatë gjysmës së parë dhe mesit të shkullit të XIV, Prishtina ishte një nga selitë e mbretërve serbë, me sa duket, veçanërisht për verim.
Pas vdekjes së Stefan Dushanit më 1355, mbretërinë e tij e përfshiu anarkia dhe ajo u shkërmoq mes pasuesve të tij në shumë zotërime. Rreth një dhjetëvjetësh më pas, diku pas vitit 1365, Prishtina u bë seli e Vukashin Mërnjaçeviqit, një princ serb që pikërisht nga viti 1365 e derisa vdiq më 1371, mbretëroi nën emrin Stefan Uroshi V, Mbret i Serbëve dhe Grekëve. Në të vërtetë, ai u vra më 26 shtator 1371 në Betejën e Maricës, duke luftuar kundër turqëve osmanë, që sapo ishin shfaqur në Ballkan dhe që gjatë shekullit pasues do ta përlanin gjysmën e gadishullit me ushtritë e tyre. Pas vdekjes së Vukashinit, zotërimet e tij u mbetën nën sundim katër djemve të tij, por sipas kronistit raguzan të shekullit të XVI, Mavro Orbini, autorit të veprës së famshme “Mbretëria e Sllavëve”, pas vdekjes së Vukashinit, sundimtari serb Lazar Hrebeljanoviq e pushtoi Prishtinën dhe Novobërdën.4
Pak kohë më pas, Prishtina përfundoi si një zotërim i Vuk Brankoviqit, një fisnik serb i cili më 20 janar të vitit 1387, pikërisht në Prishtinë, e lëshoi një kartë me të cilën bëri marrëveshje me Raguzën për rregullimin e marrëdhënieve tregtare me raguzanët në zotrimet e tij, duke përfshirë edhe vetë Prishtinën. Këtu zë fill një periudhë rreth gjashtë dekadëshe gjatë të cilës, Prishtina ishte shtëpi për një koloni raguzanësh, tregtarë nga Republika e Raguzës në Dalmaci, e cila ishte pavarësuar pak kohë më parë, në vitin 1358. Kjo është edhe arsyeja përse historia e hershme e dy shekujve të parë të Prishtinës, më së shumti është e dëshmuar nga burimet dokumentare raguzane të ruajtura në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut dhe aq shumë të gjurmuara nga historianët.5
Pikërisht nga burime dokumentare raguzane, mund të rindërtohet deri diku jeta në Prishtinën e fundshekullit të XIV dhe gjysmës së parë të shekullit të XV. Në një testament të hartuar nga qytetari raguzan Matco de Suezda – emër i latinizuar i Marko Zvizdiqit – me datë 9 nëntor 1387, ai ka lënë pesë dukate për të financuar përfundimin e punimeve të Kishës së Shën Mërisë në Prishtinë, një kishë kjo e ritit roman.6
Në fund të shkullit të XIV, turqit osmanë i shpeshtuan ekspeditat e tyre pushtuese në territoret e Ballkanit. Në fillim të verës së vitit 1389, Prishtina u bë dëshmitare e një prej betejave më të njohura mesjetare në historinë e popujve ballkanikë. Rreth dhjetë kilometra në veri të Prishtinës, në një fushë të gjerë, u ndeshën mes tyre një ushtri osmane e mbështetur edhe nga ushtri serbe dhe një ushtri aleatësh e përbërë nga serbë, arbën, boshnjakë, hungarezë, vllehë dhe frankë. E mirënjohur si Beteja e Kosovës meqë u zhvillua në Fushë të Kosovës, ajo ngjau më 15 qershor të vitit 1389. Në serinë e betejave të ballkanasve me osmanët, në periudhën një shekullore të depërtimit osman në gadishull, Beteja e Kosovës është më e njohura, jo për rëndësinë e saj reale sa për folklorin ballkanik dhe mitet fetare dhe ideologjike që serbët krijuan për të në shekullin e XIX. Kjo është e vetmja betejë në historinë gjashtëshekullore të Perandorisë Osmane, ku është vrarë një sulltan. Gjatë kësaj beteje, një fisnik vendas, arriti ta therrte Sulltan Muratin I Hydavendigar.7 Shtatë vite pas Betejës së Kosovës në fillim të vitit 1396, trupat osmane i sulmuan tokat që ishin nën zotërimet e Vuk Brankoviqit dhe e pushtuan edhe Prishtinën. Por duke qenë një qytet rëndësia e të cilit vinte nga dogana e tij, ku qarkullonin mallra dhe veçanërisht metalet, Prishtina ruajti karakterin e saj kozmopolit dhe nuk u osmanizua menjëherë. Do të duhet të kaloj edhe gjysmë shekulli që Prishtina të futet në rrugën e osmanizimit që e ktheu atë në një qendër tipike osmane për kohën.
Nga të dhënat dokumentare të shekullit XIV dhe gjysmës së parë të shekullit XV, kuptohet që Prishtina kishte një popullsi shumë diverse, veçanërisht për shkak të tregtarëve të vendosur aty e që kishin ardhur nga Raguza, Spliti, Zara, Kotorri, Tivari, Drishti dhe Ulqini. Të gjithë këto qytete i takonin bregdetit lindor të Adriatikut, një zonë kjo katolike, që kontrastonte me prapatokën ortodokse të Ballkanit qendror ku shtrihej dhe Prishtina. Vendosja e këtyre banorëve në qytet, i shpjegon evidencat për dy kisha katolike në Prishtinë: Kishën e Shën Mërisë dhe Kishën e Shën Pjetrit.8 Një grumbull testamentesh që datohen nga viti 1429 deri më 1442, të lënë nga dhurues të ndryshëm, ofrojnë të dhëna për klerin e këtyre dy kishave katolike në Prishtinë, në dekadat e fundit para pushtimit të plotë osman të qytetit.
Shekujt XV dhe XVI
Diku në fillim të vitit 1409, një ushtri hungareze gjatë një sulmi në zonën përreth, e sulmoi dhe e djegu Prishtinën. Kjo merret vesh nga një shkresë me të cilën raguzanët e Prishtinës i ankoheshin Sigismundit të Luksemburgut, i cili që nga viti 1387 kishte marrë kurorën e Mbretit të Hungarisë. Gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit të XV, në Prishtinë rezulton një aktivitet i dendur tregtar i tregtarëve të ardhur nga Raguza. Nga librat e Këshillit të Vogël Raguzan, dalin të dhëna statistikore për koloninë e raguzanëve të Prishtinës që shkojnë nga 39 raguzanë më 1414, deri te 208 qytetarë raguzanë në vitin 1437. Por depërtimet e osmanëve pikërisht në këtë kohë, sollën shumë rivalitete dhe konflikte mes raguzanëve dhe osmanëve, për shkak të përplasjeve të interesave ekonomike të tyre.9
Në vjeshtën e vitit 1448, mes 17 dhe 20 tetorit, Prishtina u bë dëshmitare e një beteje të ashpër që u zhvillua mes trupave hungareze dhe atyre osmane në Fushë të Kosovës. E njohur si Beteja e Dytë Kosovës, kjo betejë treditore shënoi kulmin e revanshit të hungarezëve ndaj osmanëve. Në fund të kësaj beteje, osmanët e komanduar nga vet Sulltan Muradi II, i mposhtën duke i thyer keqas hungarezët dhe aleatët e tyre vllehë, gjermanë dhe bohemianë të drejtuar nga Janosh Huniadi.10
Kjo betejë e fituar nga osmanët i hapi rrugë përparimit të mëtutjeshëm të osmanëve drejt Ballkanit qendror dhe perëndimor dhe konsolidimit të tyre në këto anë. Nuk dihet saktë se kur ra Prishtina në duart e osmanëve, por me sa duket në kohën kur hungarezët dhe osmanët u ndeshën në Fushë të Kosovës më 1448, Prishtina tashmë kishte një dekadë që ishte marrë nga osmanët sepse ajo zotërohej nga Skender Turku, teksa ajo rezulton nën osmanët për herë të parë qysh më 1439, kur zot i Prishtinës ishte Isa Beu.11 Në këtë kohë, depërtimi dhe fuqizimi i osmanëve shihej me vëmendje dhe shqetësim në Raguzë, e cila kishte interesa të mëdha ekonomike që lidheshin me Prishtinën, për shkak të kolonisë së raguzanëve në qytet. Në një letër të datës 12 qershor 1430, e shkruar si përgjigje ndaj ambasadorit raguzan tek Sandali i Bosnjës mbi njoftimin e tij për ardhjen e sanxhakbeut të Shkupit në Prishtinë, autoritetet e Raguzës gjykonin: “Ne nuk besojmë në mundësinë e një sulmi nga ana e Isakut për të cilën fliste Sandali. Nuk është ky shkaku, për të cilin ky turk vjen në Prishtinë, ka më tepër të ngjarë që ai të ndihmojë raguzanët, meqenëse turqit janë në paqe me Sigismundin.”12
Kështu në mes të shekullit të XV, Prishtina dikur një qytet stacion tregtarësh, mori trajtën qytetëse të një kasabaje osmane, kur Sulltan Mehmeti II që fitoi famë të gjerë pasi e pushtoi Kostandinopojën më 29 maj 1453, ndërtoi një kompleks godinash në Prishtinë më 1455, duke përfshirë një xhami, një hamam dhe një medrese.13 Nga këtu mund të flitet për Prishtinën osmane dhe për osmanizimin e Prishtinës, si një proces akulturimi që më së lehti është i përcjellshëm përmes islamizimit të popullsisë së saj.
Në një regjistër osman të vitit 1477, kur sundimi osman ishte konsoliduar në qytet, Prishtina rezulton të kishte 9 lagje me gjithsej 351 shtëpi, sipas kësaj radhe: lagjja Mitropolit me 48 shtëpi; Kaqanoviq me 64 shtëpi; Pojasar me 55 shtëpi; Potoqishte me 40 shtëpi; Shtitar me 30 shtëpi; Vërliçko me 56 shtëpi; Kosiriq me 25 shtëpi; Llukar me 28 shtëpi dhe Llatinar me 5 shtëpi. Në një regjistër tjetër osman po i tipit të përmbledhur (“ixhmal”), por të pas dhjetë vitesh, pra i vitit 1487, Prishtina ka edhe 51 shtëpi më shumë, këto me banorë myslimanë.14
Duke i krahasuar të dhënat e defterëve osmanë, konstatohet një përparim relativisht i shpejtë i islamizimit të popullsisë së Prishtinës brenda një periudhe prej një shekulli. Sipas një defteri të Sanxhakut të Vuçitërnës, i cili është hartuar në kohën e sundimit të Sulltan Selimit II pra mes viteve 1566 – 1574, nga gjithsej 19 lagje, Prishtina kishte 11 lagje myslimane dhe 8 të krishtera. Lagjet me popullsi myslimane ishin: lagjja e xhamisë “Sulltan Mehmed Han Gazi” me 46 shtëpi; e mesxhidit “Mehmed Bej” me 29 shtëpi; e mesxhidit “Sinan Bej Jaralu” me 24 shtëpi; e mesxhidit të Çarshisë me 11 shtëpi; e mesxhidit “Hasan Bej” me 32 shtëpi; lagjja “Emred Allaudin” me 49 shtëpi; e xhamisë “Jonuz Kadi” me 34 shtëpi; e mesxhidit “Jusuf Çelebi” me 38 shtëpi; lagjja “Mir Hasan” me 15 shtëpi; e mesxhidit “Hatunije” me 11 shtëpi dhe lagjja “Ramadan Çaush” me 20 shtëpi. Ndërkaq 8 lagjet me banorë të krishterë ishin: lagjja “Moqaloviq” me 63 shtëpi; lagjja “Bathishte” me 29 shtëpi; “Xhehriq” me 12 shtëpi; “Bojsar” me 33 shtëpi; “Llatin” me 6 shtëpi; “Shtitar” me 34 shtëpi dhe lagjja “Llukar” me 27 shtëpi. Nga përllogaritje e thjeshtë, rezulton që Prishtina e mesit të shekullit të XVI kishte 309 shtëpi me banorë myslimanë dhe 212 shtëpi me banorë të krishterë. Historiani Muhamet Tërrnava që i ka studiuar gjerësisht këta defterë, pohon që megjithëse ata përmbajnë edhe emrat e kryefamiljarëve të Prishtinës, këto të dhëna antroponomike nuk mund të interpretohen për hulumtimin e structures etnike të popullsisë së qytetit. Megjithatë ajo që dihet me siguri, është se shumica e banorëve rezidentë të Prishtinës ishin shqiptarë dhe serbë, si dhe ata janë pjesë e të dyja komuniteteve fetare të qytetit, pra të krishterëve dhe myslimanëve.15
Nga regjistrat osmanë të kësaj kohe, të studiuar edhe nga historiani Skender Rizaj, mund të krijohet një tablo edhe për jetën ekonomike të qytetit të Prishtinës, meqë defterat osmanë i kanë evidentuar gjithashtu profesionet dhe veprimtaritë e kryefamiljarëve. Aty janë përsëritur më së shumti këto profesione dhe zanate: sheh, imam, myezin, dervish, hatib, dijetar, kadi, xehetarë, hamamxhi, bakall, çatib, saraç, sapunxhi, tabak, drynar, nallban, tregtar, hallaç, telall, berber, çerrembarues, kalorës dhe terzi. Nga defteri i hollësishëm i Sanxhakut të Vuçitërrnës i vitit 977 hixhri, që korrespodon me vitin 1569/’70, rezulton që Prishtina kishte të ardhura vjetore nga taksat 94781 akçe. Nga profesionet dhe zanatet e regjistruara, kuptohet që Prishtina kishte një jetë të gjallë fetare myslimane me shumë klerikë si dhe një aktitivitet të larmishëm ekonomik prej zanatlinjësh të ndryshëm si përpunuesit e lëkurës, mbathësit e kuajve, punuesit e çerreve, rrobaqepësit, punuesit e sapunëve, përpunuesit e xeheve dhe tregtarët.16
Shekujt XVII dhe XVIII
Në dy shekujt e ndërmjetëm të sundimit osman, kasabaja e Prishtinës mori mirëfilli trajtën e një shehri tipik për periudhën osmane. Pothuajse të gjitha të dhënat e kësaj periudhe për qytetin, e përmendin Prishtinën si një qytet të lidhur me tregtinë dhe xehet si dhe si një qendër të ndodhur mes rrugësh të rëndësishme. Gjeografi dhe historiani turk Haxhi Kalif Mustafai, e përshkruante më 1648 Prishtinën si një qytet mesatarisht të madh, në një pozicion relievor të rrethuar me brigje dhe në të cilin banonte mbikqyrësi i xeheve.17
Në vitin 1660, shkrimtari i mirënjohur turk Dervish Mehmed Zili, i njohur më shumë si Evlia Çelebiu, u ndal edhe në Prishtinë teksa po e shoqëronte gjatë një udhëtimi të tij Meleq Ahmed Pashën, Guvernatorin e Rumelisë që po shkonte nga Bosnja në Sofje. Në veprën e tij të mirënjohur me udhëpërshkrime “Libri i udhëtimeve” (“Sejahatname”), Çelebiu i ka kushtuar rreth dy faqe tekst Prishtinës, me disa të dhëna për të ashtu siç ai e gjeti qytetin më 1660. Në to, ai shkruan që Prishtina kishte 2060 shtëpi njëkatëshe dhe dykatëshe, të rrethuara me mure dhe me çati me tjegulla, me oborre të mëdha dhe me vreshta e kopshte. Mes tyre ai shquan sarajin pra pallatin e Koxha Bodur Allajbeut dhe godinën e gjykatës. Ai pohon të ketë numëruar gjithsej 12 faltore, prej të cilave 6 xhami, një në pazar dhe të tjera si xhami lagjesh. Sipas Çelebiut, pranë tyre në qytet kishte edhe medrese, shkolla hadithi, shkolla fillore dhe teqe dervishësh. Ndërsa mes hajrateve apo veprave arkitektonike publike, ai përmend disa çezma apo kroje publike. Në tërë Prishtinën ai nuk e gjeti asnjë godinë me çati plumbi, që për kohën nënkuptonte diçka më madhështore dhe më luksoze, por ai evidentoi plot 11 hane në qytet, nga të cilët ai e kopjoi një kronogram, përkatësisht një epigraf nga Hani i Haxhi Beut, me këtë përmbajtje tekstuale: “Jemi krenar ta themi datën me fjalë: Ky han u ndërtua më 1032”. Konvertuar këtë datim nga kalendari hixhri në atë gregorian, rezulton që hani i Haxhi Beut të ketë qenë ndërtuar më 1623, pra 37 vite para se Çelebiu ta vizitonte atë dhe qytetin. Gjatë udhëtimit të tij në Prishtinë, Çelebiu numëroi 300 dyqane, në të cilat ai shkruan se mund të gjesh ç’të duash, por për të cilat ai pohon se janë të pamjaftueshme për përmasat e qytetit. Ai shkruan që këto dyqane ishin sistemuar në një Pazar, por që qyteti nuk kishte bezistan, pra Pazar të mbuluar e të rrethuar me mure. Shkrimtari turk lavdëron banorët e Prishtinës, si njerëz mikpritës, kurse djemtë dhe vajzat e qytetit thotë se njiheshin në të gjitha trevat osmane për bukurinë e tyre, që ai ia atribuon klimës së mirë.18
Në fund të shekullit të XVII, Prishtina u bë qendër e shtabit të trupave të krishtera austriake, gjatë luftës austro-osmane të vitit 1689. Me këtë rast, komandanti i tyre gjeneral Picolomini e vendosi shtabin e tij në Prishtinë, aty ku ai u takua me Peshkopin e Shkupit, Pjetër Bogdani i cili u printe trupave vendase me rreth 20000 kryengritës, që të gjithë të krishterë. Në pamundësi për t’i mposhtur trupat austriake, osmanët angazhuan edhe trupa mercenare tatare, të cilat duke hedhur kufoma kafshësh të ngrodhura e përhapën murtajën si një armë biologjike kundër austriakëve dhe kryengritësve. Pikërisht i infektuar nga murtaja, Pjetër Bogdani vdiq në Prishtinë më 6 dhjetor 1689. Ai u varros në oborrin e xhamisë së Sulltan Mehmedit II e cila ato ditë ishte kthyer ndërkohë në kishë katolike. Por ato ditë gjërat morën tatëpjetën dhe trupat austriake të komanduara nga Holshtajni dhe nga koloneli Shtraser, e braktisën njëri pas tjetrit Prishtinën me aq nxitim sa që lanë pas shumë minicione dhe rezerva ushqimore si dhe disa topa artilerie. Në ditët e para të janarit të vitit 1703, trupat tatare dhe ato osmane u futën në Prishtinë dhe u hakmorrën mbi banorët e pakët të mebtur dhe mbi qytetin. Sipas priftit katolik Gjergj Bogdani, i nipi i Pjetër Bogdanit, ata e zhvarrosën kufomën e këtij të fundit dhe ia hodhën atë qenve në mes të Prishtinës.19 Fatkeqësia e mortajës si epidemi iu rikthye Prishtinës të paktën edhe në dy raste të tjera: në vitin 1703 dhe në vitin 1737, mortaja u përhap në Prishtinë duke bërë kërdi mbi banorët e qytetit dhe rrethinat e tij.20
- 1
Ylber Hysa, Refleksione bizantine në gjeografinë historike të Kosovës, prezantim te Java e Albanologjisë, Prishtinë: Instituti i Albanologjisë, qershor 2020; shih: https://www.koha.net/kulture/221992/refleksione-bizantine-ne-gjeografine-historike-te-kosoves/ (qasur më: 22 tetor 2023).
- 2
Benedikt Kuripesic, Itinerarium, Wegrayß Kün. May. potschafft gen Constantinopel zu dem Türckischen keiser Soleyman. Anno XXX., Augsburg: Heinrich Steiner von Augsburg, 1531.
- 3
Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, L. Thallóczy, C. Jireček, M. Šufflay, vëll. I, Tiranë & Prishtinë: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave & Revista Ekskluzive, 2002, f. 213.
- 4
Mavro Orbini, Kraljevstvo Slovena, Zagreb: Golden marketing, 1999, f. 279.
- 5
Muhamet Tërnava, Arkivi i Raguzës – burim për historinë e Kosovës, në “Rilindja”, Prishtinë: 4 nëntor 1978.
- 6
Desanka Kovačević-Kojić, “Pristina u srednjem veku”, në Istorijski Časopis, 22 (1975), ff. 45-74.
- 7
Salami Pulaha, “Shqiptarët dhe beteja e Fushë Kosovës e vitit 1389”, në Beteja e Kosovës 1389 (Përmbledhje studimesh), Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Intituti i Historisë, 2005, ff. 9 -45.
- 8
Gjon Berisha, Arbërorët ndërmjet Kishës Perëndimore dhe asaj Lindore (shek. XI-XV), Prishtinë: Instituti i Historisë, 2017, ff. 481 – 185.
- 9
Jahja Drançolli, Raguzanët në Kosovë (Prej fundit të shekullit XIII deri në vitin 1455), Prishtinë: Instituti i Historisë i Kosovës, 1986, ff. 128 – 135.
- 10
Mesut Uyar, Edward J. Erickson, A Military History of the Ottomans From Osman to Ataturk, Oxford: ABC – CLIO, 2009, ff. 29-30.
- 11
Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII: Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore, Prishtinë: Rilindja, 1982, f. 244.
- 12
DAD, Lett. Et Comm. di. Lev., vol.X (1427 – 1430), fol. 154r-155r; në Gjon Berisha, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, Prishtinë: Instituti i Historisë “Ali Hadri”, 2018, f. 102.
- 13
Orges Drançolli, Xhamitë me kube në Kosovë, Prishtinë: Instituti i Historisë “Ali Hadri”, 2023, f.
- 14
Adem Hanžić, “Nekoliko vijesti o Arbanasima na Kosovu i Metohije sredinom XV vijeka”, në Simpoziumi për Skënderbeun, Prishtinë: Instituti i Albanologjisë, 1969, ff. 207 – 209.
- 15
Muhamet Tërnava, “Popullsia e Prishtinës në gjysmën e dytë të shekullit XVI në bazë të të dhënave antroponomike të një defteri turk”, në Studime për Mesjetën, Pejë: Dukagjini, 2000, ff. 204 – 208.
- 16
Skender Rizaj, Kosova gjatë shekujve, vep. cit. ff. 245-247.
- 17
Esad Mekuli, Dragan Qukiq (reds.), Prishtina, Prishtinë: Kuvendi i Komunës së Prishtinës, 1965, f. 14.
- 18
Evlija Çelebiu, Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në vise fqinje: Kosovë, Mal i Zi, Ohër, përkth., A. Myftiu, Tiranë: Botiemt 55, ff. 18-19.
- 19
Noel Malcolm, Kosova: një histori e shkurtër, përkth., A. Krajagdiu, Prishtinë: Koha, 2011, f. 217.
- 20
Sherafedin Sylejmani, Prishtina ime, Prishtinë: Java Multimedia Production, 2010, f. 10.