MITRO KRISTIANI ADMINISTRATORI I KISHËS SË SHËN MËRISË DHE I QYTETIT TË LASHTË TË APOLLONISË.
Patriot. Mbaruar shkollën e Apolonisë dhe të Ardenicës në gjuhën greke. Fliste gjuhën osmane dhe greke. Kryeplak i kishës së Shën Mërisë. Psalës i kishës së Shën Mërisë. Administrator i kishës dhe i qytetit të Apolonisë. Zv. Mësonjës i Shkollës së Apolonisë. Përndjekur, burgosur dhe vrarë nga ushtria Osmane para vitit 1900-të. Manastiri i Apolonisë, kisha e Shën Mërisë, shkolla dhe biblioteka e librave.
(Ndërtuar më 18 Mars 1268)
Populli patriot Myzeqar, gjatë tërë historisë së tij ka luftuar me trimëri të rrallë kundër çdo lloj okupatori të huaj, që erdhi në këto anë, për ti rrëmbyer atij Lirinë dhe trojet tona të shenjta, lënë trashëgim nëpër shekuj nga të parët e vet.
Ishte pikërisht Myzeqeja, ajo që e filloi luftën e para edhe ndaj hordhive turke, qysh në betejën e Savrës së Lushnjes më 18 shtator 1385, ku mbeti i vrarë princi shqiptar Ballsha i II-të i Shkodrës, të cilët po përgatiteshin për pushtimin e trojeve tona dhe gjithë gadishullin Ilirik.
Po kështu, katër vjet me vonë, pa u mbyllur ende plagët e Savrës, një ushtri tjetër e kësaj krahine, me rreth 3500 deri në 4000 luftëtar, nën drejtimin e princit të tyre Theodhor Muzaka, shkoi dhe luftoi me heroizëm të pashoq edhe në betejën e Fushë Kosovës (Dardani) më 15 qershor 1389-të, ku mbeti i vrarë ky trim myzeqar.
Pas disfatës që pësoi ushtria e Skënderbeut në betejën e Beratit më 1455, ku populli i krahinës tonë vuajti pasoja tepër të rënda, në vitin 1457 myzeqarët korrën një sukses historik në Betejën e Pirgut, duke shpartalluar keq ushtrinë turke dhe marrë në dorë qytetin e tyre port, me rëndësi të madhe strategjike.
Edhe gjatë verës së vitit 1481, në veri të qytetit të Fierit, pranë fshatit Mbrostar, Populli Myzeqar së bashku me ushtrinë e djalit të Skëndërbeut Gjon Kastrioti i Ri, zhvilloi një betejë tjetër legjendare kundër okupatorëve osman. Ai e shkatërroi plotësisht ushtrinë turke të komanduar nga Sulejman Pasha, i cili rastësisht patë mundur të shpëtoj, pa u kapur rob prej myzeqarëve.
Kryengritjet dhe luftërat e myzeqarëve kundër pushtueseve turq, që e tronditën mjaft Portën e Lartë, duke ulur lavdinë dhe turpëruar autoritetin e saj, kanë qenë në vazhdimësi.
Ato nuk u ndalën kurrë nëpër shekuj, qysh nga beteja e Libofshës në vitin 1603 me Mihal Kërrabën e Nikollë Lushin, por edhe më 1832, 1833, 1834, e Myzeqesë me Alush Frrakullën e Filip Zhukën më 1835, e Karatoprakut me Gori Myzeqarin, Trifon Lalën, papa Jorgji Karavastan më 1840-të dhe deri tek ajo e Fierit në vitin 1935 kundër tradhëtarit Ahmet Zogu.
E gjithë historia e lavdishme e Myzeqesë, e kësaj krahine të shquar si më antiturke, është e mbushur plot me ngjarje heroizmi. Ato kanë lënë gjurmë të mëdha, jo vetëm tek populli ynë, por edhe në shtypin e kohës të vendeve të ndryshme evropiane, pavarësisht terrorit të egër që u ushtrua në këtë trevë.
Kjo krahine ka pasur mjaft kapedan trima që rrokën armët, qëndruan në krye të popullit të vet dhe u matën e përballën edhe frontalisht me xhandarmërinë dhe ushtrinë turke, nga më të mëdhatë e kohës.
Akte të tilla heroizmi, megjithëse nuk u lanë kurrë të shkruhen nga ana e atij regjimi barbar, që ushtronte vazhdimisht dhunë të egër mbi njerëzit e papërkulur të kësaj nahije, disa prej tyre u ruajtën në kujtesën e popullit dhe mbetën trashëgim nëpër breza, duke arritur deri në ditët e sotme.
Ato mbijetuan si amanet i shenjtë i atyre trimave, duke çarë errësirën e shekujve, për të na treguar ne me prova e dëshmi të vërtetën, se kush kanë qenë gjyshërit e stërgjyshërit tanë dhe heroizmin e rrallë të tyre në luftëra e beteja të përgjakshme, për të fituar Lirinë dhe Pavarësinë nga murtaja gjakatare e osmanëve të Anadollit.
Një ndër këta myzeqar trima dhe patriot ka qenë edhe Mitro (Mitrush-Tushi) Kristiani, ish administrator (kryeplak), zëvendës i priftit (psalës) në Kishën e Shën Mërisë së Manastirit të Apollonisë në Fier, si dhe ndihmës mësojnës i shkollës në gjuhën greke të Pojanit.
Fatkeqësisht, përveç kujtimeve dhe tregimeve, si për çdo atdhetar tjetër myzeqar edhe për këtë kapedan pojanak dhe të parët e tij, ne na mungojnë dokumentet e sakta e të mirëfillta historike mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e tij patriotike kundër regjimit pushtues Osman.
Megjithatë, ne shpresojmë akoma, se për këtë ngjarje, mund të ketë ndonjë dokument që vazhdon të qëndroj përsëri në pluhurin e bodrumeve tona, të kyçura me shtatë dryna, apo në arkivat e Stambollit, po qe se është shkruar diçka rreth saj dhe ka ngelur pa u zhdukur qëllimisht nga njerëz të papërgjegjshëm.
Dhuna e egër që ushtroi xhandarmëria dhe ushtria turke ndaj këtij mëmëdhetari, ka qenë tepër ekstreme dhe e pashembullt. Ajo u shoqërua edhe me grabitje pronash, përndjekje, burgosje, dënime e dëbime edhe ndaj familjes së tij.
Kishte vite dhe dekada të tëra, që në mendjen time qëndronin të freskëta tregimet e patriotit Tasi Tushi, që u rrëfente vazhdimisht nipave dhe dy djemve të tij për të gjithë Myzeqenë, por edhe për të atin e vet Mitron, aty rreth viteve 1955-1960.
Me kujtesën e tij të admirueshme, ky patriot i thjeshtë e plot kontribute, tregonte njëra pas tjetrës edhe shumë ngjarje e trimëri të tjera, që kishin ndodhur në këtë krahinë, qysh nga dy kuvendet e Fierit, pritja e Ismail Qemalit në Libofshë, e deri tek Kongresi i Lushnjes e tjerë.
Këto kujtime brezash, rreth një ngjarje heroike të ndodhur shekuj më parë në kishën e Pojanit, më therrisnin vazhdimisht nga larg me zërin e tyre, duke më bërë apel që të kryeja amanetin e lënë nga disa fisnik myzeqar për kapedanin e harruar, që vuajti aq shumë gjersa e fali edhe jetën e tij, për të mbrojtur gjuhën e ëmbël shqipe dhe trojet tona të shenjta.
Po kush ishte kryeplaku i kishës së Shën Mërisë së Apollonisë, rebeli që ngriti krye ndaj regjimit pushtues osman, ngjeshi armën në brez dhe luftoi kundër kësaj murtaje të Azisë së Vogël, e cila u kishte shkaktuar kaq vuajtje të mëdha shekullore popujve në gadishullin Ilirik e më gjerë?
Mitro Kristiani rridhte nga një familje me tradita të mëdha patriotike në fshatin Pojan të rrethit Fier. Të parët e tij kishin qenë të arsimuar për atë kohë, fetar dhe të lidhur ngushtë e punësuar në Manastirin e Shën Mërisë së Apollonisë.
Ata kishin qenë tepër aktiv, duke marrë pjesë edhe në kryengritjet antiosmane të Myzeqesë e Beratit, që u zhvilluan gjatë viteve 1830-1835, për mbrojtjen e të drejtave të popullit tonë dhe të djemve të tij, që të mos i dërgonin më ushtar (nizam) në shërbim të Perandorisë Osmane.
Kjo familje vazhdimisht kishte dhënë kontributin e saj edhe për forcimin e ndjenjave kombëtare shqiptare në Myzeqe, duke kërkuar edhe largimin e priftërinjëve grek të atyre kohëve nga kishat tona dhe vendosjen e klerikëve ortodoks shqiptar nga kjo krahinë.
Në gjurmët e tyre eci edhe djali i kësaj familje Mitro, i cili pasi mbaroi shkollën e Apollonisë në gjuhën greke, kryeu edhe studime më të larta pranë Manastirit të Ardenicës për ekonomi, administrim, gjuhë greke e osmane dhe shërbime fetare.
Pas përfundimit të shkollës në Ardenicë, ai u emërua ndihmës i priftit (dhjak-psalës), zëvendës mësues i shkollës, administrator dhe kuadër drejtues i mbrojtjes së pasurisë e pronave të kësaj kishe dhe i qytetit të lashtë të Apollonisë.
Ndërsa vet kryente disa funksione të rëndësishme në këtë manastir, vëllezërit e tjerë të tij Llambrua, Kristaqi (Taqi) dhe Kristua merreshin me mirëmbajtjen dhe riparime të ndryshme në këtë institucion fetar të shquar dhe me emër të madh gjatë tërë shekujve.
Ai u frymëzua shumë nga kryengritjet e mëdha e të vazhdueshme antiturke të Myzeqesë, më 1832, 1833, 1834 dhe luftētarët e drejtuesit e tyre heroik si Alush Frrakulla, Filip Zhuka(1835-së), Gori Myzeqari, Trifon Lala, papa Jorgji Karavastaja, Jorgji Perriu, Met Roshe, Sul Sinani, Mançe Malko(1840-të) e mjaft të tjerë.
I ndikuar tepër prej tyre, tek ai u zgjuan dukshëm dhe shpërthyen si një vullkan ndjenjat e atdhedashurisë dhe i ushqyer e nxitur prej tyre, ky myzeqar filloi hapur aktivitetin e tij patriotik, në shërbim të çështjes tonë kombëtare.
Duke u mbështetur e përkrahur vazhdimisht edhe nga shoku i tij, mësonjësi shënpjetarak Kostandin Minga, arsimuar në Greqi (i ati i Jani Mingës), dhjaku Mitro Kristiani, në kundërshtim me vullnetin e drejtuesve të Kishës, dhespotit të saj dhe administratës së Stambollit, filloi të bëj edhe shërbime fetare në gjuhën shqipe pranë Kishës së Pojanit, të cilat ishin edhe të dënueshme nga ligjet turke, që vepronin gjatë asaj periudhe në Shqipëri.
Po kështu ai bënte mësime plotësuese në gjuhën shqipe edhe me nxënësit e shkollës, duke u folur atyre për të parët tanë, Lidhjen e Prizrenit, drejtuesit, qëllimet e saj, Kombin Shqiptar dhe historinë e lavdishme të tij nëpër shekuj e më gjerë, që ishin tepër të ndaluara edhe nga osmanlinjtë e rijnë xhonturq.
Aktiviteti patriotik i Mitro Kristianit, tashmë kishte rënë në sy, jo vetëm te hafijet vigjilente të Shërbimit Sekret Osman në Pojan e fshatrat fqinj, por edhe në strukturat e klerikët e lartë ortodoks grek, të instaluar nëpër kishat e manastiret e Myzeqesë.
Thuhet së aty rreth viteve 1890-të, Perandoria Osmane pruri edhe një Hoxhë turk nga Stambolli dhe e vendosi atë me banim në katundin Pojan.
Një veprim i tillë i administratës turke u propagandua me shumë djallëzi, sikur po kryhej gjoja për të mbrojtur shqiptarët dhe interesat e tyre nga rreziku ortodoks grek dhe ai serbo-bullgar, që po i kanosej kombit tonë gjatë asaj periudhe, kur osmanët po numëronin ditët e tyre të fundit si okupator në gadishullin Ilirik dhe Shqipëri.
Qëllimi i vërtet i këtij veprimi të ngutshëm ishte, jo vetëm islamizimi i kësaj zone me popullsi të krishtere, ndërtimi i një xhamie, vjedhja e tokave të fshatarëve, por edhe grabitja e pasurive kolosale të qytetit të lashtë me famë të Apollonisë dhe dërgimi i tyre drejtë Turqisë.
Me të mbërritur në Pojan, këtij Hoxhe ju dhanë arbitrarisht e në mënyrë të kundërligjshme midis të tjerave edhe tokat e Mitro Kristianit të rrëmbyera me dhunë, të cilat i kishte blerë ai sëbashku me të atin nga kisha e Shën Mërisë me dokumente e tapi të rregullta, të firmosura e vulosura edhe nga gjyqtari(Kadiu) i kësaj zone, varri prej betoni i të cilit, ka qenë deri vonë rreth vitit 1966-të, në lindje të Kishës së Shën Marinës të fshatit Havaleas.
Jo vetëm kaq, por Hoxha osmanlli, na u pritë në Pojan me ceremoni speciale edhe nga një pasha turk, duke i përcjell atij falenderime të veçanta prej Vezirit të madh, që i uronte mirëseardhjen këtij hajduti të Anadollit, nga i cili ishte dhënë porosi dhe urdhër i prerë, që të respektohej e nderohej së tepërmi edhe nga populli i këtij katundi.
Përkohësisht i strehuar në një nga xhamitë e Radostinës (Ujëmirës), Hoxha filloi të ndërtoj sarajet e tij luksoze në tokat e Mitrush Kristianit (që sot quhet Hoxhë-Arë), me një oxhak të gjatë dhe konak e oda të mëdha.
Pasi i sosi ato, kleriku i Stambollit deklaroi publikisht me mburrje, se do të ndërtonte edhe një xhami me dy minare të larta në fshatin Pojan, duke caktuar edhe vendin ku dëshironte ta realizonte ndërtesën e këtij kulti fetar, të besimit që përkiste.
Me të përfunduar rezidencën e tij, me ndihmën e strukturave shtetërore të regjimit osman, Hoxha ndryshoi me procedura të shpejtuara ligjore edhe emrin e fushave e të trojeve pafund, që ju dhanë në pronësi.
Ai i pagëzoi ato me emrin “Hoxhë-Arë” (ose Arat e Hoxhës), çka i jepte atij të drejtën mbi pronën dhe veprimet e tjera që rridhnin prej saj, për të punësuar dhe mbajtur hyzmeqar, bujq e fshatar sipas interesave fitimprurëse të tij.
Veprimet dhe deklaratat e këtij osmanliu fetar, ngjallën një pakënaqësi e zemërim të madh në radhët e fshatarëve, si dhe tek kryeplaku i Kishës së Shën Mërisë Mitro Kristiani, të cilët reaguan në forma të ndryshme dhe me indinjatë të thellë, duke i kundërshtuar me forcë sjelljet arrogante të këtij kleriku hajdut, që mbrohej nga regjimi i okupatorëve osman.
Jo shumë kohë pas inaugurimit të shtëpive të veta, Hoxha turk së bashku edhe me një horr tjetër pseudoarkeolog (hamall), filloi nga misioni i tij, për të cilin kishte ardhur në Pojan.
Në fshehtësi të plot, kleriku turk ja nisi të bënte gërmime nëpër disa zona të qytetit të lashtë të Apollonisë, duke kërkuar për skulptura mermeri e thesare të çmuara nga qytetërim i të parëve tanë taulant, iliro-pellazg, të atyre kohëve të herëshme antike, para dy mijë e ca vjetësh.
Flitet se në një takim që realizoi Hoxha turk me fshatarët e Pojanit, prezent ka qenë edhe kryeplaku i kishës Mitro. Ai kishte debatuar ashpër me Hoxhën, duke e paralajmëruar atë, se do të kishte pasoja serioze, në qoftë se nuk do ti ndërpriste grabitjet në Apolloni dhe largohej nga trojet e tij, të marra me forcën e xhandarmerisë osmane.
Në dialog e sipër me këtë Hoxhë, Mitrua e kishte demaskuar ashpër, jo vetëm atë, por edhe regjimin okupator turk, dhunën e tij barbare dhe vuajtjet e mëdha, që i kishte shkaktuar Popullit Shqiptar për pesë shekuj me radhë.
Kleriku nga Stambolli i fyer publikisht prej kryeplakut të Kishës së Shën Mërisë, u nda shumë i revoltuar nga ky debat i ashpër me të dhe menjëherë ka shkuar në Berat, për tu takuar me Pashën dhe drejtuesit e lartë të xhandarmërisë e ushtrisë turke.
Ai u kërkoi atyre që të planifikonin dhe urdhëronin me urgjencë një arrestim të dhunshëm ndaj kryeplakut të Kishës së Pojanit, në shenjë hakmarrje dhe burgosjen e tij, pasi ky ishte bërë pengesë kryesore i realizimit të qëllimeve të tij, për përvetësimin e pasurive të qyteti të lashtë të Apollonisë.
Pashai turk i Beratit, së bashku edhe me një nga zabitët e tij të lartë, i siguroi mbështetje të plot këtij Hoxhe dhe i premtoi se do ta vinte sa më shpejt në pranga dhjakun e pabindur dhe administratorin e kësaj kishe.
Pa e mbaruar mirë fjalën tij ky osmanli i lartë, kryexhandari i raportoi eprorit të tij, se psalësi i Shën Mërisë në Pojan Mitro Kristiani, është person në ndjekje nga ana jonë si një element mjaft i rrezikshëm i hyqymetit tonë.
Ai ka disa vjet që në kishë po bënë shërbime fetare (psalje) në gjuhën e shqipe dhe po helmon edhe fëmijët e shkollës me “përrallat” e Lidhjes së Prizrenit dhe historinë e këtij populli, kështu që ne, qysh nesër mund ta fusim brenda në hapsane dhe ti japim një dënim tepër të rëndë.
Për ta justifikuar sa më mirë këtë veprim edhe para besimtarëve të krishter, si dhe respektuar drejtuesit e lartë të fesë ortodokse në këtë trevë, pasha ftoi në një darkë edhe dhespotin grek të kësaj nahije, duke kërkuar ndihmën e tij për SHKISHËRIMIN e Mitro Kristianit, të cilin grekafoni antishqiptar e miratoi menjëherë.
I entuziazmuar nga pritja, premtimet dhe gadishmëria që treguan autoritetet e larta të regjimit turk në Berat dhe realizimi i planit të tij për tu hakmarrë ndaj kryeplakut Mitro, kleriku osman u kthye nxitimthi e shumë i gëzuar në Fier, sëbashku me suitën e tij që e shoqëronin.
Në çifligun e vet “Arat e Hoxhës” ose Hoxhë-Arë (Hoxharë ), siç quhet sot, ai u pritë nga shërbëtorët e tij, disa servilë (puthadorë) pojanak, por edhe nga Hafija i Havaleasit (kryeplaku i Shën Marinës), që kishte dhënë mjaft informata të rreme në ngarkim të Mitros, jo vetëm tek ky Hoxhë, por edhe në xhandarmërinë turke, rreth aktivitetit patriotik të administratorit të Kishës së Shën Mërisë të fshatit Pojan.
Kisha dhe shkolla e Shën Marinës – (Havaleas – Pojan Fier) – Autor i pikturës së Shën Mërisë është Themi Tushe.
Prishur me iniciativën e dy tersave analfabet të Pojanit, ish kushërinj dhe Sekretar të Byrosë së Partisë në këtë zonë.
Thuhet se në bisedën që bëri Hoxha turk në shtëpinë e tij sapo u kthye nga Berati, me këta të shitur te regjimi i Stambollit, ai plot mburrje e ngazëllim, dha edhe njoftimin se, së shpejti Porta e Lartë, do të marri masat e nevojshme ndaj Mitro Kristianit.
Ajo nuk do ta lejoj e toleroj atë më shumë gjatë, që të shkeli ligjet e hyqymetit dhe mbjell anarshi e urrejtje në popull kundër Sulltanit të madhërishëm dhe perandorisë tonë.
Disa ditë me vonë, pas mbërritjes në sarajet e veta, për të tatuar qëndrimin dhe reagimin e Mitro Kristianit, Hoxha u nisë vet e shkoi lartë në Apolloni.
Poshtë Lisit të Madh 7-8 shekullor në qendër të këtij manastiri, ai poqi edhe Mitro Kristianin, të cilit së shpejti do ti viheshin prangat dhe kalbej në burgun e Beratit.
Për ta fyer, poshtëruar, provokuar dhe nxitur kryeplakun Mitro, që të kryente ndonjë veprim të nxituar, gjoja si me keqrdhje e mëshirë i tha atij se: “ju mund të vazhdoni të qëndroni përsëri në shtëpinë tuaj këtu në Pojan, por me kusht që të ndryshoni me ligj mbiemrin, duke e bërë Mitro “Hoxhara”, pasi ky veprim do të quhet nga dovleti edhe si një pajtim midis nesh, duke e përmirësuar kështu dukshëm edhe imazhin e sjelljen tuaj para hyqymetit tonë”.
I prekur tepër rëndë nga fjalët e hoxhës turk, dhjaku pojanak ju kthye rrëmbimthi klerikut mysliman, duke i dhënë atij një përgjigje tejet të ashpër dhe konkretisht i kishte thënë: “…Si guxon ti more palo Hoxhë stambolli të më kërkosh e detyrosh mua, që të fëlliq mbiemrin e të parëve të mi, duke vënë sipër tij emrin e çifligut tuaj “Hoxhë-Arë”, prandaj largohu nga sytë e mi dhe ik e thyej qafën që këtej, more turk tu shoftë fara…”.
Hoxha turk, i fyer tej mase, mori rrugën tatëpjetë kokulur dhe zbriti nga kodra e manastirit mjaft i inatosur, duke shkuar tek sarajet e veta nga fundi i fshatit, në pjesën veriore të tij.
Për këtë incident që i ndodhi në manastir me kryeplakun e Kishës së Shën Mërisë, ai me siguri ka njoftuar në kohë edhe xhandarmërinë turke në Berat.
Në biseda me kryezabitin turk, hoxha ka kërkuar edhe shpejtimin e arrestimit të këtij të pabinduri ortodoks pojanak, i cili nuk po i përfillte fare ligjet e okupatorëve të Stambollit.
Pas disa ditësh, në errësirën e një mbrëmje me kohë të keqe, plot shi e bubullima, dy tabor xhandarësh turq të armatosur deri në dhëmb, hipur përmbi kuaj e lanë Beratin dhe u nisën për në drejtim të Myzeqesë.
Të nesërmen, ata u gdhinë në afërsi të kodrës së manastirit dhe filluan të bëheshin gati për kryerjen e një akti tjetër të shëmtuar kriminal, mbi popullin e pambrojtur të këtij fshati myzeqar, me histori tepër të ndritur.
Aty rreth orës tetë e gjysmë të mëngjesit, asqerët dhe xhandarët turq rrethuan me shpejtësi Kishën e Shën Mërisë, shkollën e saj dhe gjithë Manastirin e Apollonisë.
Ata qëndruan në gatishmëri të plot, për të marrë urdhrin e zabitëve të vet, që të fillonin mbi kishë veprimin e tyre të dhunshëm, ndaj këtij institucioni fetar tepër të rëndësishëm të kësaj treve.
Xhandarët osman, të ndihmuar edhe nga spiunët e këtij fshati, pasi u siguruan se kryeplaku i Apollonisë ndodhej brenda kishës duke kryer detyrën, ata hynë si bishat edhe në zyrën e tij të punës.
Xhelatët u vërsulën egërsisht mbi administratorin Mitro Kristiani, i hodhën prangat në duar, e lidhën me litar pas kalit dhe e tërhoqën zvarrë nëpër oborrin e manastirit, duke e qëlluar vazhdimisht me kamxhik dhe përgjakur pa mëshirë.
Disa minuta më vonë asqerët nxorën jashtë nxënësit e shkollës, morën të gjitha librat tok me regjistrat e punës së Mitrushit dhe i dogjën në shesh para njerëzve.
Zabiti osman mallkoi ashpër dhjakun pojanak, gjuhën tonë të ëmbël shqipe, por edhe mësonjësin Kostandin Minga, i cili për fat të mirë, nuk kishte qenë atë ditë midis nxënësve të tij.
Psalësi i Kishës, Mitro Kristiani, megjithëse i lidhur në pranga dhe i gjakosur rëndë nga xhandarët osman, kur pa se nxënësit e shkollës po qanin për zëvendësmësonjësin e tyre, ai gjeti forcë dhe ju drejtua fëmijëve e njerëzve në kishë, duke ju thënë:
“… Fëmijë të dashur dhe ju vëllezër të Pojanit …
ngrijeni kokën lartë, se sot nuk kemi mort…
druri i xhandarëve nuk do të na trembi aspak…dhe mbahuni të fort e mos derdhni lot…”.
Pa e mbaruar mirë fjalën e tij përpara fshatarëve të vet, zabiti turk dha urdhër dhe kali i asqerit e tërhoqi Mitron zvarrë mbi kalldrëmet e gurta të Kishës së Shën Mërisë.
Me trimin duarlidhur, taborët vazhduan rrugën e tyre të gjatë për në veri-lindje të Kryegjatës, Blerimes së Havaleasit, Radostinës (Ujëmirës), Fierit, Roskovecit, duke ju drejtuar kasabasë(qytetit) së Beratit dhe e mbyllën këtë kapedan në hapsanën e kalasë.
Përmbi gjashtë muaj, dhjaku pojanak përjetoi mbi trupin e tij një dhunë ekstreme dhe tortura fizike nga më çnjerëzoret prej kasapëve osman të birucave, të cilët më në fund e liruan, që mos tu vdiste në burg.
Megjithatë, banditët e Stambollit i vunë nga pas kryeplakut të torturuar edhe hafijet e tyre, për ta mbajtur nën kontroll të plot këtë myzeqar të rrezikshëm dhe betuar si antiturk.
I ndodhur në mes të katër rrugëve, me shtëpinë të prishur, truoll të grabitur forcërisht, tre fëmijë të dëbuar nga fshati i tyre Pojan dhe survejuar kudo nga spiunët famëkeq, që i shërbenin regjimi të Stambollit, ai u detyrua që të kryente edhe aktin e hakmarrjes ndaj klerikut mysliman turk, që ja kishte organizuar dhe shkaktuar të gjitha këto vuajtje e pasoja kaq shumë të rënda.
Thuhet se Mitro Kristiani, i gjendur në rrethana të tilla dëshpëruese, në mësin e një nate të errët, ka shkuar në kishën e Apollonisë dhe atje ka marrë koburen e tij të fshehur kohë më parë, të cilën e ka ngjeshur në brez.
Me tu armatosur lehtë, kryeplaku i Kishës së Shën Mërisë, fluturimthi është futur në pyjet e dendura të Shën Ilisë (Shtyllas), Kryegjatës dhe Bakërres së Shën Marinës të katundit Havaleas, duke lëvizur me vigjilencë, për t’ju shmangur survejimit të hafijeve dhe asqerëve turq, që lëviznin në këtë zonë.
Flitet se për çdo mbrëmje dhjaku i Shën Mërisë, i dalë kaçak kodrave në periferi të saj, frekuentonte shpesh edhe shtëpinë e tij të prishur në katundin Pojan( Hoxhë-Arë), për tu çmallur me vendlindjen, por edhe me pjesëtarët e familjes.
Sipas tregimeve mësohet se, në orët e vona të një mbrëmje, Mitrua ka takuar në rrugë, rastësisht, apo duke e ndjekur nga pas edhe Hoxhën turk, që po shkonte për në sarajet e tij në Hoxhë-Arë.
Gjatë këtij takimi fatal për këtë osmanli, ata kanë këmbyer fjalë të ashpër ndaj njeri-tjetrit dhe në gjaknxehtësi e sipër, pojanaku i rebeluar kishte nxjerrë koburen e shtyrë mbi klerikun turk, duke e rrëzuar atë përtokë, i cili në çast patë ndërruar edhe jetë.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, që tronditi rëndë të gjithë regjimin e Stambollit, Mitro Kristiani është larguar me shpejtësi nga çifligu i Hoxhës (Hoxhë-Ara).
Ai u fut në pyjet e mëdha shekullore të Ardenicës, Gradishtës, Grabianit e të kënetës së Tërbufit, plot me grupe të ndryshme kaçakësh mëmëdhetar, që t’i shpëtonte forcave të ushtrisë dhe asqerëve të Anadollit, të cilët ishin vënë në ndjekje të tij.
Djali i këtij psalësi patriot dhe mësonjësi të gjuhës shqipe, i quajtur Tasi Tushi, dëbuar me të vëllain Uanin nga Pojani, por edhe të afërm e myzeqar të tjerë pojanak e shënpjetarak, kanë rrëfyer mjaft tregime për aktin heroik të myzeqari trim Mitro deri aty rreth viteve 1955-1960-të.
Ata kanë thënë se kaçaku Mitro Kristiani nga Pojani i ndodhur në arrati, është strehuar edhe tek disa nga fiset dhe familjet më të njohura myzeqare të asaj kohe, si te Murrizët e Shën e Premtes, Malët e Mizës, Ndonēt e Grabianit, Malkot e Zharnecit, Kacabunët e Kryekuqit, Ristanët e Nikasit e tjerë, që gjithashtu ishin në konflikte të hapura me xhonturqit e Stambollit në atë periudhë.
Forcat e xhandarmërisë osmane, duke e ndjekur vazhdimisht për muaj të tëra këtë patriot dhe përdorur me sukses hafijet e tyre, më në fund arritën që ta eliminojnë fizikisht Mitro Kristianin.
Për vrasjen e këtij trimi pojanak ka tregime të ndryshme. Disa rrëfenin se atë e vranë në katundin Kamenicë, kur po përgatitej të kalonte edhe detin Adriatik për në Itali, ndërsa të tjerë thoshin se e helmuan me ushqime, apo e qëlluan pas shpine në një pritë diku në pyjet e Spolatës.
Ashtu, si për qindra e qindra vrasje të tjera patriotësh myzeqar, Porta e Lartë nuk dha asnjë njoftim as rreth ekzekutimit të këtij trimi pojanak, që e derdhi gjakun e vet për gjuhën e ëmbël shqipe dhe mbrojtjen e pasurive të qytetit tonë të lashtë të Apolonisë, nga grabitjet që i bënte vazhdimisht Stambolli me misionarët e tij kusar, siç ishte edhe ky hoxhë i Anadollit.
Regjimi osman, disa javë më vonë, pasi likuidoi kryeplakun e kishës së Pojanit Mitro Kristianin, urdhëroi asqerët e vet, që dhuna të vazhdonte me egërsi edhe ndaj tërë fisit të tij.
Flitet se xhandarmëria turke ka arrestuar edhe pjesëtar të tjerë të kësaj familje dhe pasi i ka torturuar barbarisht me forcën e kamxhikut, i detyruan që të ndryshonin edhe mbiemrin nga Kristiani në Hoxhara (Hoxhë-Ara), për ti lejuar, që të qëndronin përsëri në truallin e tyre të grabitur, por të legalizuar nga kadiu osman si çiflig i Hoxhës turk, tashmë të ndjerë.
Në saj të aktivitetit patriotik të kësaj familje, por edhe të atdhetarëve të tjerë myzeqar, si dhe të Mitro Kristianit, u bë e mundur që në kishat e Myzeqesë tashmë të vendoseshin priftërinj shqiptar prej nahijes tonë.
Kështu më vitin 1904, në Shën Mërinë e Pojanit ne kishim priftin shqiptar, të quajturin at Anastasi nga katundi Sop, i cili me bashkëshorten e vet Parashqevi, pritën edhe shkrimtaren e gjeografin e shquar angleze Mary Edith Durham, e cila në kujtimet e saj për pojanakët hyjnor të asaj periudhe shkruan se:
“…ai ishte një shqiptar i gjatë dhe kryelartë, që dukej si një far pashai klerik…ishte e djela e Pashkëve dhe oborri i kishës ishte plot me fshatar, veshur me veshjet më të mira. Burrat ishin të gjatë, veshur me fustanella të bardha, që të merrnin sytë, me tirqe blu të errët, me xhamadan të kuqërremtë, me dy radhë qostekësh argjendi të kryqëzuara në gjoks dhe me mëngore të bardha, të qëndisura me gajtan të zinj”.
Pasardhësit e këtij atdhetari, por edhe njerëz të tjerë nga kjo zonë e Myzeqesë rrëfenin se, populli i këtyre fshatrave i ka kushtuar e kënduar edhe një këngë Mitro Kristianit dhe trimërisë së tij që tregoi, duke mos kursyer as jetën e vet për mbrojtjen e interesave tona kombëtare.
Shumë vargje të kësaj kënge të harruar gjatë viteve të robërisë osmane, si dhe strofa e dhjetë e sajë janë njësoj si të këngës origjinale ku midis të tjera thuhet:
Kënga e Mitro Kristianit.
1.
Në Pojan Stambolli
Prap na ngriti sherr
Një Hoxhë turk na solli
Që ti bëjmë dhe nder
2.
Por ky Hoxhë hajdut
Po na bredh ugaret
Ndaj do zënë me drutë
Se po hap dhe varret
3.
Mitrua i Shën Mërisë
Na i tha Hoxhës sot
Në Apolloni mos vidhë
Sepse ky vend ka zot
4.
Dhe këto trojet e mia
Ti ruhu e mos mi prek
Se i kam dhe me tapia
I mbroj dhe me dyfek
5.
Por Hoxhë efendiu
Në Berat ka shkuar
Dhe Mitron tek kadiu
Atje na e ka kallxuar
6.
Dy tabor mbi kuaj
Erdhën shpejt e kapën
Brenda nja gjashtë muaj
Në hapsanë e mbajtën
7.
Sa doli nga burgu
Ky dhjaku pojanak
Shkoi drejtë e te turku
Për të marrë hakë
8.
Mitrushi i Pojanit
Trimi ynë me pallë
Hoxhës së dushmanit
Ç’ja numëroi në ball
9.
Lajmi na u përhap
Ngado mori dhenë
Dhe lufta filloi prap
Armët zunë të shtjenë
10.
Moj Hoxhë-Arë e keqe
Na ke prerë në besë
Hoxhën turk e vrave
Në mes të Myzeqesē
11.
Kështu për ty po thonë
Grek dhe osmanllinj
Truajnë nahijen tonë
Edhe ca priftërinj
Th J. Tushe.
Sipas kujtimeve të djalit të Mitros Tasi Tushi, por edhe të nipit të tij Jorgji Uani Tushe, mbi disa biseda që ai kishte zhvilluara edhe me luftëtarin Llazi Spiro në pazarin e qytetit të Fierit gjatë viteve 1930-1935, rezulton se tekstin e kësaj kënge e ka shkruar rilindësi, patrioti, poeti dhe mësonjësi i shkollës së Apollonisë Kostandin Minga, i njohur si autor i shumë këngëve me përmbajtje patriotike e frymë kombëtare në Myzeqe.
Megjithëse informacioni rreth aktivitetit patriotik të kësaj familje ka qenë tepër i pakët, për shkak të dhunës që u përdor ndaj saj dhe kohës së largët, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet, mbi bazën e tregimeve të mbledhura qysh nga vitet 1970-të e në vazhdim, u shkrua edhe poema kushtuar këtij kapedani myzeqar të shqiptarizmës, që u la në harresë për dekada e shekuj tërë .
MITRO KRISTIANI – (MITRO-MITRUSH-TUSHI)
Kryeplaku (Dhjaku) dhe administratori i Kishës së Shën Mërisë në Pojan, vrarë në përpjekje nga ushtria osmane, pse psalte e mësonte nxënësit në gjuhën shqipe dhe mbronte pasuritë e qyteti të lashtë të Apollonisë nga vjedhjet që i bënte një Hoxhë turk ardhur nga Stambolli, aty rreth viteve 1900-të.
1.
Në Pojan të Fierit, filloi një ditë e keqe
Kur një Hoxhë Turqie, na pruri Stambolli
Pa bëri dhe thirrje, që t’i rrinë lepe e peqe
Dhe urdhër me shkrim, kishte dhënë Anadolli
2.
Vet Pashai e priti, me fjalët e Vezirit
Ja dhanë edhe trojet e Mitrush Kristianit
Që ja kishte blerë, Kishës së Manastirit
Me vulë edhe tapi, prej Kadi zamanit
3.
Gati na qenë bërë, defterë dhe karta
Kish dhënë porosi, të prerë hyqymeti
Ky Hoxhë duhej pritur, me ndere të larta
Ndaj duhej ti bindesh dhe i tërë mileti
4.
Shpejt ndërtoi sarajet, ky Hoxhë efendiu
Dy oda të mëdha dhe konakët me tavan
Shumë të lartë oxhakun ja çoi çallmaxhiu
Kur asnjë nuk kishte atje brenda në Pojan
5.
Pasi shtëpinë e sosi model allafrënga
Turku pati thënë, se dhe xhami do ngre
E caktoi dhe vendin ku ja deshi ënda
Dhe me dy minare, përpjetë gjer në re
6.
Plot miq të mëdhenj, na priste çdo natë
Bimbash e zabit, tok megjithëqë xhandarët
Mik të parë na kish, një pashë në Berat
Që patë bërë zullume, përmbi myzeqarët
7.
Kudo vendit mbarë, emrin ja ndryshoi
Tërë tokat pjellore, i quajti vet Hoxhë-Arë
Me emrin e tij, të gjithë fushën e pagëzoi
Çfarë nuk kishte ndodhur, asnjëherë më parë
8.
Ja nisi shpejt Hoxha, nga zakoni i vjetër
Lartë në Apolloni, po bënte shpesh vizita
Njësoj si hajdut, e tok me një horr tjetër
Të dy vonë, çdo natë, na dilnin si komita
9.
Me kazmën në dorë dhe trastën në krah
Brithte Hoxha turk, mbi kodra dhe varre
Hiqesh sikur dilte dhe shkonte për gjah
Por në fakt kërkonte, florinj dhe thesare
10.
Çdo muaj në Stamboll, arkat i dërgonte
Plot mermer dhe ar, dushmani arnaut
Se për punë të ndyra, turku e paguante
Prandaj e kish prurë, këtë klerik hajdut
11.
Na foli dhe Plaku, Mitrushi i Shën Mërisë
O Hoxhë dëgjo mirë e mos më hy në hakë
Tërë tokat që bleva, unë prej Mitropolisë
Ti s’duhesh ti prekësh, se vendi merë flakë
12.
As xhami nuk duam, në mes shtëpive tona
Se të gjithë këtu jemi, vetëm të krishterë
Kemi manastiret dhe kishat me kambana
Prandaj me vëllezërit, në sherr mos na shtjer
13.
Dhe më mos na hajde, këtej në Manastir
Së ky qytet i lashtë, për neve është i shenjtë
Në qoftë se këtu je mik, qëndro si mysafir
Pasi këndej haraçi paguhet pak shtrenjtë
14.
Ndaloj edhe gërmimet, që bënë porsi urith
Qysh nga kodra lart, gjer poshtë në përrua
Dhe këtu në Apolloni, më kurrë mos na vidh
Pasi po të pashë, do bëshë fjalë me mua
15.
Me ngadalë more burrë, mos na u hiq i sertë
Na i tha Mitrushit, ky osmanlli kodosh
Se nga ju shqiptarët, nuk po kam shumë dert
Por të “mirat” tona, ti mos i hidhe në kosh
16.
Ne nga ju i tha plaku, s’kemi parë të mira
Nuk janë të vërteta, këto fjalë që flet zotrote
Sepse ju na mbajtët, në pranga e zinxhira
Dhe pikat e zeza, neve hoqëm nëpër mote
17.
Hoxha turk na mbeti, shumë i zemëruar
Shpejt në Berat u nis, me inat ndër dhembë
Por tha këtij kauri, unë kam për t’ia treguar
Dhe shpejt do ta bëj, që t’më bjerë në këmbë
18.
Me pashën u poqë, dhe kuvenduan si miq
Në Pojan na i tha, punët po shkojnë goxha
Atë dhjak rrezilin, prej Shën Mërisë ma hiq
Në kishë më mos ta shoh, hë të kam rixha
19.
Mitron tha zabiti, ne mund ta sjellim këtu
Dhe brenda e fusim, që nesër në hapsane
Këtë ma lini mua, se do ta gdhend me dru
Që dhe mirupafshim, ti thotë kësaj jallane
20.
Se po na i thyen ligjet, ky sojsëz garip
Në gjuhën e vet, prap në kishë po psal
Tërë nxënësit e shkollës, po i mëson dhe shqip
Kurse nga greqishtja, s’përdor asnjë fjalë
21.
Bashkë rri me dheskalin, Kostandin Minga
Që nga mendja fëmijët, keq po na i trullos
Po ngre kundër nesh dhe bujqët pa opinga
Të mbetur kripë deti, dhe baltë e rrogos
22.
Mik e shok të mirë, ka dhe atë të marrin
Që kurrë hyqymetin, tonë ai nuk e deshti
Dheskalin e Beratit, atë Jorgji Karbunarin
Që sjell libra shqipe nga Sofja e Bukureshti
23.
Me kasnec e ftuan edhe dhespotin grek
I bënë shumë ndere, sofra plot ju mbushë
Mirë turqët e pritën, këtë helen për drekë
Këtu e shkishëroi, ai plakun tonë Mitrush
24.
Në Fier u kthye Hoxha, tërë qef me lukuni
Dhe planet i bëri, si do ta lidhnin dhjakun
Pas ca ditësh shkoi, vet lartë në Apolloni
Poshtë lisit të madh e poqi Mitro plakun
25.
Po deshe i tha, këtu rri prap more burrë
Por ti për llagap, do të kesh çiflikun tim
Dhe po nuk e bëre, s’do qëndrosh më kurrë
Se dhe hyqymeti, kërkon prej nesh pajtim
26.
Po unë i tha dhjaku, jam Mitro Kristiani
Ndaj llagapin tim, kurrë se kthej Hoxhë-Ara
Nga ky fis ska dalë, asnjë tradhëtor vatani
Me fyeve shumë rëndë, o turk tu shoftē fara
27.
U ngritën xhandarët, shkuan tabor tabor
Na e lanë Beratin dhe diku larg po vinin
Thanë se ishin nisur, për në Durrês a Vlorë
Ndonjë trim të lidhur, prej andej do të binin
28.
Ishte dita e vrejtur, s’kish dalë fare dielli
Na u rrethua Pojani, shkolla edhe kisha
Plot me re të zeza, qe mbuluar dhe qielli
Xhandarët u sulën, mbi njerëzit si bisha
29.
E kapën Mitrushin, këtë trim të përndjekur
Pas kalit e lidhën dhe zvarrë e tërhoqën
Me kamxhik e rrahën e bënë si të vdekur
Tërë shkrimet e librat, në zjarr se ç’ja dogjën
30.
Mbahuni or vëllezër, se sot ne s’ kemi mort
Këto fjalë tha Mitrushi, përpara fshatarëve
Për nder dhe vatan, do qëndrojmë të fort
S’na trembë dot aspak, druri i xhandarëve
31.
Në burg të Beratit, plakun shpejt e çuan
Por edhe në hapsane, u munduan më kot
Brenda në qeli shumë rëndë e torturuan
Dhe as me dajak, trimin se thyen dot
32.
E përçanë gjithë fshatin, me nja ca hafije
Pastaj na e ndanë, copë më copë dhe fisin
Mjaft të lehtë e patën, të liqet e kësaj nahije
Kur prangosën Mitron, dhe burgosën Lisin
33.
Por dhe plaku i kishës, pranë Shën Marinës
Nga fshati Havaleas, shpifi mjaft për Mitron
Thanë se tok me turkun, ai punonte tinëz
Si argat tërë jetën, shërbeu për këtë padron
34.
Pas këtij kiameti edhe pas kësaj mynxyre
Njerëzve nga marazi, zemra se çu plasi
Ikën nga shtëpitë dhe lanë trojet e tyre
Edhe dy djemtë e Mitros, Uani edhe Tasi
35.
Për nder të babait, e vunë llagapin Tushi
Diku larg ku shkuan, tek ca njerëz të vet
Që të mos i njihte, asnjë far lloj çaushi
Dhe të bënin prap, një jetë pak të qet
36.
Një haber çdo ditë, për të atin prisnin
Të dy sytë përlotur e tretur nga meraku
S’dinin çfarë të bënin, s’dinin ku të pyesnin
Me fytyrën kthyer, gjithmonë nga Shpiragu
37.
Pas gjashtë muaj Mitron, nga burgu e nxorën
Por ngado hafijet, nuk ju ndanë çdo hap
Nuk shkoi as në Pojan, pasi shtëpinë ja morën
Se në kurth xhandarët, mund ta fusnin prap
38.
Kur pa se po ndiqej, s’patë rrugë tjetër burri
Diku shkoi pas kishës, me kujdes gjatë natës
Mori shpejt koburen, edhe në brez e vuri
Pastaj mirë u fsheh, në pyjet e Kryegjetës
39.
Në një mbrëmje vonë, u poq tok me Hoxhë
Zoti i tha më ndiu dhe prap unë mbeta gjallë
Burgun dhe dajakun, ty Hoxhë s’ti pata borxh
Pastaj me kobure, na i patë rënë në ball
40.
Lajmi u përhap, dhe shpejt mori dhenë
U mërzit Stambolli, dhe dërgoi ushtrinë
Se Mitrush rrebeli, ja luajti turkut fenë
Pastaj kaçak doli e patë marrë arratinë
41.
Ngado pas ç’e ndoqën, përreth Ardenicës
Nuk ju ndanë fare, nëpër pyll ku shkonte
Thanë se e kanë vrarë, matanë Kamenicës
Kur po bëhesh gati, që detin ta kalonte
42.
Për këtë ndodhi e ngjarje shumë të rëndë
Që bëri aq buje, sa kurrë s’do të harrohet
Njerëzit e kësaj treve, thurën dhe një këngë
Për Mitrush Kristianin, që dhe sot dëgjohet
43.
Moj Hoxhë-Arë e “keqe”, ti dole e pabesë
Kështu po thonë të gjithë, këta turçelinjtë
Se u vrave Hoxhën, në mes të Myzeqesë
Dhe ja nise luftës me të tërë osmanllinjtë
44.
Por gjatë robërisë, humbëm tërë kulturën
Dhe pse rezistuam si shkëmbi nga dallgët
Na ndaluan dhe shkollat, ta harronim gjuhën
Nuk na lanë as këngët, të shëronim plagēt
45.
Dy bijtë e Mitrushit, porsi shqipet e malit
Uani bashkë me Tasin, të rritur në Petoshë
I shkuan në mbrojtje labit, Ismail Qemalit
Atë natë në Çiflig, kur bujti në Libofshë
46.
Pas asaj ngjarje, shtatëdhjetë vjet më vonë
Në Pojan të Mitros, na erdhën prap dy nipat
Tek trojet e veta, na u kthyen përgjithmonë
Kosta bashkë me Jorgjin, dy djem si petritat
47.
Prap djemtë e hafijes, në fshatin Havaleas
Aty rreth senesë, nëntëqind e dyzetë e dyshit
Porsi disa rrufjan të katundit në Alibeas
U muduan ti ndiqnin, që nga trojet e gjyshit
48.
Të tërë këta dallkauk, që na bënë këtë lojë
Fshati i ka mallkuar e derman mos gjeçin
Dhe nofkën e keqe, në ball ua shkroi me bojë
Të dënuar prej zotit, gjithmonë ata mbeçin
49.
Burrat tanë të ndritur, një amanet lanë pas
Mitron ta kujtojmë, gjithëmonë djalë pas djali
Se krenar na bëri dhe na nderoi pa masë
Jetën për Atdheun dhe Apolloninë e fali
50.
Por me një Hoxhë-Arë, Pasha i Ri su ngop
Urdhër qeveria dhe u bë Hoxhë-Arë e dytë
Donin që ta hidhnin Historinë tonë në gropë
Si të marrë u sollën, qenë verbuar nga sytë
51.
Hoxhë-Arë nuk ka patur, këtu për mijëra vjet
As në Fier dhe Pojan, qysh nga Lashtësia
Dhe emër Hoxhë-Arë, urojmë të mos ketë
Qoftë me të mallkuar, përgjthmonë Turqia
52.
Turku e thyeu qafën dhe shkoi plot me turp
Të gjitha krimet e tij, ne s’duhet ti harrojmë
Sepse na ka lënë, shumë plagë përmbi trup,
Që ne sa më shpejt, vet duhet ti shërojmë.
Th.J.T.
Të gjithë pjesëtarët e fisit “Hoxhara”, në Mifol, Qarr, apo kudo gjetkë që ndodhen, por edhe ata që i ndryshuan për nder të gjyshërve të tyre mbiemrat, në Llambro (Hoxharë), Tushe në Havaleas dhe Tushi në Libofshë, duhet ta dinë mirë se rrjedhin nga familja Kristiani e Apollonisë dhe origjina e tyre është nga fshati Pojan i rrethit Fier.
Ne duhet të ndjehemi tepër krenar me stërgjyshrit tanë patriot e të nderuar, për veprimtarinë dhe sakrificat e tyre të mëdha, që bënë me në krye Mitro Kristianin e për gjenerata të tëra kundër okupatorëve turq, në shërbim të çështjen tonë të shenjtë kombëtare, si dhe për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë.
Është në vullnetin dhe dëshirën e gjithsecilës familje, në se do ti mbajnë këta mbiemra që kanë aktualisht, apo do të kthehen tek ai i origjinës, “KRISTIANI”, apo “KRISTI”, por për mendimin tim, mbiemri “HOXHARA”, i vendosur mbi trupin tonë me dhunën dhe dajakun e asqerit turk, duhet të jetë i pa pranueshëm për tu mbajtur edhe sot.
Ka ardhur koha, që ne duhet ta pastrojmë të gjithë ndryshkun që na hodhën okupatorët osman mbi shpinë për pesë shekuj, jo vetëm këtu në Myzeqesë, por edhe në rrafshin kombëtar.
Myzeqarët e kësaj treve, nuk mund të pajtohen kurrë as me veprimet e papërgjegjshme të pashallarëve qeveritar të Tiranës dhe të disa dallkaukëve të tyre ardhacak në Fier, të cilët duke shfrytëzuar forcën e kolltukut, injoruan historinë e lavdishme të këtij populli martir dhe në trojet e Shēn Pjetrës tonë heroike, na mbollën, rritën dhe ligjëruan edhe një Hoxharë, të dytë, jo turke, por tani shqiptare, me emrin Hoxharë Sektor (Hoxhë – Arë Sektor).
Nga: Themi J. Tushe, New York – Tiranë.
January-April 2024.