Studimet kanë treguar se foshnjat fillojnë të qeshin në dy javët e para.

Të verbrit, shurdh-memecët janë të aftë të qeshin.

Ka shkencëtarë që argumentojnë se e qeshura është gjuha e parë e njerëzimit, ose zanorja më primitive, që del pa vetëdije dhe kjo bën të mendosh se është gjenetike.

Disa studime e trajtojnë të qeshurën duke e perceptuar si dukuri shoqërore e deri sëmundje. E qeshura është ngjitëse, thonë disa, dhe për këtë sjellin si shembull ngjarjen e çuditshme të vitit 1962 në Tanganikë, ku ajo që filloi si e qeshur e një grupi fëmijësh shkolle, mori me shpejtësi përmasat e një epidemie, duke u përhapur nga një individ te tjetri, derisa autoritetet u detyruan t’i mbyllnin shkollat për 6 muaj.

Kjo epidemi është shembull dramatik i fuqisë infektuese të së qeshurës. Shembuj të tjerë janë komeditë, ku e qeshura në grup e regjistruar më parë, përdoret si efekt për të nxitur të qeshurën e shikuesve në sallë, ose të atyre që e ndjekin shfaqjen në televizion.

Nuk ka dyshim se e qeshura është pjesë e fuqishme dhe e pandashme e jetës, për të mos thënë se është bazë e bio-sjelljes të natyrës njerëzore. Rëndësia e së qeshurës është vënë në dukje në kohë të ndryshme nga shkencëtarë e dijetarë të ndryshëm, duke filluar nga Platoni, Aristoteli, Kanti, Darvini, Frojdi e të tjerë.

Vetë shprehja “e qeshura është ilaçi më i mirë” sikur lë të kuptohet se e qeshura është pjesë a dukuri e një mjedisi jonormal, ku barnat janë të nevojshëm.

Ndoshta janë ata që krijojnë apo kontrollojnë mjedise të tilla që përhapin edhe fjalët se e qeshura është sëmundje dhe se kush qesh duhet ndalur për të mos infektuar të tjerët.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here