Me qenë se tashmë janë publikuar rezultate nga pjesë të ndryshme të Ballkanit nga Epoka e Hekurit dhe nga Antikiteti, mund të krahasojmë rezultatet dhe të dallojmë profilet autosomale të popujve të lashtë.
Më poshtë mund të gjeni pozicionin në grafikun PCA të eshtrave nga Epoka e Hekurit dhe Antikiteti nga ilirët e disa rajoneve të ndryshme, nga mesapët, trakët, grekët e lashtë, sllavët dhe ostrogotët. Me ngjyrë gri janë shënuar për orientim edhe popujt më të vjetër të neolitit dhe mesolitit. Kurse rombet me ngjyrë të kuqe janë rezultatet e periudhës romake nga Timacum afër Nishit.
Dallohet qartë që rezultatet e zonës së Ilirisë formojnë një spektër që zgjatet nga eshtrat nga Dalmacia, që pozicionohen më afër popujve të Europës veriore dhe stepave, deri te rezultatet nga Kukësi dhe Shkupi. Po ashtu, rezultatet trake dhe greke formojnë dy grupe të dallueshme të vendosur në drejtim më juglindor, më afër popujve të Mesdheut lindor.
Nëse rezultatet nga Kukësi dhe Shkupi përfaqësojnë profilin dardan, duket se ka qenë i saktë përshkrimi i tyre si popull ilir me ndikim të kufizuar trak në lindje. Duhet thënë se për një pamje të plotë e të saktë të Ballkanit të lashtë do të duhet të presim eshtra të tjera ilire nga Bosnja, Shqipëria dhe Serbia, eshtra dake dhe eshtra të tjera nga Greqia e periudhës klasike.
Rreth rezultateve nga Timacum, mund të themi se përputhet me pritshmëritë: si vendqendrim i ushtrisë romake pranë kufirit në Danub, vërehet diversitet i eshtrave nga profili i theksuar verior i një skeleti me haplogrup I1-M253, deri te profili qartësisht lindor i një tjetri me R1b-Z2103, të dy me siguri të vendosur aty nga treva jashtë Ballkanit. Mirëpo shumica e eshtrave përputhen me pozicionin e ballkanasve të Epokës së Hekurit: një rezultat është më afër trakëve, kurse një grup prej 3-4 rezultatesh më afër grupit ilir, sidomos afër rezultateve nga Shkupi dhe nga Kukësi. Ky pozicion sugjeron se këta individë ishin rekrutë dardanë të ushtrisë romake. Dihet edhe nga të dhënat historike se pikërisht në Timacum, Mark Aureli vendosi njësinë ushtarake “Aurelia Dardanorum”. Këto rezultate na shtyjnë të besojmë që edhe dardanët para-romakë kishin E-V13, J2b-L283, R1b-CTS9219, etj.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid02SLFgJrm3QdRJuZ3vtyPJsA1ESyxtm4DqNGomqNWAy6YXC9KDkZFg9z6xZZmuQ6SUl&id=100070051376601

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here