Ndonëse dukej se situata në territoret shqiptare ishte qetësuar në ndërkohë, megjithatë nga fundi i vitit 1911, diplomatët austro-hungarezë parashikonin zhvillime të reja për vitin pasues në marrëdhëniet shqiptaro-osmane. Në një raport diplomatik të fillimit të muajit nëntor 1911, ndërmjet tjerash lexojmë: “Këtë herë do të jetë Kosova në qendër të këtyre ndodhive (…)”. Tashmë ishte bërë e qartë se shqiptarët e Kosovës po planifikonin një kryengritje të përgjithshme në verën e vitit 1912 nën drejtimin e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës, e cila megjithatë nuk u kurorëzua me sukses. Për vendet ballkanike, dhe sidomos për Serbinë, një shqetësim shtesë ishte ideja për krijimin e një province autonome shqiptare

Shqetësimet serbe ishin veçanërisht të theksuara sa herë diskutohej për mundësinë e krijimit të një province të re autonome shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane. Në këtë kohë, një shqetësim shtesë ishte ideja për krijimin e një province autonome në Maqedoni, të cilën mund ta shfrytëzonin bullgarët për të minuar pretendimet serbe dhe greke. Një provincë do t’i jepte mundësi edhe Austro-Hungarisë që të zgjeronte zonën pushtuese, duke përfshirë Sanxhakun e Novi-Pazarit deri në Mitrovicë dhe ndoshta edhe deri në Shkup. Në këtë mënyrë Serbisë do t’i mbylleshin rrugët e depërtimit deri në Adriatik. E dyta, përballë pretendimeve aksioniste bullgare në lindje dhe ekspansionit austro-hungarez në perëndim, shteti serb angazhohej për konservimin e gjendjes në Vilajetin e Kosovë dhe në Maqedoni derisa të nxirrte koncesione dhe të mbronte interesat e saj në kontekstin e thellimit të antagonizmave ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë.

Austro-Hungaria dhe Rusia në betejë për hegjemoni në Ballkan

Vendimi i Fuqive të Mëdha pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878 për t’i lënë territoret shqiptare nën shtetin osman dhe e kancelarive evropiane për të ruajtur status quo-në në Ballkan, vetëm sa krijoi paqëndrueshmëri të vazhdueshme në vilajetet osmane në Ballkan të banuara me shumicë shqiptare. Mosgatishmëria e tyre për të ofruar një zgjidhje më të mirë, e kombinuar me lëvizjet e forta kombëtare në rajon, ndikoi që çështja shqiptare të evoluojë nga një çështje lokale në një çështje rajonale dhe më pas problem evropian. Kryengritja e Ilindenit e vitit 1903 solli “çështjen maqedonase”.

Në vitin 1903, me Britaninë e Madhe që po kalonte një transformim në politikën e saj të jashtme, Rusia ishte e zënë në Lindjen e saj të Largët, Austro-Hungaria dhe Gjermania ende mbështesin status quo-në dhe me Francën diku në mes, Fuqitë e Mëdha nuk ishin në gjendje të binin dakord për një qëndrim më aq madhor dhe vendimtar sesa pajtimi për reformat joefektive të Mürzsteg. Për më tepër, për Perandorinë Osmane perspektiva e humbjes së Kosovës dhe rajonit të Maqedonisë ishte shumë i rrezikshme dhe Sulltani ishte shumë i vendosur ta mbante edhe me forcë pjesën e saj ballkanike. Nga ana tjetër, edhe pse Fuqitë e Mëdha vendosën të vepronin si një koncert gjatë zbatimit të reformave në Maqedoni, ata ende kishin pikëpamjet e veta se si duhet të zbatojnë ato reforma. Për më tepër, fuqitë evropiane e kishin të vështirë të binin dakord për një qasje të përbashkët ndaj vetë reformave. Ndërsa Austro-Hungaria dhe Rusia, të cilat konkurronin për hegjemoni në Ballkan, ishin aktorët kryesorë, por atyre iu desh të konsultoheshin dhe të respektonin Fuqitë e tjera të Mëdha për çështjen e reformave në Kosovë dhe në Maqedoni.

Mund të thuhet se këto reforma ishin një burim i madh frymëzimi që Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit, gjatë kohës së tij në pushtet, të ndërmerrte një përpjekje të madhe për të forcuar organizatat e policisë dhe xhandarmërisë dhe për t’i bërë ato efektive në të gjithë vendin. Megjithatë, as revolucioni i xhonturqve nuk e përmirësoi gjendjen në pjesën ballkanike të Perandorisë Osmane për një kohë të gjatë. Kabineti i reformatorëve të emëruar nga Mehmed Kamil Pasha nuk i plotësoi pritshmëritë e turqve të rinj dhe u zëvendësua në shkurt 1909 nga një qeveri e Inspektoratit të Përgjithshëm Maqedonas, Hysein Hilmi Pasha. Kundërshtimi i turqve të rinj për transformimin e perandorisë në një shtet modern të centralizuar, megjithatë, nuk gjeti simpati në qarqet konservatore të klerikëve myslimanë dhe oficerëve të caktuar. Për më tepër, administrata osmane e perceptoi Programin Mürzsteg si një kurth të ngritur për të ndarë Maqedoninë dhe jo për të reformuar forcat policore në vend dhe për të garantuar sigurinë e pakicave të krishtera. Megjithatë, me ndërhyrjen e shteteve evropiane nëpërmjet këtij Programi, dominimi dhe e drejta e Perandorisë Osmane për sovranitet në rajon u kufizuan ndjeshëm.

Nëntor, 1911: Kosova në qendër të ndodhive

Dukej qartë se shpërbërja e Perandorisë Osmane ishte e pandalshme, thjesht ishte vetëm një çështje kohe. Jostabiliteti dhe dhuna e ushtruar osmane ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Malësisë së Mbishkodrës vetëm sa thelloi situatën diplomatike në Ballkan dhe në Evropë, ku secila palë mundohej të nxirrte përfitime nga kjo situatë. Në këtë situatë diplomacia austro-hungareze e kishte jeshiluar Portën e Lartë që të ishte më e përmbajtur me shqiptarët, pasi “politika e dhunës osmane ishte rrugë e duhur për t’i bërë miq me armiqtë e tyre shekullorë, sllavët”. Ndonëse dukej se situata në territoret shqiptare ishte qetësuar në ndërkohë, megjithatë nga fundi i vitit 1911, diplomatët austro-hungarezë parashikonin zhvillime të reja për vitin pasues në marrëdhëniet shqiptaro-osmane. Në një raport diplomatik të fillimit të muajit nëntor 1911, ndërmjet tjerash lexojmë: “Këtë herë do të jetë Kosova në qendër të këtyre ndodhive (…)”. Tashmë ishte bërë e qartë se shqiptarët e Kosovës po planifikonin një kryengritje të përgjithshme në verën e vitit 1912 nën drejtimin e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës, e cila megjithatë nuk u kurorëzua me sukses pas rezistencës së Oborrit të Sulltanit dhe përçarjeve të brendshme shqiptare. Ndërkohë, Austro-Hungaria kishte filluar një nismë për decentralizimin e vilajeteve në Ballkanin osman, për të ruajtur status quo-në në Ballkan. Në anën tjetër, shtetet fqinje u druheshin shumë forcimit dhe autonomisë së shqiptarëve. Prandaj, edhe pse formalisht Serbia dhe Bullgaria ishin përcaktuar zyrtarisht për zbatimin e plotë të politikës së reformave, që ishin iniciuar me Marrëveshjen e Mürtzsteg, në praktikë ato punonin për pengimin e suksesit të këtyre reformave dhe tërë dendësia e aktiviteteve të tyre shtetërore shkonte në drejtim të ndarjes së territoreve osmane në Ballkan. E gjithë veprimtaria e dendur e diplomacisë serbe u përqendrua në fitimin e përkrahjes ruse, respektivisht në frenimin e zgjerimit të ndikimit politik të Austro-Hungarisë në Ballkan dhe në neutralizimin e çdo veprimi të saj në Kosovë, pastaj për të lidhur pakte me shtetet rivale, veçanërisht për të nxitur antagonizma ndërmjet Italisë dhe Perandorisë Danubiane

Prandaj, shtetet ballkanike, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, po përgatiteshin për luftë kundër Perandorisë Osmane, e cila, siç u tregua më vonë, nuk arriti t’u rezistonte shteteve aleate ballkanike, prapa të cilave qëndronte Rusia. Lufta e Parë Ballanike filloi me një sensacion: në një fushatë të shpejtë aleatët e Ballkanit goditën në mënyrë të rrufeshme dhe të befasishme forcat osmane dhe menjëherë filluan për të ndarë përfundimisht “prenë osmane.” Pasi ishin mundur forcat osmane, Fuqitë Evropiane u përpoqën që ta kufizonin konfliktin, pasi po rrezikohej ekuilibri në qendër të Evropës. Edhe pse në fillim të luftës së Ballkanit midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë vazhdoi të ekzistonte ende një marrëveshje për të ruajtur paqen në Ballkan, tani në horizont po dukej një konflikt midis dy vendeve evropiane, i cili kërcënonte të shndërrohej në një luftë kontinentale evropiane midis Antantës dhe Aleancës Trepalëshe.

Dështimi i përpjekjeve austro-hungareze dhe ruse në Mürzsteg

Ky moment vulosi po ashtu dështimin e përpjekjeve austro-hungareze dhe ruse në Mürzsteg, që përmes programit të reformave, respektivisht përmes instrumenteve diplomatike dhe financiare në vilajetet osmane të evitohej shpërbërja e shtetit osman dhe njëkohësisht të ruhej ekuilibri i interesave ndërmjet Fuqive të Mëdha në rajonin e Ballkanit. Në këtë kontekst, për vendete ballkanike, dhe sidomos për Serbinë, një shqetësim shtesë ishte ideja për krijimin e një province autonome shqiptare. Trazirat në këtë rajon, më shumë se kundër shtetit osman, orientoheshin sidomos kundër angazhimeve dhe synimeve të Austro-Hungarisë për shtrirjen e ndikimit të saj në Vilajetin e Kosovës dhe territoret e tjera shqiptare dhe me këtë, për të parandaluar pengimin e themelimit të një shtetit të madh shqiptar në Ballkan, brenda të cilit do të përfshiheshin të gjitha vilajetet me popullatë shumicë shqiptare./koha.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here