Nonda Bulka shkrimtari i njohur i viteve 1930, në vitin 1966, në një shkrim te javorja letrare ”Drita”, hedh dritë për disa anë të njohura apo të panjohura të Fan Nolit. Bulka ngre një pyetje më të drejtë: “Ky politikan, prift muzikolog dhe poet, që shkroi poezitë më të bukura, që enden ndër kujtesën e shqiptarëve për vargun e bukur, përktheu kryevepra nga letërsia botërore me një shqipe të pastër, mirëpo si e mësoi kaq mirë gjuhën shqipe kur në Shqipëri ai qëndroi vetëm katër vjet”?
Bulka, me një gjuhë të zgjedhur shkruan: “Poetët e mëdhenj, që me talentin, qartësinë, fantazinë dhe intuitën e tyre pasqyrojnë idetë forcë të epokës se tyre, jetojnë tej moshës; ata kalojnë në përjetësi si Marathonomaku i kohëve të lashta. I tillë ishte Noli. Mendimet e tij nuk mplaken se rinia nuk thinjet kurrë. 85 vjet pas lindjes Noli mbetet për ne i riu viril, entuziast, optimist, nxitës për rrugën e përparimit dhe të dijes, patriot i madh. Kur i dhuroi popullit shqiptar ‘Historinë e Skënderbeut’, këtu e 46 vjet më parë, Noli si historian i thellë dhe skrupuloz, dhe si artist madhor theksoi se populli, dhe në përgjithësi masat e thjeshta, janë faktori kryesor në zhvillimin e historisë dhe të kombit. Ai vë në gojën e Skënderbeut fjalët: ‘Lirinë nuk e solla unë po e gjeta këtu midis jush’. Një qartësi e tillë politike qysh në ato kohë s’mund të jetë e rastit. Fjalës ‘popull’ Noli nuk i jepte një kuptim formal, ai i ndjente dhe i kuptonte thellë fuqinë, mundësitë, zotësinë dhe talentin e masave. Për Nolin e ardhmja ishte gjithmonë më interesante nga e kaluara. Prandaj, mbeti gjithmonë i ri”:
Bulka merret me një fushë ku furishëm Noli shkëlqeu. Noli, me përjashtime të rralla, shkruan shkrimtari Bulka, çdo gjë e shkroi në funksion të një ideje, të një parimi, të një ideologjie. i e shkroi çdo gjë me tendenciozitet dhe me ndërgjegje të plotë. Edhe përkthimet e Nolit janë tendencioze jo vetëm nga përmbajtja e tyre po edhe në parathëniet, ku ka kujdes të orientojë drejt lexonjësit.
“Adaptimi që i ka bërë Omar Khajamit, për mendimin tim, meriton një paranteze të shkurtër”, shprehet Bulka. “Shpeshherë kritikët tanë dhe të jashtëm kanë shkruar se Noli e ka qanitur, e ka qarë me lot përkthimin e Omar Khajamit. Para çlirimit u bë një përkthim i Omar Khajamit nga persishtja. Përkthimi ishte për faqe të zezë, po qëllimi i përkthënjësit ishte që të na provonte se Noli s’e ka përkthyer Omar Khajamin, veçse ka marre shkas prej tij dhe ka fluturuar vetë si zog i lirë. Këtu, pa dashur, përkthënjesi i ka bërë një nder të madh Nolit, duke na e dhënë gati origjinal. Kështu te ‘Rubairat’ ne hasim shfrymjen e disa ndjenjave, të cilat petku i zi i pensuronte. Po kjo kërkon, një studim të veçantë”.
Noli gjithçka e pa nga prizmin kombëtar dhe patriotik. Kisha autoqefale, më shumë sesa çështje fetare, ishte një problem kombëtar për ato kohë. Shovinizmi grek kish hedhur kthetrat thellë në ortodoksinë shqiptare me anën e kishës. Noli i dha një grusht shovinizmit grek dhe tregoi vitalitetin e gjuhës shqipe. Edhe vjershave me subjekt biblik ai diti t’u japë frymë shoqërore të theksuar: sulm kundër tregtarëve të flamujve, protestë kundra atdhemohonjësve, revoltë kundër padrejtësisë dhe veçanërisht kundër padrejtësisë shoqërore.
“Vargu nolian qëndron gjithmonë pranë të shtypurit dhe e ushqen atë jo me mëshirën kristiane ‘po t’qëlloi armiku me një faqe ktheji tjetrën’, jo me preceptin fetar ‘vuaj në këtë botë, që të shijosh botën tjetër’, po me afshin e ngrohtë revolucionar, ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini’. Vargu i Nolit nuk vjen erë temjan; misticizmi s’del gjëkundi në artin madhor të Nolit në revoltën e popujve, Noli shpesh gjente frymëzim. Idetë e mëdha jetëdhënëse ai i lidhi me fatin e mëmëdheut te xhalavitur nga shushunja e brendshme. Ashtu doli prej penës se tij ‘Anës Lumenjevet’, ‘Marathonomaku’, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e te tjera. Me himnin e flamurit sulmon të gjithë armiqtë e jashtëm te mëmëdheut. Noli pati edhe shumë armiq që s’e tretnin dot. E quajtën dhespot kuqalash, demagog, pa karakter, ateist etj. Po personaliteti i tij u imponua me forcën e idesë dhe të artit. Po të gjithë ata që e denigruan humbën pa nam e nishan. Noli rron. Këtu qëndron madhështia e forcës së mendimit”, shprehej Bulka.
Noli ishte muzikolog. Nonda Bulka e sjell këtë me disa rreshta: “Edhe në muzikologji dhe në oratori Noli dha kontribut te madh. Ai zgjodhi pikërisht temën ‘Bethoveni dhe Revolucioni frëng’. As kjo sish e rastit. Në Lidhjen e Kombeve, kur u dërgua si përfaqësonjës i Shqipërisë, ai foli pa kompromis dhe demaskoi komedinë që lonin të mëdhenjtë mbi kurriz të popujve të vegjël”.
Një problem i pazgjidhur plotësisht ka mbetur, për mendimin tim, çështja se si e mësoi Noli gjuhën shqipe aq mirë duke ndenjur gjatë gjithë jetës se tij vetëm katër vjet në Shqipëri. Studiuesit kanë shfaqur këto mendime: Noli e ka shqipen gjuhën e familjes; ka studiuar Kristoforidhin, veprat e Naimit e te Samiut e të rilindasvet te tjerë. Kështu mundi ta zgjeroje dhe ta thellojë gjuhen shqipe. Këto arsye janë pjesërisht te drejta po nuk mjaftojnë. Duhet parë më thellë kjo çështje kur të bëhen studime më të imta rreth Nolit.
“Ai që shkruan këto radhë po përpiqet te japë një kontribut modest rreth kësaj çështjeje. Një prift nga Leusa e Përmetit qe e kish njohur personalisht Nolin për një kohë të i gjatë, më tha disa vjet më parë: ‘E kam njohur Nolin në ShBA. Ai, kur niste të ngrysej, merrte një fletore dhe një kalem dhe shkonte te familjet shqiptare që banonin aty. Rrinte një copë here me njerëzit e familjes, më tha disa vjet më parë, edhe niste muhabet me ta. I tregonin historira, përralla, ngjarje të ndryshme dhe ky i shënonte në defter. Shpesh e nxiste vetë plakën që të fliste pa kapak. Kjo vazhdoi vite të tëra. Ashtu këmbëkryq me plakat e Shqipërisë që kishin shpurë në dhe të huaj gjuhen e popullit virgjër, Noli thëthinte nektarin te cilin e çkrinte pastaj në art. Këto më ka thënë i ndjeri Kostë Papa Tomorri, autori i librit ‘Barbaritë greke në Shqipëri të Jugut’. Dhe ka të ngjarë të jetë kështu. Është shumë zor të mendohet se Noli, që bëri të flasin shqip Shekspirin, Servantesin, Lonfelloun, Khajamin, Ibsenin, Ibanezin, Poen, të mos këtë patur një durim shumë të madh për një kohë shumë të gjatë që e mësoi shqipen aq mire. Fjalët e rralla dhe shprehjet ai i ka qëmtuar nga goja e popullit.
Verbi nolian është bombë, barut, sulm, flakë që zhurit të keqen dhe i ndriçon rrugën së mirës: Rend kudo duke bërtitur … nëpër shekuj faqendritur… Vargu i Nolit përshkohet nga damarë plot gjak të kuq si trëndafiltë më të kuq që çpojnë, trëndafijtë e kopshtevet të Shqipërisë sonë. Ata rrahin me diapazonin e zemrës së madhe dhe të pamposhtur të një populli të vogël po të madh. Nolin e urrenin grekomanët, turkomanët, feudalët, spekulantët, tartufët, dallaveraxhinjtë, pizevengët, lapangjozet, larot, sahanlëpirësit. Dhe kjo e nderonte se Nolin e donte populli për të cilin ç’kriu tërë talentin e tij në 60 vjet luftë”. /Përgatiti: Gëzim Llojdia “Mapo”