Biologia Aurora Piroviq për Dritare Tv ka treguar se çfarë fshihet në rezervatin natyror të Velipojës, pjesë e zonës së mbrojtur në lumin Buna.
Me 4 këneta të përshtatshme për bimësinë dhe shpendët, biologjia tregon se ky ekosistem është një ‘banesë’ për shpendin më të veçantë në Shqipëri, Dallëndyshja e detit faqebardhë.
Ndër të tjera, biologia thekson se në këtë territor ku zhvillohet edhe zambaku i bardhë fshihen mbi 170 lloje të ndryshme shpendësh dhe gjitarësh.
“Këtu jemi pranë rezervatit natyror të Velipojës, pjesë e zonës së mbrojtur, lumi Buna. Këtu përfshihen rreth 4 këneta që ndikojnë jo vetëm për bimësinë por kanë krijuar habitate për shumë shpendë. Ky ekosistem është i veçantë për shkak të biodiveristetit të lartë, afërsia me detin dhe lumin Buna, territor i përshtatshëm për shpendët ujorë. Kur vizitojmë këtë rezervat, hasim edhe prezencë të qukapikëve. Këtu ka edhe një shpend shumë të veçantë, Dallëndyshja e detit faqebardhë.
Është shpend migrator, shfaqet kur del zambaku i bardhë i ujit në derdhje të lumit Buna. Ngjyrat e puplat të këtij shpendi janë të zeza, gri e errët ndërsa pjesa e faqeve është tërësisht e bardhë. Në këtë zonë të mbrojtur mbizotërojnë pisha dhe plepat, jo natyrorë. Një veçori është se është e pasur me bimësi dhe faunë. Janë mbi 170 lloje të ndryshme shpendësh, por edhe gjitarë. Dikur para 30 viteve lejohej gjuetia, pasi ka pasur edhe rezidenca qeveritare. Ky pyll është pjesë e zonës së mbrojtur të lumit Buna”, tha biologia./M.K-dritare.net