Më 4 shtator 2016 u shenjtërua nga Papa Françesku Nënë Tereza e Kalkutës, proces i nisur menjëherë pasi bamirësja mbylli sytë, më 5 shtator 1997. E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, si Gonxhe Bojaxhiu, jeta e saj iu kushtua besimit dhe dashurisë për njerëzit. Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë, që sot ka 130 shtëpi në të gjithë botën. Nënë Tereza fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 për punën e saj me të varfrit dhe të sëmurët e Kalkutës, punë që vazhdoi edhe pasi ajo vetë u sëmur e ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare. Në atë kohë, urdhri i saj kishte rreth 4,000 murgesha dhe administronte rreth 600 jetimore, mensa, strehimore dhe klinika.
Sot në arkivat e AIDSSH ruhet dosja nr. 298 e vitit 1989, për familjen e Nënë Terezës, e vëzhguar në vite.
Raporti flet për motrën e Gonxhe Bojaxhiut, Age Kolë Bojaxhiun dhe nënën e saj Drane (Roza) Bojaxhiu.
Aty bëhet një pasqyrë e detajuar e aktivitetit të saj dhe familjes, deri ditën që mbyllën sytë. Po ashtu, lidhja me Marie Krajën e kontributi i saj për ta edhe pas vdekjes.
Letra i dërgohet Ramiz Alisë, Hekuran Isait dhe Reis Maliles.