“Pjesëtarët e këtyre bandave (çetnike) futeshin në Vilajetin e Kosovës të veshur me veshje kombëtare shqiptare”, thuhej në njërin prej raporteve të konsujve austro-hungarez. Një bandë e tillë e maskuar me veshje shqiptare kishte arritur të futej në Kosovë, duke kaluar në fshatrat në veriperëndim të Bujanocit. Të përgatitur për aksione të armatosura, njësitë guerile të Lëvizjes Çetnike, të përbëra nga pjesëtarë të komunitetit serb, që deri kohë më parë e kishin ndarë përditshmërinë me shqiptarët dhe që flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, tani ishin shndërruar në përkrahës të veprimtarisë guerile dhe në fakt në këtë fazë ata ishin vetëm pjesë të mbledhjes së informacioneve si dhe të vëzhgimit të situatës
Beogradi në rrënim të autonomisë së kishave në tokat shqiptare
Në vend të bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë, shteti i Serbisë dhe qarqet politike kishtare i zgjodhën mjetet e luftës dhe siç dihet në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX nisi materializimi i politikës ekspansioniste, që në fakt ishte vazhdimësi e dëbimit, vrasjes dhe masakrimit të shqiptarëve që kishin ndodhur përgjatë viteve 1876 – 1878 në Sanxhakun e Nishit, Leskoc, Toplicë, Vranjë, Kurushumli e Prokuple. Në luftërat në vijim si ato ballkanike, por edhe në Luftën e Parë Botërore u përfshinë të gjitha kategoritë e shoqërisë serbe me rolin kryesor të Kishës Serbe dhe vetë priftërinjve serbë, për fatkeqësi edhe të atyre që deri në këtë kohë kishin shërbyer në trojet shqiptare si në Kosovë e gjetiu dhe që kishin mbijetuar falë kujdesit dhe mbrojtjes të cilën e kishin afruar shqiptarët vendës.
Është për t’u habitur se para konkretizimit të politikës ekspansioniste të Serbisë themelet e së cilës siç e pamë u hodhën në gjysmën e dytë të shekullit XIX faktori ndërkombëtar sikur në rastin e tanishëm kur po këmbëngulet me krijimin e asociacionit, e inicioi programin e reformave në vilajetet shqiptare.
“Të ndalohen shtypjet dhe terrori mbi popullsinë e krishterë, të bëhet çarmatosja e shqiptarëve”
“Të ndalohen shtypjet dhe terrori mbi popullsinë e krishterë, të bëhet çarmatosja e shqiptarëve dhe nëpunësit turq të zëvendësohen me nëpunës të drejtë dhe të ndershëm”, ishin kërkesat e zyrtarëve serbë dhe të Beogradit në fillim të shekullit XX dhe ato nuk ishin në kundërshtim me sovranitetin dhe integritetin e Perandorisë Osmane. I gjetur në një pozitë jo të lakmueshme në dhjetor të vitit 1902, Sulltan Abdyl Hamiti II i miratoi reformat që parashikonin reformimin e xhandarmërisë, formimin e gjyqeve civile të përbëra prej myslimanëve dhe të krishterëve etj.
“Reformat patën jehona të ndryshme në shtetet e mëdha dhe në ato ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria i pranuan me kënaqësi ato, por më vonë Austro-Hungaria mori qëndrim të papërcaktuar dhe kontradiktor ndaj këtyre reformave”, ka shkruar studiuesi Emin Pllana.
Çështja e reformave u fuqizua edhe më tepër kur më 2 tetor të vitit 1903 në një fshat austriak të panjohur deri në atë kohë, të quajtur Mürzsteg (në krahinën e Shtajerit në Austri) u miratua programi i ri i reformave të paralajmëruara me të cilin parashiheshin riorganizime në forcat e xhandarmërisë, reforma administrative juridike, reforma në sistemin fiskal etj. Reformat duhej të realizoheshin në Vilajetin e Kosovës, të Manastirit dhe të Selanikut. Derisa shqiptarët ishin vënë hapur kundër tyre, shtetet përreth në radhë të parë Serbia dhe Bullgaria në nënshtresën e këtyre reformave kërkonin kapjen e fillit për realizimin e projekteve nacionaliste dhe në fakt të dyja këto shtete luftonin për territore dhe asgjë tjetër.
Edhe pse e luhatur, pala turke e pranoi marrëveshjen e reformave vetëm pak muaj më vonë dhe kjo u bë publike kur sulltani më në fund i shpalli “reformat për krahinat evropiane të Turqisë, duke caktuar si inspektor të përgjithshëm për zbatimin e tyre Hysen Hilmi Pashën”.
Themelet e Lëvizjes Çetnike dhe aksionet e armatosura në Luginë të Preshevës
Siç dihet Vilajeti i Kosovës përfshinte sipërfaqe prej 32.000 kilometrave katrorë dhe kufijtë e të cilit përputheshin afërsisht me ata të Dardanisë antike. Në lindje, Vilajeti i Kosovës kufizohej me Bullgarinë e sotme, ndërsa kazaja e Preshevës si pjesë e Sanxhakut të Prishtinës ishte qendra administrative në të cilën kryqëzoheshin rrugët veriore dhe jugore të Gadishullit Ballkanik dhe në të cilën ishin të vendosura pika kufitare e Zhbefcit për kalimtarë dhe pika e Ristocit ku qarkullonin mallra dhe zhvillohej transporti hekurudhor.
Në vorbullën e ngjarjeve që ishin të ndërlidhura me rendin e ri që nënkuptohej se do të vendosej pas deosmanizimit të Ballkanit, në qytetin e Vranjës u hodhën themelet e një lëvizjeje, e cila do t’u paraprijë të gjitha luftërave të nxitura nga shteti serb përgjatë shekullit XX. Në rrjedhat e përgatitjeve nismëtare rreth organizimit të kësaj lëvizjeje, kohë më parë në Vranjë kishte arritur një oficer serb i quajtur Zhivojin Rafajloviq (1871-1953). Ai më vonë do të emërohet edhe në postin e banit të Banovinës së Vardarit dhe meritat për këtë post ai para së gjithash duhej t’ua dedikonte bashkëluftëtarëve të tij që në bashkëpunim me qeverinë e Beogradit në fundin e gushtit të vitit 1903 i hodhën themelet e Lëvizjes Çetnike. Kjo lëvizje fillimisht do t´i përqendronte aksionet e armatosura në Luginë të Preshevës.
“Më 29 gusht 1903 rreth orës 01:00 pas mesnate në ndërtesën e shkollës fillore në Vranjë u betuam mbi Ungjillin, thikën dhe revolen. Betimin tonë e bekoi prifti i moshuar i Vranjës, Dimitrije Protiq”, do të kujtojë më vonë Rafajloviq dhe kjo dëshmohet edhe me anë të një dokumenti të arkivuar. Prandaj mund të themi se prej kësaj kohe Këshilli Ekzekutiv i Lëvizjes Çetnike në Vranjë. i vendosur në ndërtesën e ish-postës në qendër të qytetit, e fitoi rolin e veçantë të shndërrimit në qendër të organizimit ushtarak dhe të koordinimit të aktiviteteve të armatosura. Prej qendrës operative të Vranjës veprohej drejtpërdrejt në Kazanë e Preshevës, në Maqedoni dhe në Kosovë. Ndërsa në Prishtinë e Shkup konsujt serbë ishin shumë aktiv në realizimin e planeve nacionaliste”.
Po të njëjtin rol e luajtën komitët çetnikë në Medvegjën e sotme prej nga me armë u furnizua pakica serbe në Kosovë dhe Sanxhak edhe më gjerë.
“Pjesëtarët e këtyre bandave (çetnike) futeshin në Vilajetin e Kosovës të veshur me veshje kombëtare shqiptare”, thuhej në njërin prej raporteve të konsujve austro-hungarez. Një bandë e tillë e maskuar me veshje shqiptare kishte arritur të futej në Kosovë, duke kaluar në fshatrat në veriperëndim të Bujanocit. Të përgatitur për aksione të armatosura, njësitë guerile të Lëvizjes Çetnike, të përbëra nga pjesëtarë të komunitetit serb, që deri kohë më parë e kishin ndarë përditshmërinë me shqiptarët dhe që flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, tani ishin shndërruar në përkrahës të veprimtarisë guerile dhe në fakt në këtë fazë ata ishin vetëm pjesë të mbledhjes së informacioneve si dhe të vëzhgimit të situatës. “Vojvoda, Spasa Tanović, madje i falte edhe namazet nëpër xhamitë e Luginës së Preshevës dhe të Anamoravës dhe kur pyetej prej shqiptarëve për punën që bënte, ai nuk ankohej për fitimet që i merrte duke punuar si murator.”
Ndërsa vetë priftërinjtë serbë që nuk pranonin të bashkëpunonin ekzekutoheshin prej bandave çetnike dhe për këtë akuzoheshin shqiptarët vendorë!
“Në Kazanë e Preshevës është ferr i vërtetë…”
“Në Kazanë e Preshevës është ferr i vërtetë. Priftin Ante, që ishte spiun i turqve, e hodhi në kurth Angjell Borkoviqi dhe pastaj ai vetë ia hoqi kokën. Por, sa u mor vesh për këtë ngjarje, u bë hallakamë e madhe”, ishte raporti i radhës prej Luginës së Preshevës dërguar në Beograd. Ky raport ruhet në Arkivin Shtetëror të Serbisë. Më pastaj armatosjen e popullsisë serbe në tokat shqiptare e bënin edhe vetë konsujt serbë. “Kufirin e kalova mirë, por në të ardhmen të mos barten sasi kaq të mëdha armatimesh, ngase njerëzit që bartin armë mund të zbulohen lehtë”, shkruante “poeti” i njohur Milan Rakiq në njërin prej raporteve të tij, pasi kishte bartur një sasi të armatimit duke e dërguar në kryeqendrën e Vijaletit të Kosovës në Shkup.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë