Një studiues britanik, Wadham Peacock është i mendimit se interesimi i vërtetë për shqiptarët nisi menjëherë pasi diplomacia europiane vendosi të krijonte shtetin shqiptar, në vitin 1912. Peacock, i cili ka qenë një njohës i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve shkruan në librin e tij “Shqipëria shteti jetim i Europës”, i botuar në 1914: 

“Në fillim të vitit 1913, Shqipëria papritur u zgjua duke e parë veten të famshme, kjo sepse lexuesi i gazetave u bë me dije se ekzistonte një i tillë rajon në Europë, në atë gadishullin misterioz ballkanik të zënë nga serbët, bullgarët dhe grekët, disi të pavarur dhe disi të shtypur.

 Për shqiptarët, është e vërtetë, ishte dëgjuar diçka, madje kishin dëgjuar edhe ata që nuk kishin qenë ekspertë në çështjet e Lindjes së Afërme, por në njëfarë mënyre shqiptarët ishin konsideruar si turq dhe si shtypës të të krishterëve dhe ishte disi si surprizë për shumicën e njerëzve, kur veprimi i Austrisë dhe Italisë- është e mundur të jetë veprim egoist- i detyroi Europianët Perëndimorë që ta marrin vesh se shqiptarët nuk janë turq, por janë raca më e vjetër e Europës.

Kur Austria këmbënguli që Shqipëria të bëhej një shtet i pavarur në kufi me Greqinë, Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi, atëherë qytetet, shkëmbinjtë dhe fushat e Shqipërisë filluan të dalin nga errësira mesjetare, nga e cila kishin qenë të mbështjella për një kohë shumë të gjatë, një errësirë aq e thellë sa madje Gibboni arriti të shkruante për Shqiptarët si një “fis endacak barinjsh dhe hajdutësh”, pa ndonjë të dhënë se kush dhe çfarë janë ata në të vërtetë.¹)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here