Përktheu Arben Kallamata

Origjinali në anglisht:

https://www.scientificamerican.com/article/whats-the-worlds-oldest-language/

Në botë gëlojnë me mijëra gjuhë. Por kur kanë filluar njerëzit të ndërtojnë një sistem të rregulluar komunikimi, të tillë që të jetë i dallueshëm për një epokë të caktuar?

Shkencëtarët e dinë që sot ka mbi 7100 gjuhë, thuajse 40% e të cilave mendohet se janë në rrezik për t’u zhdukur, që do të thotë se numri i përdoruesve të tyre është në rënie. Ka gjuhë që fliten nga më pak se 100 vetë, ndërkohë që mbi gjysma e popullsisë së botës përdor vetëm 23 gjuhë.

Këto gjuhë, bashkë me ato që kanë vdekur dhe nuk fliten më, endin së bashku mijëra vjet marrëdhëniesh njerëzore. Kjo do të thotë që detyra për të përcaktuar gjuhën më të vjetër të botës shkon përtej kureshtjes gjuhësore. Për shembull, për të deshifruar shkrimet në pllakat e argjilit ose për të gjurmuar zhvillimin e gjuhëve të gjalla, gjuhëtarët duhet t’iu japin përgjigje edhe pyetjeve që shkojnë përtej gjuhësisë. Në këtë rrugë, puna e tyre kërkimore nxjerr në pah sekrete të qytetërimeve të lashtë dhe ngjall debate që përziejnë shkencën me kulturën.

“Ashtu si edhe gjuhët bashkëkohore, edhe ato të lashtat janë të domosdoshme për të kuptuar të shkuarën. Përmes tyre mund të gjurmojmë historinë e lëvizjeve të popullsisë. Në disa raste, të dhënat që marrim nga gjuha janë të vetmet të dhëna të besueshme për të shkuarën,” shkruan Klerë Bouen, profesoreshë e Gjuhësisë në Universitetin e Jeilit. “Fjalët që mund t’i gjurmojmë deri në thellësi të të shkuarës na japin një pamje të shoqërive të shkuara.”

Ndjekja e gjuhës më të vjetër është “detyrë shumë e ndërlikuar,” thotë Dani Hiber, gjuhëtar që studion gjuhët e rrezikuara. Një nga mënyrat për përcaktimin e prejardhjes së një gjuhe është gjetja e një pike kohore në të kaluarën kur dialektet e ndryshme të një gjuhe kthehen në dy gjuhë aq të ndryshme, sa që njerëzit që i flasin këto dialekte nuk janë më në gjendje ta kuptojnë njëri-tjetrin. “Për shembull, sa hapa mbrapa në histori duhet të bësh që të gjesh kohën kur përdoruesit e anglishtes ishin në gjendje të kuptoheshin me përdoruesit e gjermanishtes?” thotë ai. Kjo pikë në të kaluarën do të shënonte prejardhjen e dy gjuhëve të dallueshme, anglishtes dhe gjermanishtes, si dy degëzime që dalin nga gjuha proto-gjermanike.

Nga ana tjetër, po ta marrim si të mirëqenë që të gjitha gjuhët mund të ndiqen në kohë prapa deri në një gjuhë e përbashkët njerëzore, atëherë del që të gjitha gjuhët janë njëlloj të vjetra. “Ti e di që prindërit e tu kanë folur një gjuhë, siç kanë folur edhe prindërit e tyre, e kështu me radhë. Pra, kushdo mund ta përfytyrojë se të gjitha gjuhët kanë rrjedhur nga një gjuhë e vetme,” thotë Hiber.

Por është e pamundur të provosh se kush ka qenë gjuha proto-njerëzore – një paraardhëse e drejtpërdrejtë imagjinare e të gjitha gjuhëve të botës. Për këtë arsye, disa gjuhëtarë mendojnë se përcaktori “gjuha më e vjetër e botës” duhet t’i jepet një gjuhe për të cilën ka dëshmi bindëse të formës së shkruar.

Shumë nga shembujt e shkrimeve të hershme vijnë nga gjuhë që kanë përdorur alfabete gjemborë, domethënë germa me forma shigjetare të gërvishtura në pllaka argjili. Ndër këto gjuhë, sumeriania dhe akadiania datojnë të paktën 4600 vjet më pare. Arkeologët kanë gjetur edhe hieroglifë egjiptianë të gdhendur në varrin e Faraonit Seth Peribsen, që datojnë rreth të njëjtës periudhë historike. Shkrimi përkthehet: “Ai ka bashkuar Dy Vende për djalin e tij, Mbretin e Dyfishtë Perbsen,” dhe mbahet si fjalia e plotë më e hershme që njihet deri më sot.

Përgjithësisht historianët janë të të njëjtit mendim se gjuhët sumeriane, akadiane dhe egjiptiane janë gjuhët më të vjetra me dëshmi të qarta të shkrimit të tyre. Të treja janë gjuhë të vdekura, që nuk përdoren më apo që nuk kanë pasardhës që jetojnë dhe vazhdojnë t’ua përcjellin gjuhët brezave në vazhdim.

Sa për gjuhët e vjetra që vazhdojnë të fliten, këtu ka disa pretendentë. Hebraishtja dhe Arabishtja dallohen si gjuhë që kanë vazhdimësi kohore të cilat mund të ndiqen në mënyrë të logjikshme nga gjuhëtarët, sipas Hiberit. Megjithëse dëshmitë më të hershme të shkruara të këtyre gjuhëve datojnë deri 3000 vjet më pare, thotë Hiber, të dyja i përkasin familjes së gjuhëve Afroaziatike, rrënjët e të cilave shkojnë nga 18,000 deri në 8,000 vjet p.e.s., ose 20,000 deri në 10,000 vjet më parë. Edhe brenda kësaj kornize kohore kaq të gjerë, gjuhëtarët e pranojnë Afroaziatiken si familjen më të vjetër të familjeve të gjuhëve. Megjithatë, koha e saktë se kur janë ndarë Hebraishtja nga Arabishtja është ende e diskutueshme.

Bouen shton edhe Kinezçen në listën e kandidatëve. Kjo gjuhë ka shumë të ngjarë të ketë dale nga gjuha proto-sino-tibetiane, që është njëkohësisht paraardhëse e gjuhëve burmeze dhe tibetiane, të paktën 4,500 vjet më parë, megjithëse koha e saktë vazhdon të diskutohet. Dëshmitë më të hershme të dokumentuara të sistemit të shkrimit kinez vijnë nga mbishkrime në guaca breshkash dhe kocka kafshësh që datojnë 3,300 vjet të shkuara. Megjithatë, karakteret e shkrimit modern kinez janë përdorur disa shekuj më vonë.

Po ta kthesh orën edhe nja dy mijëvjeçarë më shumë, të dhënat gjuhësore bëhen edhe më të turbullta. Deven Patel, profesor i studimeve për Azinë Jugore në Universitetin e Pensilvanisë thotë se dëshmitë më të hershme të gjuhës sanskrite janë disa tekste të vjetra Hindu të krijuara diku midis viteve 1,500 dhe 1,200 p.e.s., pjesë e Vedave, një përmbledhje shkrimesh fetare të Indisë së lashtë. “Unë mendoj se sanskritishtja është tradita më e vjetër gjuhësore në vazhdim, që do të thotë që ajo vazhdon të përdorë letërsi dhe që njerëzit e flasin, megjithëse nuk është gjuhë e nënës në kohët moderne,” thotë Patel.

Megjithatë, disa gjuhëtarë thonë se daljes së sanskritishtes i ka paraprirë gjuha Tamil, një gjuhë Dravidiane që ende përdoret nga 85 milionë folës në Indinë jugore dhe në Sri Lanka. Shkencëtarët e dokumentojnë Tamil të paktën 2,000 vjet më pare. Ndërkohë, studiuesit nuk pajtohen për moshën e vërtetë të veprës më të vjetër të letërsisë Tamil që njihet me titullin Tolkappiyam. Disa e vlerësojnë si 7,000 vjet, të tjerë si 2,800 vjet të vjetër. “Studiuesit nuk pajtohen për datën e teksteve të lashtë që mendohen se i përkasin gjuhës Tamil, por edhe nëse gjuha që kanë këto tekste është aq e ngjashme me tamilen moderne sa për t’i përcaktuar si e njëjta gjuhë,” thotë Patel. “Përdoruesit e gjuhës Tamil janë shumë të zellshëm në përpjekjet për ta veçuar gjuhën e tyre si shumë të lashtë.”

Mosmarrëveshjet në përcaktimin e moshës së gjuhëve sanskrite dhe tamil janë shembull i problemeve më të gjera në përcaktimin e gjuhës më të vjetër në botë. “Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, njerëzit kanë filluar të krijojnë histori të reja që po aq sa shkencore, janë edhe politike,” thotë Patel. “Të gjithë duan të mburren me gjuhën më të vjetër që është ende në përdorim.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here